LAJMI I FUNDIT:

Jeta e një shqiptari në Taipei: U refuzua kudo për punë në Kosovë, Tajvani ia dha shansin e jetës (Foto)

Jeta e një shqiptari në Taipei: U refuzua kudo për punë në Kosovë, Tajvani ia dha shansin e jetës (Foto)

Pamundësia për të gjetur punë në Kosovë pasi kishte diplomuar në gjuhën angleze, bëri që ai të kërkojë mundësi punësimi diku jashtë Kosovës. Për fatin e tij, kishte marrë përgjigje pozitive nga një aplikim që kishte bërë në Tajvanin e largët.

Ky është tregimi interesant i 21-vjeçarit Shkumbin Baxhuku, nga fshati Karaçevë e Poshtme e Komunës së Kamenicës.

Baxhuku për Telegrafin flet për jetën e tij në Tajvan, për karakteristikat e Tajvanit dhe të banorëve të tij.

“Në Kosovë, i kam bërë rreth 15 aplikime me letër e dhjetëra prej tyre kanë qenë online. Asnjëherë nuk më ftuan për intervistë e lëre më të më punësojnë”, thotë ai. “Ndaj, kisha dy zgjidhje: ose ta bëja ndonjë punë jashtë profesionit tim në Kosove – si kamerier, kuzhinier, apo diçka tjetër – ose të aplikoja jashtë Kosove për punën që ndërlidhej me profesionin tim. U përcaktova për të dytën. Pas shumë aplikimeve, në fund më erdh një përgjigje pozitive nga shteti i Tajvanit, për mësues të gjuhës angleze në një shkollë private”, ka thënë ai.


Baxhuku tregon se popujt aziatik në përgjithësi vuajnë nga mosnjohja e gjuhës angleze dhe, si të tillë, ata kanë shumë nevojë për mësues të huaj.

“Tajvani është një ndër popujt aziatik me më së paku anglishtfolës”, thotë ai. “Por, fal zhvillimit ekonomit, e bashkëpunimeve të shumta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Qeveria tajvaneze ka vendosur që fëmijëve t’ju ofrohet mundësia e njohjes së gjuhës angleze, që më pas ata të mund të studiojnë nëpër universitetet më të mëdha botërore”.

Mësimdhënësi nga Kosova tregon se në Tajvan janë hapur me mijëra kurse të gjuhës angleze, e se 500 janë vetëm në kryeqytet – Taipei. Përpos ligjërimit të anglishtes, ai ka edhe angazhime tjera në këtë shtet të largët aziatik.

“Punoj në disa raste edhe si model, madje kam pozuar për disa kompani të veshmbathjeve, si dhe për një reklamë për veturën Mini-Cooper”, ka deklaruar ai.

Baxhuku nuk e njeh gjuhën e vendorëve. Me fëmijët merret vesh në anglisht, e ndonjëherë edhe me “gishta”!

“Me fëmijët qe janë mbi moshën 10-vjeçare është goxha e lehtë të merremi vesh, ngase e kuptojnë anglishten pasi kurset i ndjekin që në moshën trevjeçare”, ka theksuar Baxhaku, i cili jeton në një apartament ,për të cilin paguan 350 euro në muaj, udhëton disa orë për të shkuar në vendin e tij të punës, e që kudo e befason “mania” e vendit për pastërti.

“Nuk e sheh askund në copë letre të hedhur. Banorët këtu mund të mbajnë bërllok për 10 orë në xhepa, vetëm që të mos i hedhin në rrugë”, ka theksuar mësuesi i anglishtes. “Orari i transportit është i saktë. Çdo tre minuta vjen një tren. E, trenat janë në qarkullim nga ora 6:00 e mëngjesit deri në 12:00 të mbrëmjes. Ulëset janë të veçanta për të moshuarit dhe gratë shtatzëna. Është ky vend i teknologjisë së lartë, i arkitekturave marramendëse. Këtu është një ndërtesë 101-katëshe dhe, besoni ose jo, ashensorit i duhen 34 sekonda për t’i kaluar gjithë këto kate”.

Baxhuku tregon se shumë tajvanezë, sidomos vajzat, mendojnë se perëndimorët e racës së bardhë, janë perfektë, fakt ky që e bën të ndjehet edhe më mirë, ndërsa ajo që e irriton është trafiku është shumë i ngjeshur.

“Këtu, shoferët e skuterëve vozisin si të çmendur, thuajse janë pjesë e një video-loje”, ka theksuar ai.

Studenti nga Kosova tregon se shërbimi shëndetësor është tepër i lirë në Tajvan – nëse ke sigurim. Si shembull përmend këtë: nëse në Kosovë rregullimi i një dhëmbi kushton minimum 10-15 euro, në Tajvan mjekimi i 10 dhëmbëve kushton 10 euro.

