LAJMI I FUNDIT:

Këmba e thyer e mbretit Dragutin

Këmba e thyer e mbretit Dragutin

Mbreti mesjetarë serb, Dragutin, i cili mbretëroi në mes të viteve 1276-1282, një ditë, papritmas u rrëzua prej kali dhe e theu këmbën! Këmba e tij e thyer nuk duket t’i ketë shkaktuar aq dhimbje sa e kishte trazuar skajshëm ndërgjegjen e tij! Ai po vuante shumë shpirtërisht! Kjo ishte e padurueshme për të, çka përbën edhe një fakt shtesë se në Mesjetë ndërgjegjja kishte qenë një luks i tepruar të cilin, mbretërit, nuk kanë mundur të i lejojnë vetës. Ai e kishte, ndërgjegjen! Prandaj, mbretëroi aq shkurt!

Kjo fatkeqësi personale duket të ketë ndodhur në vitin 1282! Në fakt, data edhe mund të mos jetë e saktë por, sidoqoftë, kjo thyerje e këmbës pati pasoja serioze historike! Kështu, së paku, thotë historiani i asaj kohe, kryepeshkopi “i shenjtë” Danillo i cili e përshkroi jetën dhe veprën “e mbretit serb Uroshit të I-rë, gruas së tij Jellenës së shenjtë dhe djemve të tij, po ashtu të shenjtë Dragutinit dhe Millutinit”!

Si na rrëfen Shën Danillo i II-të, mbreti Dragutin kishte ra në depresion të thellë duke menduar se kishte bërë mëkat të rëndë kur ishte rebeluar kundër të atit dhe e kishte rrëzuar atë nga froni! Pra, ai u pendua thellë dhe vendosi që pushtetin mbretëror, vullnetarisht, ta dorëzojë te vëllai i vet, Millutini! Pikërisht, ky Millutini, i cili është këto ditë top-temë në Kosovë!


Këtij Millutinit i eci fati! Falë ndërgjegjes së vëllait të tij, ky nuk pati nevojë të ngre dorë në familje për të marrë kurorën, edhe pse më vonë, për të e mbrojtur atë do të lejonte burgosjen dhe verbimin e djalit të vet Stefanit, i cili, përmes një rebelimi, kishte tentuar të merrte prej tij kurorën! Por, Stefani pasi u mund në betejë, përfundoi në burgun e Shkupit, ku edhe e verbuan me urdhër të atit, Millutinit. Ka ende pikanteri, por, për shkrimin tonë, nuk është relevant fakti se mbreti Millutin u martua pesë herë, përfshirë edhe Simonidën , vajzën pesëvjeçare të perandorit Bizantin Androniku II Paleologu (1282-328)! Në këto martesa atij i lindën dy djem dhe dy vajza.

Kur është fjala te “kurora”, Zoti e di se edhe koha jonë ka pasur sa të duash mëkate! Ku me vjedhje votash e ku me… plumba! Mbretin Dragutin në Serbi nuk e adhuron askush! E, mbretin Millutin nuk e brente ndërgjegjja për asgjë! Ndërgjegjja nuk duket askund, as në Serbinë e sotme! As në përgjigjet e shmangura të kryeministrit serb i cili këto ditë me leje të Brukselit erdhi në Kosovë!

Kur u pyet për kur do të kërkojë falje për krimet serbe në Kosovë, Kryeministri serb kërkoi një pyetje tjetër! E pyetën se kur do ta njohë Serbia shtetin e Kosovës! Prapë kërkoi pyetje tjetër! Ai nuk e përmendi këmbën e thyer të mbretit Dragutin, por këmbën e një qytetari të zemëruar shqiptar e përmendi në konferencë! U ankua se qytetari e paska goditur me këmbë veturën e tij derisa po kalonte rrugës, me eskortën e vet! Kjo nuk dukej se e ka prekur ndërgjegjen e kryeministrit serb! Nuk i bënte shumë përshtypje se nuk e duan… shqiptarët!

Por, të kthehemi edhe pak te Mbreti Millutin, i cili edhe pas kaq kohësh ende e frymëzon kryeministrin serb!

