LAJMI I FUNDIT:

Kërcënimi i mediave sociale për shoqërinë dhe sigurinë

Kërcënimi i mediave sociale për shoqërinë dhe sigurinë

George Soros

Çasti aktual në botë është i dhimbshëm. Shoqëritë e hapura janë në krizë dhe forma të ndryshme diktature dhe shtete mafioze, me shembull të Rusisë së Vladimir Putin, janë në ngritje. Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump do të donte të krijonte shtetin e tij të stilit mafioz, por nuk mundet, prej Kushtetutës, institucioneve të tjera dhe një shoqërie civile të fortë që nuk do ta lejonte.

Jo vetëm që është vënë në diskutim mbijetesa e shoqërisë së hapur; por e gjithë mbijetesa e qytetërimit është në rrezik. Ngritja e liderëve si Kim Jong-un në Korenë e Veriut dhe Trump në SHBA ka shumë lidhje me këtë. Të dy duken të gatshëm të rrezikojnë një luftë bërthamore për të mbajtur pushtetin. Por shkaku për këtë shkon më thellë. Aftësia e njeriut për të përdorur forcën e natyrës, si për shkaqe shkatërrimtare dhe për të ndërtuar, vazhdon të rritet, ndërsa aftësia jonë për të qeverisur veten siç duhet luhatet dhe është tani në një pikë të ulët.


Ngritja e sjelljes monopoliste të kompanive gjigante amerikane të internetit po kontribuon shumë në impotencën e qeverisë amerikane. Këto kompani kanë luajtur shpesh një rol inovativ dhe çlirues. Por teksa Facebook dhe Google shtojnë pushtetin, ato po bëhen një pengesë ndaj inovaciont dhe kanë shkaktuar një shumëllojshmëri problemesh për të cilat vetëm tani kemi filluar të jemi në dijeni.

Kompanitë fitojnë duke shfrytëzuar mjedisin ku funksionojnë. Kompanitë e minierave dhe naftës shfrytëzojnë mjedisin fizik; kompanitë e mediave sociale shfrytëzojnë mjedisin social. Kjo është veçanërisht e keqe, sepse këto kompani ndikojnë në mënyrën si njerëzit mendojnë dhe sillen pa e ditur ata. Kjo ndërhyn me funksionimin e demokracisë dhe integritetin e zgjedhjeve.

Ngaqë kompanitë e platformës në internet janë rrjete, ato shijojnë përfitime margjinale në rritje, që shkakton zhvillimin e tyre fenomenal. Efekti i rrjetit është vërtet i paprecedent dhe transformues, por është edhe i paqëndrueshëm. Iu deshën Facebook tetë vite e gjysmë për të arritur një miliard përdorues dhe gjysmën e kësaj kohe për të arritur miliardin e dytë. Në këtë normë, Facebook do të mbetet pa përdorues të rinj në më pak se tre vjet.

Facebook dhe Google efektivisht kontrollojnë mbi gjysmën e të gjithë të ardhurave të reklamimit dixhital. Për të ruajtur dominimin e tyre, ato duhet të zgjerojnë rrjetet e tyre dhe të rrisin pjesën e vëmendjes së përdoruesve. Aktualisht ato po e bëjnë këtë duke i ofruar përdoruesve një platformë të favorshme. Sa më shumë kohë që kalojnë përdoruesit në platformë, aq më shumë të vlefshëm bëhen ato për kompanitë.

Për më tepër, për shkak se ata që ofrojnë kontent nuk mund të shmangin përdorimin e platformave dhe duhet të pranojnë çdo kusht që u ofrohet, edhe ata kontribuojnë në përfitimet e kompanive të mediave sociale. Në fakt, përfitimi i jashtëzakonshëm i këtyre kompanive është kryesisht funksion i shmangies së përgjegjësisë së tyre – dhe pagesës – për kontentin e platformave të tyre.