“Sistemin e arsimit nuk kam arritur ta hulumtoj shumë, por ajo çfarë dëgjoj nga nxënësit është se ata duhet të angazhohen jashtëzakonisht shumë për ta marrë një notë pozitive. Ndaj, në gara ndërkombëtare, Tajvani ia del p.sh. të zë vendin e katërt në matematikë, të shtatin në lexim, të 13-in në shkencë…”, ka theksuar Baxhuku.

Rroga mesatare për kokë banori në Tajvan është 600-800 euro (katër euro ora), shumë kjo me të cilin secili mund të bëjë një jetë normale. Ekonomia e vendit është e bazuar në teknologji, ndërsa shkalla e papunësisë është diku rreth 4 për qind.

”Kur them se jam nga Kosova, shumica e tajvanezëve mendojnë se jam amerikan, pasi ata kurrë nuk kanë dëgjuar për shtetin tonë”, ka theksuar Baxhuku. “Në fillim është vështirë të ambientohesh, veçanërisht me kulturën dhe ushqimin e këtij vendi. P.sh. në Kosovë është normale t’ia zgjasësh dorën shokut kur e takon, por këtu ata japin përshëndetje verbale, pa kontakt fizik. Sa i përket ushqimit, duhet ditur se Tajvani si ishull varet nga produktet e detit, por si ushqim i pazëvendësueshëm mbetet orizi, duke mos i përjashtuar edhe perimet”.

Tajvani karakterizohet me llojllojshmëri të besimeve. Ndër ta ka budistë, taoistë, të krishterë, myslimanë, ateistë. Por, feja budiste mbizotëron. Ky shtet ka metropole me miliona banorë dhe densitet të madh. Në Taipei 90 për qind e banorëve punojnë, ndaj dinamika ditore është – “lëvizje e lëvizje”!

“Zakonisht, në mbrëmje dhe pas përfundimit të punës pas orës 4:00 pasdite, ka më së shumti qarkullim të njerëzve”, thotë ai.

Duke ditur rrethanat politike, pra se ky shtet pretendohet nga Kina, vendi ka mbështetje të madhe nga SHBA-të. Ndaj, ata më së shumti i duan amerikanët. Popujt që nuk i duan janë koreanët e japonezët, ndërsa më së shumti e urrejnë politikën e Kinës. Mu për këtë, ata nuk duan të quhen kinezë, pa çka që gjuha e tyre është kinezishtja.

“Personalisht nuk kam ndjekur ndonjë kurs apo shkollë të gjuhës kineze, mirëpo prej shumë miqve perëndimorë që janë këtu e që flasin kinezisht, thonë se është e vështirë për t’u mësuar dhe se duhen së paku dy vite intensive për ta përvetësuar”, thotë ai. “Deri sot, këtu asnjë shqiptar nuk e kam takuar. Pagesa varet prej kualifikimeve. Rroga minimale për një mësues të gjuhës angleze është 15 euro për orë. Po pate doktoratë në këtë lëmi, ajo shkon deri në 30 euro për orë”, thotë ai.

Baxhuku është djalë i hasretit, por duke i pasë parasysh rrethanat e hidhura për punësim në Kosovë, pati përkrahjen e familjes për ta marrë këtë rrugë të madhe drejtë Tajvanit. Për të kjo është përvojë e madhe, sidomos kur dihet se sa i avancuar është sistemi i mësimdhënies në këtë vend.


“Këtu duhet ta demonstrosh çdo gjë, ta sjellësh në praktike çdo gjë që e flet. Këtu nuk mund ta marrësh një libër të thjeshtë e t’ua lexosh fëmijëve tregimin. Thjesht, duhet të punosh që fëmijët të ndjehen se janë bashkë me personazhet e rrëfimit, se janë pjesë e rrëfimit”, thotë ai.

Tajvani është një ndër vendet më të sigurta në botë. Bashkëbiseduesi ynë thotë se këtu mundesh ta lësh p.sh. çantën me gjithçka brenda në një vend, e të nesërmen ta gjesh aty.

“Mund të shëtisësh vetëm, kudo, kurdo, sepse askush nuk të prek. Mund ta lësh hapur derën e shtëpisë, dhe prapë të ndjehesh i sigurt. Ky vend të ndihmon të jesh i pavarur e të mësosh. Këtu mësova se shtëpia jote nuk është vetëm vendi kur ti je rritur”, thotë Baxhuku, i cili si çdo shqiptar, nuk mohon se është i lidhur me familjen dhe vendlindjen. “Do të kthehem në Kosovë. Por, do të rri edhe një kohë për ta begatuar përvojën time si mësues dhe për të marrë trajnim profesional për mësuesi që të jem më i frytshëm për vendin tim”. /Blendi Devolli/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori