LAJMI I FUNDIT:

Jeremic iku i dëshpëruar nga Chicago

Me datën 17 Mars 2011 në kolegjin Wheaton të shtetit të Ilinoisit, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremic dhe stafi përcjellës i përfaqësuesve të shtetit Serb në SHBA (ambasadori serb në SHBA, konsulli në Chicago dhe kleriku ortodoks) ashtu siç kishin planifikuar me mjaft mjeshtri mbajtën një ligjëratë me temë “Identiteti, pajtimi dhe lufta për Kosovën”. Fjalimi kishte përmbajtje të zgjedhur me kujdes nga diplomacia serbe që të arrihej efekti i caktuar për audience shumë specifike në këtë kolegj. Kolegji Wheaton është njëri nga kolegjet më të njohura evangjeliste në SHBA dhe mësimet të cilat zhvillohen në këtë kolegj në thelb e kanë krishterimin dhe Jezu Krishtin si udhërrëfyes. Siç u pa më vonë audienca ishte e përbërë kryesisht nga pjesëtar të komunitetit serb në Illinois, i cili njihet si një nga komunitetet më të mëdha serbe në mërgatë.

Ligjërata filloi me një video e cila zgjati përafërsisht 10 minuta ku shiheshin xhirime specifike nga trazirat e 17 dhe 18 Marsit të vitit 2004. Menjëherë pas kësaj videoje, Jeremic mbajti një fjalim i cili fund e krye ishte fjalim i shpërndarjes së gënjeshtrave, shtrembërimit të fakteve dhe ngjyrimit të konfliktit në mes të Kosovës dhe Serbisë me karakter fetar dhe urrejtje ndëretnike, natyrisht me përjashtim të disa fjalive ku kërkonte pajtimin dhe kompromisin në mes serbëve dhe shqiptarëve. Në këtë ligjëratë spontanisht të organizuar, morën pjesë edhe tre Kosovarë që janë duke studiuar dhe punuar përkohësisht në SHBA, duke përfshirë këtu veten time, mjekët kosovar Dr. Ekrem Maloku dhe Dr. Avni Thaçi, dhe Z. David Goatas, i diplomuar nga kolegji Wheaton dhe njëherësh Udhëheqës i Komitetit të Fondit Kosovaro-Amerikan për Edukim.

Z. Jeremic filloi fjalimin duke i quajtur trazirat e 17 dhe 18 Marsit 2004 si sulm të organizuar ndaj serbëve dhe kishës ortodokse nga ana e shqiptarëve të Kosovës. Ai i përshkruante këto sulme si mire të organizuara si nga aspekti i logjistikës dhe mediave në Kosovë gjoja të mbështetura edhe nga strukturat e caktuara politike të shqiptarëve. Ai nuk hezitoi aspak që këto ngjarje t’i kualifikoj si sulm ndaj krishterimit dhe kishave të cilat për mision kanë dashurinë ndaj Zotit dhe paqen. Paraqiste Kosovën si vend i cili gjithmonë ka qenë problematik dhe shqiptarët të cilët kurrë nuk reshtën duke përdorë dhunën ndaj kishës ortodokse dhe serbëve në Kosovë, dhe se ngjarjet e organizuara më 17 dhe 18 Mars 2004, sipas tij, kishin për qëllim spastrimin kulturor dhe identitetit serb. Përmendi ngjarje, sipas tij, shumë të dhimbshme nëpër të cilat kaloi ushtria serbe gjatë rrugës për Shqipëri nëpër Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe betejën e vitit 1389 në mes ushtrisë serbe dhe asaj Osmane. Ai e quajti Kosovën “drita e syrit” dhe “Jerusalemi i Serbisë”.


Në vazhdim të përpjekjeve të Jeremicit për të “përshkruar” ngjarjet e Marsit 2004 ai përdorte thënie nga Bibla, Solomoni, Abraham Linkolni e Martin Luther Kingu dhe krahasonte qëndrimet dhe veprimet e Serbisë në frymën e këtyre aspiratave. Gjithashtu nuk la pa përmendur se, sipas tij, disa njerëz të UNMIK-ut të atëhershëm i quajtën këto trazira me emrin “Kristllnight”, term ky i cili përshkruan krimin dhe gjenocidin nazist mbi popullin Hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Jeremic përmendi gjithashtu raportin e Dick Martyt të cilin e karakterizoi si raport i aprovuar nga Parlamenti Evropian i cili përbëhet nga një numër i madh shtetesh demokratike të Evropës dhe pa hezitim konkludoi se këto krime janë kryer dhe se fajtorët duhet të nxirren para drejtësisë.

