LAJMI I FUNDIT:

Jo, nuk ndahet… Japonia!

Në këtë kolumne do të merrem me tri qytete tejet të rëndësishme politikisht: Mitrovicën, Tokion dhe Skenderajn! E di që posa t’i përmendi bashkë, ata të cilët në emër të qeverisë i mbikëqyrin mediat, si dhe censura joformale proqeveritare, do të pyeten: e çka kanë lidhje këto? Hajde Mitrovica e Skenderaj kuptohen disi, se kryeqyteti faktik i Mitrovicës së Jugut (dhe krejt Kosovës) është Skenderaj, e dihet edhe kryetari faktik i të dy qyteteve… Por, çka hyn këtu Tokio, more vëlla?!

Të më falë shteti japonez, për përdorimin e emrit të vendit dhe të kryeqytetit të tyre në kontekst ballkanik, por ne jemi mësuar me mesele e metafora. Tokio në këtë rast do të (keq)përdoret si e tillë. “Ja me fol me metafora, ja me plasë”, po thoshte njëri në Facebook. Pa metaforë nuk bënë hiq! Tjetër s’ka metë.

Kështu, Mitrovica edhe Tokio po vëllazërohen. Shkodrën, as Tivarin, as Prevezën nuk po i pranojnë në vëllazëri. Se bëhet Shqipëria e Madhe deri në Tokio! E, slogani thotë ndryshe! Si duket, Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut, ajo e Lindjes dhe Perëndimit, të gjitha bashkë po e lidhin një vëllazëri imagjinare me kryeqytetin e gjigantit ekonomik të Azisë dhe globit.


Askush nuk e ka thënë këtë, madje as fakte nuk ka, por unë po dyshoj. Është e drejtë e ime kushtetuese për të dyshuar, si është edhe e drejta për të besuar. Por, promovimi publik në Mitrovicë i ambasadorit tonë në Japoni më bëri të mendoj për kombinimet më të çmendura si arsye të kësaj. Ndoshta ka ardhur “veç eh”, si i thonë fjalës. E pse jo! Japonia qe ku është. Te dera! Ndoshta ka ardhur me pare të veta! Ndoshta me pare të buxhetit! Ndoshta ja ka paguar dikush rrugën! Por, krejt këto janë veç spekulime. Një kryeministër i yni kishte dhënë dorëheqje dikur vetëm se kishte ardhë me aeroplan special të paguar nga një qeveri mike! Po kujt i kujtohet tashmë kjo!

Por, natyrisht ju e dini se nuk është spekulim, por është fakt se vendi i shefit të AKP-së ka mbetur vakant. Edhe Trepça ka mbetë pezull. Serbët e shitën, amerikanët (s)e blenë. Qeveria amerikane thotë se kjo shitje shitblerje nuk është e ligjshme. Edhe AKP-ja! Mundet që edhe ish-kryetari i AKM-së të ketë dhënë sqarime kongresistëve pikërisht për këtë çështje, si dhe për rrokaqiejt andej Ibrit, natyrisht. Këtë për rrokaqiejt e dëgjuam në TV, tjerat janë spekulime. Fakt është se edhe barrikadat ende janë mbi urën e Ibrit. Fakt është edhe se xhandarmeria e Serbisë është operative në Kosovë. Madje, këto ditë, si duket në funksion të marrëveshjes, po vendosë rend në mes ekstremistëve atje.

Por, të kthehemi në jug dhe për me dalë kjo kolumne më gjithëpërfshirëse, po e trajtojmë problemin edhe në nivel ideologjik e gjeopolitik, përfshirë ambiciet e Serbisë me u shtri deri në Tokio. Më në fund e kuptova se slogani “Serbia deri në Tokio” (në origjinal: “Srbija do Tokija”), nuk është krejt boshe! Se siç e dini edhe ju, Serbia është në Ballkan e Tokio është në Japoni. Deri në Japoni ideologët serbë e kanë menduar të shkojnë krejt nëpër toka ortodokse. Sllave! Edhe deri në Adriatik. Prandaj, në Mal të Zi po ndërtojnë kisha edhe aty ku s’ka besimtarë të tyre. Prandaj, po i burgosin shqiptarët atje se po protestojnë kundër kësaj! Se ata po mendojnë se duhet me shku në Evropë e jo në Azi! E pushteti në Mal të Zi po ka dilema.

