LAJMI I FUNDIT:

Kati i nuses

Kati i nuses

Isuf Thaçi me bashkëshorten dhe djemtë e tij, dymbëdhjetë muajt e ardhshëm nuk kanë të drejtë të hyjnë në katin e dytë të shtëpisë së tyre.

Në bazë të aktvendimit të datës 6 shtator të këtij viti, një kopje të së cilës e ka edhe Express, urdhërohen Isuf, Adem, Bajram dhe Rukije Thaçi që në afat prej tridhjetë ditësh t’ia mundësojnë vendosjen në katin e dytë të shtëpisë Haxhere Isufit, së bashku me dy djemtë – Arianit dhe Lis Thaçi.

Ky vendim ka ardhur pasi që Haxhere Jusufi, ish-bashkëshorte e Adem Thaçit, si palë e mbrojtur është ankuar në polici për, siç ka thënë ajo, dhunë nga ish-burri dhe familja e tij.

Në aktvendimin e formës së prerë që ka marrë gjyqtari Lekë Prenaj, lëshohet urdhri për mbrojtje për Haxhere Jusufin së bashku me dy djemtë e saj. Sipas po këtij aktvendimi, ata do të vendosen në banesën që është pronë e përbashkët e palëve.


Familja Thaçi pretendon se prona është vetëm e Isuf Thaçit, ndërsa ende nuk është bërë ndarja e pasurisë.

“Prona nuk ka qenë objekt shqyrtimi në këtë rast. Vendimi është marrë që palës së mbrojtur t’i sigurohet një vend ku mund të banojë”, tha gjyqtari Prenaj për Express.

Derisa Haxherja është vendosur në katin e dytë të shtëpisë, meshkujt e familjes gjenden në paraburgim, pasi që nuk kanë respektuar vendimin e gjykatës që Haxheres t’ia lirojnë banesën ashtu siç ka vendosur gjykata.

Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, që përfaqëson familjen Thaçi, thotë se deri më tani nuk ka ndonjë dokument që dëshmon se pala e mbrojtur ka pronësi të përbashkët me familjen Thaçi. Sipas saj, Gjykata Komunale në Prishtinë ka bërë edhe një shkelje elementare të të drejtave të njeriut, duke privuar nga liria tre meshkuj të shtëpisë.

“Nuk kuptoj që është pengim i personit zyrtar nëse zoti i shtëpisë, të cilën e ka ndërtuar me djersë, shprehet se nuk ka ku të shkojë.”, tha Gashi-Bytyqi.

Gjykata ka marrë vendim duke u bazuar në deklaratat e palës së mbrojtur Haxhere Jusufit, si dhe djemve Arianit dhe Lis Thaçit. Në arsyetim thuhet se gjykata ka vërtetuar se në momente të caktuara ushtrohet dhuna psikike dhe fizike ndaj palëve të mbrojtura.

Arianit dhe Lis Thaçi kanë deklaruar në gjykatë se babai i tyre, Adem Thaçi, nuk përkujdeset për ta dhe nuk i ndihmon materialisht.

Gjykata ka hedhur poshtë ofertën e familjes Thaçi që t’ua paguajë një banesë me qira palëve të mbrojtura, pasi që është në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje. Ndaj këtij vendimi familja Thaçi është ankuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, por që është refuzuar nga kjo gjykatë si e pabazë. /Telegrafi/