LAJMI I FUNDIT:

Katër të arrestuar për detyrim dhe shtytje në vetëvrasje

Katër të arrestuar për detyrim dhe shtytje në vetëvrasje

Dy vetëvrasje dhe një vetëvrasje në tentativë, besohet të jenë të shtyra apo të nxitura nga motivi i detyrimit dhe kontraktimit jo-proporcional në rajonin e Mitrovicës. Hetuesit rajonal lidhur me këto raste kanë vënë në pranga katër të dyshuar.

Në njoftimin për media të Policisë thuhet se një vetëvrasje e datës 26.07.2011 dhe një tjetër e 09.09.2011, të dy viktimave nga e njëjta familje, besohet të jetë të nxitura nga detyrimi për pagesa të shumave të parave ndaj personave të dyshuar.

“Hetuesit rajonal të sektorit për krime serioze, kanë siguruar urdhëresat për kontroll të katër lokacioneve të ndryshme dhe zhvillim të hetimeve ndaj së paku katër personave të dyshuar të cilët besohet të kenë qenë të përfshirë në rastet e detyrimit dhe nxitjes për vetëvrasje”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se kontrollet e katër lokacioneve, shtëpi, prona private të dyshuarve, në Mitrovicë, janë realizuar me sukses nga hetuesit rajonal të përkrahur nga Njësitë Speciale Operative të rajonit të Mitrovicës.


Nuk është regjistruar ndonjë incident gjatë kontrolleve, ndërsa janë identifikuar dhe sekuestruar prova të ndryshme materiale për të cilat edhe është iniciuar urdhri për kontroll.

“Dy vetura, llap-top kompjuter, SIM kartela të telefonisë celulare, dokumente dhe kontrata të ndryshme dhe sasi e parave të gatshme janë sekuestruar dhe regjistruar në regjistrin e dëshmive gjatë procesit të kontrollit. Katër persona, të gjithë të përkatësisë etnike shqiptar, janë arrestuar nga hetuesit policor për proces të intervistimit dhe hetimeve më të detajuara. Ndaj të njëjtëve është caktuar masa e ndalimit policor deri në paraqitjen e tyre para gjyqtarit të procedurës paraprake”, bëhet e ditur në komunikatë.

Ndaj të dyshuarve, hetuesit policor kanë iniciuar paraqitje penale për veprat; “Shtytje në vetëvrasje”, “Detyrim” dhe “Kontraktim jo-proporcional”. /Telegrafi/