Nga: Frano Kulli
“Jeta e humbun” e Ejëll Çobës, që prej gati një dekade e këndej është rikthyer. Në të vetmen mënyrë, ashtu siç mund të kthehen jetët e humbura por edhe ato të jetuarat, njësoj, në formën e tubës (ekstraktit) së kujtimeve, të ithta a të ëmbla, sido që të jenë. Porse për jetët e humbura, që në kohë e rrethana të posaçme ndodh të jenë të tilla, rikthimi vjen shumë herë më interesant e i nevojshëm…
“Shënimet për veten time”, siç ai i ka lënë të shkruara e të sistemuara përpara se të mbyllte sytë e të nisej për në jetën e përtejme, me uzdajën (shpresën) se atje do ta gjente prehjen e munguar gjatë e krejt pa arsye në jetën e këndejme, hapen me sentencën: Meminisse inoat (latinisht: mos raftë me u harrue). Të shkruara bukur, me mjeshtri e kulturë, por që përmbi këto të mahnit sinqeriteti i rrëfimit. Me dëlirësinë e një engjëlli të vërtetë. Të joshin e të ndjellin t’i përsëdytesh leximit të këtyre kujtimeve, sado t’i kesh shijuar me ndalesë e vëmendje herën e parë. Porse, për së dyti ky libër nuk mund të lexohet “pa laps në dorë”.
Se dhimbja për mundimet e “fundit të ferrit” përjetohet, po historia memorizohet… Dhe memorizimi, ruajtja në kujtesë, rron mirë e shumë më gjatë e shkruar (Verba volant scipta manent- fjala fluturon e shkruara mbetet, e kanë thënë herët latinët). Sidomos kur njerëzit dhe ngjarjet e fatet e tyre kanë vlerë universale, përtej të përveçmes së individit. E Engjëll Çoba është rasti në fjalë…
Në birucë… Ne qëndojshim në kambë, të heshtun, pa dhanë asnji shenjë jete.
Afrohet nëntogeri, me buzëqeshje ironike më pyeti:
-Kush je ti ?
Si ia tregova vazhdoi:
-Ç’zyrë ke patur ?
-…gjyqtar…
-Pastaj?
-Drejtor në Ministri të Drejtësisë.
-Pastaj?
-Sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri.
-Pastaj?
-Nënministër pranë Këshillit të Ministrave.
-Pastaj?
-Nënministër në Ministrinë e Punëve të Mbrendëshme….
Dhe togeri shfaqet zotërues, përbrenda mureve të pista të korridoreve e të qelisë ku zhvillohej dialogu, triumfues se e kishte mposhtur përpara të tjerëve “armikun” e dënuar me vdekje, duke i marrë si pohime përmes gojës së tij postet që ai kishte pasë në regjimin e përmbysur (!)
Kjo e lumturonte togerin, një lumturi kanibaliste (njeringrënëse) kjo e tija. Se nuk mund ta kapërdinte inteligjenca e kufizuar e togerit dhe shpirti i mbushur me tepri e përplot me urrejtje faktin se në këto poste Ejëll Çoba ishte thirrë mbasi, për 13 vite me radhë, kishte studiuar në Itali, studime të cilat i përmbylli me gradën “Doktor në Jurisprudencë”, në Universitetin “La Sapienza” të Romës, më 1932-shin.
E më pas u kthye në vendlindje, ku ndoqi karrierën profesionale e politike. I ftuar prej Kryeministrit Maliq Bushati (më vonë regjent). Maliq Bushati e kishte thirrë në shtëpi dhe i kishte thënë: “Jam ngarkue me formue qeverinë e re. A vjen si ndihmësministër me më ndihmue mua ?…” Dhe kishte shkuar. Kurse në shkurtin e ’44-ës Rexhep Mitrovica Kryeministër e kishte thirrë dhe i kishte ngarkuar detyrën e ndihmësministrit të Mbrendshëm. Edhe pse kohë lufte e rrethana krejt të papërshtatshme, e kishte pranuar. Masandej Pader Anton Harapi, (asokohe regjent), me të cilin Ejlli kishte miqësi, e kishte thirrë dhe i kishte thanë se “kishte bâ mirë qi e kishte pranue atë detyrë”. Togeri, që detyrën ndaj atdheut nuk e çonte përtej detyrës që kishte për t’i shërbyer atij që e kishte bërë me grada teksa kishte lënë kërrabën e çobanit në malet e Labërisë, nuk kish si ta kuptonte se posti e zyra ishin edhe shërbesë për Shqipërinë.
Madje edhe atëherë kur e vetëdije rrezikun që ajo të sjell… Ejëlli, ndërsa sjell në vëmendje emrat që do të përbëjnë qeverinë e krijuar mbas prillit të ’39-tës: Shevqet Vërlaci, Xhafer Ypi, Fejzi Alizoti, Tefik Mborja e Ernest Koliqi… i sinqertë e pa kurrfarë kompleksi veçon Koliqin: “Ishte i vetmi që veproi me synim kombëtar; ai arriti të bante gjuhë zyrtare shqipen, hapi shkolla e nxiti botime në gjuhen shqipe”. Sikurse nuk e mban të ndrymë brenda vetes respektin për Hasan Dostin e dhimbjen për të birin, të cilit gjermanët i kishin vrarë nënën dhe xhaxhain dhe e takon në burg të arrestuar tre muaj para provimeve të maturës.
“Hasanin e kisha njoftë mirë e nuk stepem së thanuni se ishte njeriu ma i mirë që kisha njoftë. Kam çmue kulturen e tij thellësisht perëndimore edhe pse i lindun e i rritun në një ambjent me kulturë të pasun turke dhe ndjenjën e thellë të patriotizmit e të drejtësisë”. Sikurse shprehet i lumturuar kur si drejtues i arsimit të mesëm në Ministrinë e Arsimit vjen Henrik Lacaj, student i Universitetit të Padovës, pas mbarimit të Kolegjës Saveriane të Jezuitëve. Ejlli ishte i biri i Gjon Çobës, senator në vitet ’20 dhe kryetar i Këshillit të Naltë (organi i kryetarit të shtetit). Atdhetar me vepra të shënuara…
Në hetuesi… kur dola në korridor me marrë teshat që më kishin pru, njoha batanijen. Ishte ajo që i kishim çue babës më 1915-ën, kur e kishin arrestue forcat malazeze, të cilat kishin pushtue për së dyti Shkodrën e me shumë shqiptarë të tjerë e i kishin internue në Podgoricë. Me babën ishin Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Preng Bib Doda e Fejzi Alizoti. Luigji ishte Drejtor i Arsimit, në rang ministri në qeverinë vendase nën administrimin austriak, kurse Fejzi Alizoti Kryeadministrator i Shkodrës e Drejtor i Financave në rang ministri…
Pas disa ditësh më çuen në një dhomë tjetër përbri, ku gjeta Ramadan Sokolin. Ramadani kishte dy cilësi shumë të mira: njena ishte se këndonte bukur, e këtë e bante sa herë ia kërkonte ndonji shok edhe prej dhomave të tjera, sidomos “Turtulleshen” që e kishte shkrue e muzikue vetë. Vehej në gjunjë e ia niste kangës me za të fortë. Tjetra cilësi ishte se tregonte me hollësi romanet e shumtë që kishte lexue… Ramadani, muzikologu më i shquar shqiptar, ish-student në Konservatorin “Luigi Cherubini” në Firence, ishte i nipi i Hodo Sokolit, udhëheqësit popullor të mbrojtjes së territoreve shqiptare të Plavës e Gucisë në fundshekullin e XIX-të, pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit.
E kishte marrë edhe atë vala e represionit të egër të pushtetit të ri kundër njerëzve të ditur e të shkolluar jashtë që konsideroheshin të lidhur me organizimin e lëvizjes antikomuniste të Postribës. Bashkë me të atin. Dhe ishin gjendur në njërin prej burgjeve të shumtë të adaptuar ato ditë në Shkodër. Të “demaskuar” më përpara, “të shtyrë e të pështyrë” prej rioshëve (grupe të rinjsh) të manipuluar, edhe pse krejt qyteti ndihej i mpirë prej gjithë asaj çfarë po ndodhte. Siç ndodhi edhe me padër Gjon Shllakun, me At Danjel Dajanin e padër Giovani Faustin, përpara se t’i dërgonin përpara skuadrës së pushkatimit… Ende sot nuk e kuptoj pse më vinte turp nga ky ekspozim, kur e dijsha se s’kam bâ asgjâ të turpshme – veçonte, në përjetimet për vete të këtij akti, Engjëlli më se 24 vite më vonë…
I rrëmbyer prej valës, bashkë me to u gjend edhe Betti, elektricisti italian i mbetur në Shqipëri nga lufta. I paragjykuar dhe i dyshuar, thjesht si i huaj. -Ime shoqe, mësuese,- u rrëfente ai bashkëvuajtësve, – para se të vinte me fjetë vajzën tonë 4 vjeçe, e mësonte të lutej: për vete, për prindërit, për të sëmurët në spitale e për të burgosurit. E unë thoja me vete: po për të burgosurit, për ata njerëz të këqij e maskarenj, pse?… Tani po e kuptoj se edhe në burg ka njerëz të mirë, të ndershëm e të pafajshëm…
Naiviteti i italianit Betti ishte fashitë shpejt, që në njohjet e para me njerëzit e atij ferri, shumica e të cilëve ishin jo vetëm pafajësia vetë, po ishin vetë ata që e kishin bërë Shqipërinë, e kishin shpëtuar jo vetëm prej copëtimit, po prej vetë zhbërjes… “Jeta e humbun” e Ejëll Çobës është mëkati i madh, ende i pashlyer, përderisa jetëmarrësit e shumë këso jetëve, më e pakta nuk kanë shënuar pendesë. Edhe pse prej fillesës së mëkatit po afrohet me kalue shekulli.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Survejimi i pesë shkrimtarëve të Kosovës, gjatë qëndrimit në Shqipëri në vitin 1973

Fundi tragjik i intelektualit Qemal Draçini: Para se të vdiste nga torturat, thërriste nënën ...

Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!

“Diçka po lëviz nën sipërfaqe": Çfarë zbulojnë “fantazmat” e fshehura brenda kryeveprave të pikturës!

Pse Ismail Qemali dha dorëheqjen nga kryesimi i qeverisë së përkohshme më 22 janar 1914?
Princi i zi i politikës: 50 thënie të Makiavelit

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Egli tha se nuk e njeh, kundërpërgjigjet Xheneta: E di shumë mirë se kush jam

Mbyllja e qendrave ilegale për punë sociale në veri, analistët paralajmërojnë për raportet me SHBA-në

Zelensky: Kemi nevojë për 20 sisteme raketore Patriot, do t’i paguajmë

E zgjodhi për ta rikthyer në lojë, G Bani tani ndërron mendim për Gjestin - e quan lojtar të shkëlqyer

Merz përjashton edhe një herë koalicionin me AfD - pasi Weidel thotë se duart e saj janë 'zgjatur' për t'u bashkuar me një qeveri