Kështu, mbreti Millutin përpos se pushtoi përveç Kosovës, Shqipërinë veriore dhe pjesën më të madhe të Maqedonisë së sotme e deri disa pjesë të Greqisë, do të mbahet mend veçanërisht sepse luftoi dhe fitoi kundër perandorit bizantin Mihailo i VIII Paleologu, i cili sundoi në mes të viteve 1258-1282! Ky perandor, pas një periudhe të gjatë ndarjeje, kishte arritur një marrëveshje me Papën për një bashkim dhe po përpiqej që edhe mbretëritë e tjera në Ballkan ta respektonin atë. Por, Mbreti Millutini iu kundërvu atij ushtarakisht dhe e mundi atë duke hyrë kështu në historinë serbe, përpos si pushtues edhe si mbrojtës i ortodoksisë!

E shihni çfarë bën një këmbë e thyer, kur ajo (keq)kuptohet si një shenjë nga Zoti?! Po të mos rrëzohej nga kali mbreti Dragutin, mbase krejt kjo as do të ndodhte! Kush e di cili mbret do të promovohej në Graçanicë?

Tash, gati 750 vjet më vonë, Mbreti Millutin na erdhi sërish në Kosovë! Në bronz! Në Ballkan, princërit mesjetarë janë bërë yje të mediave! Nuk ka shesh në Ballkan pa një princ mesjetar, hipur mbi kalë dhe me shpatën e zhveshur të ngritur lartë, drejtuar nga fqinjët armiqësorë! Kuajt qëndrojnë vetëm në këmbët e prapme, përderisa me të parat sikur duan të ngjiten qiellit!

Nejse, nën mbrojtjen e forcave të policisë së Republikës së Kosovës, në Graçanicë, u vendos përmendorja e mbretit Millutin. Entuziazmi i komunitetit serb në Kosovë ishte i madh. Aq i madh sa zëvendëskryeministri i Kosovës harroi se ku merr rrogën dhe klithi: “Rroftë Serbia”! Edhe kryeministri serb, i cili në mes të gjashtë ministrave të tij kishte marrë edhe atë të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, dukej aq i emocionuar për këtë “ngulitje”, sa i shpëtuan lotët!

Për koincidencë, pas disa ditësh aty do të mbaheshin edhe zgjedhjet lokale për kryetar komune, të “kryeqytetit” serb të Kosovës, Graçanicës, ku kandidati i Vuçiqit fitoi!

Por, çka po ndodhë? Me çështje politike mund të lozet, por jo edhe me mite! Përse pikërisht Millutini? Përse po ndërrohet heroi Millosh Obiliq, i cili vrau Sulltan Muratin në Gazimestan? Në kohën e ish presidentit serb Millosheviq, aty ishin mbledhur rreth një milion serb, në kulmin e projektit për “Serbinë e madhe”? Çfarë detyre ka Millutini, sot?

Pastaj, as asociimet, për “Babën” dhe fronin nuk janë pa bazë reale. Vojisllav Sheshel, kryetar i Partisë Radikale Serbe, “babai” politik i presidentit serb Nikoliq dhe kryeministrit Vuçiq, u kthye para pak muajsh nga Haga me dy metastaza në mëlçinë e tij! Me humor të zi, ai u ka vënë atyre emrat e presidentit dhe kryeministrit serb, të cilët dikur ishin njerëz shumë të afërt të tij dhe të cilët ky i akuzon se e kanë tradhtuar! Atë dhe Serbinë!

Cila është “loja” e ndërgjegjes? Derisa “baba” Sheshel dikur ftonte për luftë me shqiptarët dhe për largimin e tyre të dhunshëm nga Kosova, “djali” Vuçiq deklaron se në Kosovë nuk do të luftojë me shqiptarët, por do të jetojnë bashkë! Do të na lejojnë! I lutë serbët të shtohen… kërkon që lejleku të vijë më shpesh! U premton serbëve se do të vijë më shpesh në Kosovë, me gjithë qeverinë e tij!

Edhe kryeministri Rama na vjen në mars, me gjithë kabinetin! Ndoshta vjen edhe kryeministri Davutoglu, me gjithë qeveri në Prizeren! Më asnjë kryeministër nuk na vjen vet…!

E pse jo! Së paku të vijë dikush, pasi ne nuk shkojmë dot askund !

E përse e do pikërisht mbretin Millutin?