Kompanitë pretendojnë se ato thjesht shpërndajnë informacion. Por fakti që ata janë thuajse shpërndarës monopol i bën ato ente publike dhe duhet të jenë subjekt i rregullave të ashpra, që synojnë ruajtjen e konkurrencës, inovacionin dhe aksesin e ndershëm dhe të hapur.

Klientët e vërtetë të kompanive të mediave sociale janë reklamuesit e tyre. Por një model i ri biznesi po shfaqet gradualisht, bazuar jo vetëm te reklamimi por edhe te shitja e produkteve dhe shërbimeve direkt te përdoruesit. Ata shfrytëzojnë të dhënat që kontrollojnë, mbledhin shërbimet që ofrojnë, përdorin çmime diskriminuese për të mbajtur më shumë përfitime që përndryshe do të duhej t’i ndanin me klientët. Kjo shton përfitimin e tyre edhe më shumë, por paketimi i shërbimeve dhe çmimet diskriminuese pengojnë efikasitetin e ekonomisë së tregut.

Kompanitë e mediave sociale i mashtrojnë përdoruesit e tyre duke manipuluar vëmendjen e tyre, duke e drejtuar atë drejt qëllimeve të tyre tregtare dhe duke krijuar me qëllim varësi ndaj produkteve që ata ofrojnë. Kjo mund të jetë shumë e dëmshme, veçanërisht për adoleshentët.

Ka një ngjashmëri mes platformave të internetit dhe kompanive të basteve. Kazinotë kanë zhvilluar teknika për të mbajtur klientët në atë pikë që t’i vënë në bast të gjitha paratë e tyre, edhe paratë që nuk i kanë.

Diçka e ngjashme – dhe me gjasa e pakthyeshme – po ndodh me vëmendjen njerëzore në epokën tonë dixhitale. Kjo nuk është thjesht çështje shpërqendrimi apo varësie; kompanitë e mediave sociale në fakt po i nxisin njerëzit të dorëzojnë autonominë e tyre. Dhe ky pushtet për të formësuar vëmendjen e njerëzve po përqendrohet vazhdimisht në duart e disa kompanive.

Duhet përpjekje e madhe për të mbrojtur atë që Xhon Stuart Mill e quajti liri të mendjes. Me t’u humbur, ata që rriten në epokën dixhitale mund ta kenë të vështirë ta fitojnë atë mbrapsht.

Kjo mund të ketë pasoja politike të thella. Njerëzit pa liri mendje mund të manipulohen lehtësisht. Ky rrezik nuk shtrihet vetëm në të ardhmen, por ka luajtur tashmë një rol të rëndësishëm në zgjedhjet presidenciale amerikane 2016.

Ka një perspektivë edhe më alarmuese në horizont: një aleancë mes shteteve autoritare dhe monopoleve teknologjikeve të pasura me të dhëna, që sjellin së bashku sisteme në zhvillim të mbikëqyrjes së korporatave me sisteme tashmë të krijuara të mbikëqyrjes së sponsorizuar nga shteti. Kjo mund të rezultojë në një rrjet të kontrollit autoritar, të cilin as Xhorxh Oruell nuk do ta kishte imagjinuar.

Vendet ku “martesa të tilla të pashëndetshme” ka gjasa të ndodhin së pari janë Rusia dhe Kina. Kompanitë kineze të IT janë në veçanëri plotësisht të barabarta me platformat amerikane. Ato gëzojnë mbështetje dhe mbrojtje të plotë të regjimit të presidentit Xi Jinping. Qeveria kineze është e fortë mjaftueshëm për të mbrojtur kampionët e vet kombëtar, të paktën brenda kufijve.

Monopolet teknologjike me bazë në SHBA janë tunduar tashmë të bëjnë kompromis për të fituar hyrje në këto tregje të gjera me zhvillim të shpejtë. Liderët diktatorial të këtyre vendeve mund të jën shumë të lumtur të bashkëpunojnë me ta, në interes të përmirësimit të metodave të tyre të kontrollit të popullsive të veta dhe të zgjerimit të pushtetit dhe ndikimit të tyre në Shtetet e Bashkuara dhe kudo tjetër në botë.

Ka gjithashtu një pranim në rritje të një lidhje mes dominimit të platformave të monopolit dhe pabarazisë në rritje. Pëqendrimi i aksioneve në duart e disa individëve luan një rol, por pozicioni i veçantë i zënë nga gjigantët e internetit është edhe më i rëndësishëm. Ata kanë arritur fuqinë monopol ndërsa po konkurrojnë ende me njëra-tjetrën. Vetëm ata janë mjaftueshëm të mëdhenj për të gëlltitur kompani të reja që mund të bëhen konkurrentët e tyre dhe vetëm ata kanë burimet për të pushtuar territorin e tjetrit.

Pronarët e platformave gjigante e konsiderojnë veten mjeshtër të universit. Në fakt, ata janë skllevër të ruajtjes së pozicionit të tyre dominant. Ata janë angazhuar në një përpjekje ekzistenciale për të dominuar zonat e reja të zhvillimit që inteligjenca artificiale po hap, si për shembull makinat pa shoferë.

Ndikimi i inovacioneve të tilla mbi papunësinë varet nga politikat qeveritare. Bashkimi Europian dhe veçanërisht vendet nordike, janë më largpamëse se Shtetet e Bashkuara në politikat e tyre sociale. Ata mbrojnë punëtorët, jo vendet e punës. Ata janë gati të paguajnë për ritrajnim dhe dalje në pension të punonjësve të tyre të zhvendosur. Kjo i jep punëtorëve në vendet nordike një ndjesi të madhe sigurie dhe i bën ata më mbështetës ndaj inovacioneve teknologjike se punëtorët në SHBA.

Monopolet e internetit nuk kanë as vullnetin dhe as tendencën të mbrojnë shoqërinë kundër pasojave të veprimeve të tyre. Kjo i kthen ata në një kërcënim publik dhe është përgjegjësia e autoriteteve rregullatore për të mbrojtur shoqërinë nga ata. Në SHBA, rregullimet nuk janë mjaftueshëm të forta për të përballuar ndikimet politike të monopoleve. BE-ja është në pozicion më të mirë, por nuk ka ndonjë platformë gjigante të veten.

BE-ja përdor një përcaktim tjetër të fuqisë së monopolit nga SHBA. Ndërsa ligji amerikan përqendrohet kryesisht në monopolet e krijuara nga përvetësimi, ligji europian ndalon abuzimin me pushtetin monopol sido që ai të arrihet. Europa ka ligje më të forta të privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave se Amerika.

Për më tepër, ligji amerikan ka miratuar një doktrinë të çuditshme që e mat dëmin si një rritje në çmimin e paguar nga klientët për shërbimet e marra. Por është thuajse e pamundur ta provosh këtë, duke marrë parasysh se platformat gjigante të internetit ofrojnë një shumicë të shërbimeve të tyre falas. Për më tepër, doktrina lë jashtë konsiderate të dhënat e vlefshme që kompanitë e platformës mbledhin nga përdoruesit e tyre.

Komisionerja europiane për konkurrencën Margrethe Vestager është shembulli i qasjes europiane. BE-së iu deshën shtatë vjet për të ndërtuar një çështje kundër Google. Por si rezultat i suksesit të saj, procesi i krijimit të rregullave të përshtatshme është shtuar shumë. Për më tepër, falë përpjekjeve të Vestager, qasja europiane ka filluar të ndikojë të sjellja amerikane.

Është thjesht çështje kohe përpara se dominimi global i kompanive amerikane të internetit të thyhet. Rregullimi dhe taksimi, udhëhequr nga Vestager, do të sjellë thyerjen e tyre. /Project Syndicate/reporter.al/

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Kombëtarja e Shqipërisë
Kalo në kategori