LAJMI I FUNDIT:

Ka nisur “Chopin Piano Fest Prishtina 2012”

Ka nisur “Chopin Piano Fest Prishtina 2012”

Pianistja kanadeze Janina Fialkowska të enjten mbrëma ka hapur edicionin e tretë të festivalit të vetëm në vend që i dedikohet pianos. “Chopin Piano Fest Prishtina 2012”, që organizohet nga “Chopin Asociacioni i Kosovës”, ka ngritur perden me koncertin recital të mysafires kanadeze.

Para audiencës së mbledhur në sallën e “Swiss Diamond Hotel”, Fialkowska ka interpretuar vepra të Schubertit dhe Lisztit. Në pjesën e dytë të koncertit në Kosovë ajo ka sjellë veprat e Frederic Chopinit.

“Për çfarëdo vendi tjetër do të thosha jo. Por kur më kanë thënë për Kosovë, më janë kujtuar njerëzit e fortë të cilët i admiroj dhe pastaj kam dëgjuar emrin e Chopinit që është i preferuari im”, ka rrëfyer Fialkowska. “Kam bërë gjithçka që të vija këtu, sepse isha shumë kureshtare”.

Përshtypja e parë që ka fituar për Kosovën i ka lënë shije të mirë. Por do të niset drejt Kanadasë me një dëshirë “peng”.


“Do të doja të kisha dëgjuar edhe muzikantët kosovarë se si performojnë. Do të doja të kthehesha prapë”, ka thënë ajo.

Edhe pse nuk kishte dëgjuar asnjëherë më parë për “Chopin Piano Fest”, Fialkowska nuk është penduar që është bërë pjesë e agjendës së këtij festivali.

“Gjithçka ka qenë e organizuar më mirë sesa e kam menduar. Kushtet janë shumë të mira. Kryesorja piano është e shkëlqyer, sepse në shumë vende ku kam performuar s’ka qenë e mirë”, ka thënë ajo. “S’kam asgjë për t’u ankuar”, ka shtuar ajo për “Koha Ditore”.

Lejla Pula, drejtoreshë artistike e “Chopin Piano Fest – Prishtina 2012”, ka treguar arsyen pse Fialkowska është përzgjedhur për të hapur perden e këtij edicioni.

“Janina është një pianiste e shkëlqyer dhe e ka shfrytëzuar një hapësirë të vogël të lirë që ka pasur për të ardhur në Prishtinë. Jemi të lumtur që ka pranuar dhe ka qenë sonte me ne për të bërë hapjen e festivalit”, ka thënë ajo.

Pula ka njoftuar se koncertet e “Chopin..” nga ky edicion do të jenë me pagesë.

“Duke u nisur nga sugjerimet që kanë ardhur nga viti i kaluar, sivjet e kemi bërë hyrjen me bileta që kushtojnë nga tri euro. Në këtë mënyrë organizimi është shumë më i mirë dhe njerëzit po interesohen t’i sigurojnë me kohë ulëset e tyre”, ka thënë ajo.

Festivali organizohet nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës dhe të Komunës së Prishtinës./Telegrafi/