Nejse! Siç e dini, Tokio është kryeqyteti i vendit ku lind Dielli. Si një republikë e re, edhe ne kemi interesa atje! Sidomos për me i blloku ambiciet e Serbisë me e pushtu Tokion. Për këtë qëllim atje e kemi dërguar si ambasador një ekspert për me blloku e me zhblloku. Kështu, ambasadori i Kosovës në Tokio, duket se ka merita që e ka penguar shtrirjen e Serbisë deri atje, se në vend të sloganit të preferuar “Serbia deri në Tokio”, tashmë ngadhënjeu slogani “Serbia si ‘Nokia’”! Dikur Nokia ishte simbol i telefonit që marramendshëm po zvogëlohej! Kështu, ai, po u sqaronte kongresistëve për rrokaqiejt andej ure dhe strukturën etnike të banorëve të tyre. Shërbimi inteligjent i Japonisë (SHIJ) ka konstatuar se metodat që i përdorë Serbia janë të njëjta kudo, si në Kosovë si në Japoni! Të nxitur nga konteksti territorial me simotrën serbe, Rusinë, Japonia këtë slogan agresiv e mori tepër seriozisht.

Pra, misioni i mbrojtjes së Tokios po bartet në Mitrovicë. E, Qeveria, duke i kuptuar thellësisht interesat e përbashkëta jetike me Japoninë dhe duke e ditur se rruga jonë për në Evropë kalon përmes Japonisë, atje e kishte dërguar ish-kreun e AKM-së, i cili ishte shumë meritor për privatizimet e para këtu. Por, në ndërkohë këndej ndodhën gjëra të mëdha. Jo vetëm se u privatizu Distribucioni e PTK, por dhe “Trepça” po luhatet si dhëmb i prishur! Gjithashtu, edhe mijëra hektarë tokë publike u falën. U shitën një hektar tokë sa një hamburger.

Pra, meritat janë merita! Falë Zotit, pa therë në këmbë shpëtoi edhe profesori Blerim Rexha, doktor i shkencave, por gjithsesi amator në politikë! Si të gjithë të moralshmit! Por, ku morali e ku politika. Fundja ne jemi me Ajnshtajnin, edhe pse gruan e kishte serbe. Gjithçka është relative.

Në ndërkohë, Mitrovica po hallakatet edhe me probleme të tjera! “Po krijohet krizë”, po thonë disa, dhe kjo krejt mund të ndodhë që krejt rastësisht po koincidon me projektin “(stër)shitja e Trepçës”.

Grupi i ashtuquajtur i “Drenicës” në fakt ka funksionuar në politikë dhe biznes, kryesisht në drejtim të Mitrovicës dhe Vushtrrisë, përfshirë këtu natyrisht edhe (krye)qytetin e Drenicës dhe krejt Kosovës: Skenderajn. Spekulimet thonë se edhe përtej Ibrit ky grup ka fuqi, prandaj mendohet se edhe arrestimet në këtë kohë mund të kenë edhe motive të tjera. Këto motive mund të jenë shumë më tokësore, se sa sulmi mbi vlerat e luftës. Njerëzit nga bota e korporatave globale nuk njohin vlera abstrakte. Nuk njohin vlera që nuk konvertohen në valutë. Ato e pengojnë biznesin. I pengojnë marrëveshjet për kapacitetet strategjike. Kapitali global nuk duron kufij as nacional – e lëre më lokal!

Kështu, kriza është në derë! Një krizë nga e cila nuk do të përfitojë asgjë kjo shoqëri! Me rëndësi për strategët mbetet se protestuesit po protestojnë e pazaret po vazhdojnë!

Ku me dijtë! “Transparenca” e qeverisë është aq e madhe, sa ne vetëm na mbetet të dyshojmë veç në arsyen tonë dhe të rregullojmë rrobat e padukshme të cilat po na i qepë ekzekutivi. Edhe një vit dhe publiku ka me mbet krejt lakuriq. Krejt çka ishte e tij do të fitojë titullarë privat! E gjithkujt e kurrkujt, kanë thënë! Rroftë neoliberalizmi, brohorisin bashkëpronarët e rinj!

Nën tingujt e sloganit të famshëm “Serbia deri në Tokio”, po këndoja vet me vete këngën e famshme “Jo nuk ndahet … Japonia!”

Nuk ndahet ?!