Ligjërata e tij vazhdoi me konkluzionet se shteti i vetëshpallur i Kosovës sot njihet vetëm nga 1/3 e vendeve anëtare të OKB-së, se ka një ekonomi të shkatërruar dhe jofunksionale, institucione të korruptuara fund e krye dhe kulturë të mos-ndëshkimit juridik dhe se është kryekëput i bazuar në pastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera ndaj serbëve të Kosovës. Për në fund ai foli se si sot demokracia në Serbi lulëzon dhe se shteti serb prodhon vetëm politike konstruktive ndaj problemit të Kosovës, dhe se është e vendosur që shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga shqiptarët t’i kundërvihet me mjete ekskluzivisht paqësore. Ai tha se Serbia ka ndryshuar dhe nuk do të duhej që çmimi i disa gabimeve nga politikanët e së kaluarës të paguhet nga populli serb me humbjen e territorit të vet historik. Zgjidhja e vetme sipas tij është dialogu dhe kompromisi dhe rruga e vetme për paqe është pajtimi i shqiptarëve, dhe se politika e Serbisë është e fokusuar për të arritur këto standarde.

Ligjërata ishte paraparë të përcillej me pyetje menjëherë pas fjalimit të Jeremicit dhe diskutim nga të pranishmit. Pas disa pyetjeve nga disa te pranishëm lidhur me numrin e përgjithshëm të serbëve të dëbuar nga Kosova (që për befasi Jeremic nuk e dinte këtë numër dhe tha se i duhet të shkoj ta kërkoj dhe t’i kthej përgjigje zotëriut që bëri pyetjen një herë tjetër!) fjala ju dha Z. David Goatas, i cili tha se si mik i shqiptarëve po ashtu edhe serbëve dhe i cili kishte vizituar rajonin shumë herë deri më tani, bëri dy pyetje për z.Jeremic; pse diplomacia serbe në krye me Jeremicin gjatë takimeve me botën arabo-myslimane mundohet t’i paraqes shqiptarët e Kosovës si jo-mysliman të denje dhe miq të SHBA-ve dhe perëndimit, ndërsa në anën tjetër, gjatë takimeve me botën perëndimore mundohet t’i paraqes ata si fundamentalist dhe terrorist islamik, të cilët janë kundër civilizimit të krishterë dhe atij perëndimorë? Kur do të ketë politika e jashtme Serbe një qëndrim të vetëm dhe principiel ndaj shqiptarëve të Kosovës? Dhe e dyta pyetje ishte kur ai citon krahasimet e ngjarjeve të Marsit 2004 me “Kristallnight”-in a e merr parasysh z. Jeremic faktin se i vetmi vend ku asnjë çifut nuk u vra dhe nuk iu dorëzua racistëve gjatë Luftës së Dytë Botërorë ishte Shqipëria dhe territoret e banuara me shqiptarë?.

Z. Goatas në vazhdim foli për vizitat e tij në Ballkan dhe tha se ajo qe u mundua të paraqitej këtu ishte jashtëzakonisht e njëanshme dhe e tejfryrë nga Z. Jeremic dhe politika e jashtme serbe. Në mesin e pjesëmarrësve kishte edhe figura të atilla të cilat e kishin humbur krejtësisht lidhjen me realitetin. I tillë ishte rasti i një pjesëmarrësi amerikan me origjinë holandeze, i cili nuk hezitoj t’i kualifikonte shqiptarët me terme shumë të rënda bërlloku, njerëz me mungesë edukate e arsimi dhe rrugaçë. I njëjti person deklaronte se nuk ishte serb dhe se asnjëherë nuk kishte qenë në Serbi, por kështu kishte dëgjuar nga të tjerët.

Në vazhdim siç dukej nuk ishte pritur që të pranishëm të kishte edhe shqiptarë nga Kosova dhe posa morëm fjalën disa nga ne dhe kërkuam të na lejohet kohë të paraqesim disa kundër-argumente dhe demante të tentimit të demonizimit të shqiptarëve nga politika e jashtme serbe shumë nga të pranishmit reaguan me interesim dhe kureshtje. Ndjehej edhe befasia dhe pakënaqësia e diplomacisë serbe dhe komunitetit serb të pranishëm pasi që siç dukej nuk kishin planifikuar të kenë kundërshtime gjatë kësaj afere dezinformimi. Mikpritësi i takimit përkundër kundërshtimeve të masës (kryesisht serbëve) për të mos lejuar komente, por vetëm pyetje, lejoi që të kemi një kohë të shkurtër në dispozicion.

Të pranishmit nga Kosova pas një diskutimi 5-10 minutash paraqitën një fotografi tjetër nga ajo e Jeremicit me argumente dhe fakte të cilat jo vetëm që rrëzuan dhe zbuluan të gjithë këtë farsë dezinformuse, por gjithashtu zgjuan kureshtje tek një pjesë e konsiderueshme e të pranishmeve për të bërë pyetje shtesë lidhur me ngjarjet e 17-18 Marsit 2004 dhe po ashtu edhe lidhur me historikun e mëhershëm të këtij konflikti. Kishte edhe moment kur te pranishmit ishin aq shumë të revoltuar me argumentimet e Kosovarëve saqë kërkonin të “mbyllim gojën” dhe “të mos flasim më shumë”. Kjo nxiti edhe më shumë debatin nga anëtarët e Kolegjit Wheaton që të bëjnë pyetje lidhur me të vërtetën në Kosovë dhe bëri që z.Jeremic të ndihet mjaftë “i nxënë ngushtë” dhe në shumicën e pyetjeve t’ju shmanget përgjigjeve direkte.

Z. Jeremic dhe audiencës iu shpjegua se në çfarë realisht bazohet shpallja e pavarësisë së Kosovës, se si është kualifikuar kjo shpallje nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si është zhvilluar historia e shtypjes dhe terrorit të organizuar shtetëror serb ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavi jo vetëm në vitet e 80-ta dhe 90-ta, por shekuj me radhë. U argumentua se konflikti në mes shtetit serb dhe popullit shqiptarë në Kosovë kurrë nuk ka qenë me ngjyrime religjioze dhe se kisha ortodokse serbe vuan pasojat e politikës së saj shekullore të artikuluar edhe në programet akademike serbe e të zbatuara nga shteti serb ndaj shqiptarëve. Gjithashtu u përmend toleranca fetare që ka mbizotëruar në mesin e shqiptarëve gjithmonë, dhe se intervenimi i NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë ka patur për bazë pikërisht të kundërtën e asaj çka Jeremic mundohej të argumentonte, e qe ishte spastrimi etnik dhe krimet kundër popullsisë civile në Kosovë dhe shkelja e të drejtave elementare të njeriut e organizuar nga shteti serb.

Gjithashtu u fol për përpjekjet dhe arritjet e mëdha në integrimin e serbëve në jetën politike dhe ekonomike te Kosovës nga institucionet e shtetit te pavarur te Kosovës te cilat në krahasim me 9 vite të misionit të UNMIK-ut janë shumë me të mëdha vetëm në tre vite të ekzistencës së shtetit të pavarur të Kosovës. Iu bë me dije z. Jeremic se ka harruar të përmend krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në te cilat Serbia ishte agresore dhe mbështetëse kryesore, krimet e kryera në Kosovë nga aparati shtetëror serb në mënyrë të organizuar dhe sistematike dhe përpjekjet e pareshtura të Serbisë që të minoj çfarëdo lloj stabiliteti në Kosovë dhe Ballkan përmes financimit të strukturave kriminale paralele.

Masës iu potencua po ashtu edhe fakti se raporti i Martyt është aprovuar nga Parlamenti Evropian për hetime të mëtutjeshme dhe jo si diçka që është vërtetuar, me gjithë faktin se këto pretendime janë hetuar edhe nga Tribunali i Hagës për Krime të Luftës në Ish-Jugosllavi dhe Misioni i UN-it në Kosovë, e të cilët nuk kanë gjetur fakte për të mbështetur këto pretendime me procese gjyqësore. Në fund pjesëmarrësit Kosovarë u interesuan të mësojnë se si z/Jeremic ka si pikësynim pajtimin kur politika të cilën ai e përfaqëson merret vetëm me shpërndarje të dezinformatave dhe demonizimin e popullit shqiptarë në Kosovë, është e njëanshme dhe shpërndan urrejtje etnike, fetare dhe kulturore në mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë? Ai me këtë rast u përgjigj shumë shkurt se unë jam këtu të tregoj anën time të tregimit, e anën tjetër mund ta gjeni duke përcjellë kanalin televiziv CNN për çdo ditë.

Siç duket konkludimi i të pranishmëve nga Kosova që në fillim të kësaj ligjërate se e vërteta nuk nxirret në pah me diskutim të njëanshëm dhe lejimi i debatit nga mikpritësi e “prishi” të gjithë atë konstruktim dezinformues të përgatitur mirë që më parë dhe bëri që të pranishmit të shprehin interesim për tu informuar drejt duke shfaqur rezerva të mëdha dhe dyshime thelbësore për atë që u paraqit nga Jeremic. Për befasi kishte edhe nga serbët e pranishëm të cilët pas përfundimit dëshironin të bisedonin me ne dhe të na thonë se janë të vetëdijshëm se kjo çka u tha këtu është ekstreme dhe se “politikanët kanë për detyrë të na thonë ashtu” edhe pse “ne qytetarët e dimë se është pak më ndryshe”. Pjesëmarrësit Kosovarë dhanë edhe intervistë për radiot lokale dhe zhvilluan bisedë të gjerë me studentët dhe pjesëmarrësit tjerë në një koktej rasti të organizuar pas fjalimit.

(Autori është student në Chicago Kent College of Law, i sponsoruar nga Fondi Kosovaro-Amerikan për Edukim)