LAJMI I FUNDIT:

Jam me kancer

Jam me kancer
Ilustrim

Alma Gjurgji

E shoh çdo ditë ulur mbi një karton të vjetër të kutive të ambalazhit. Aty në trotuar, pranë portës anësore të godinës së Presidencës. Nuk e di nëse e sjell dikush në mëngjes, apo mbërrin aty duke u zvarritur. Ai nuk ngjet aspak me lypësit që kërkojnë lëmoshë, madje dhe duke fshehur njërën këmbë që të ngjasojnë si të gjymtuar. Asgjë manipuluese nuk ka në qëndrimin e tij. Është për të ardhur keq.

Ndoshta nuk i ka mbushur ende të dyzetat. Disa rroba të rreckosura mbulojnë trupin e drobitur, që tretet dita-ditës. Ndërsa, gjysmën e fytyrës e ka të mbuluar me një maskë prej cope të çngjyrosur. Herë pas here mbështet kokën në murin rrethues të Presidencës. Duket sikur i vjen rëndë për situatën në të cilën ndodhet. Me sytë e lodhur dhe të pashpresë vështron kalimtarët që kalojnë indiferentë para tij, madje nuk ja hedhin as sytë. Disa qindarkave të hedhura kuturu mbi karton, u shtoj dhe unë herë pas here ndonjë të tillë. Me dhimbje has vështrimin e tij të shuar. Nuk mundet as të belbëzojë ndonjë falënderim të mekur. Madje dhe sytë mezi përcjellin një mirënjohje të veshur me petkun e pamjaftueshmërisë. E, ç’mund të bëjë me aq pak të holla? A mund ta zgjidhin hallin e ti?


Jam me kancer… një tabelë e shkruar nga një dorë e dridhur varet në gjoksin kockë e lëkurë… Jam me kancer.

E shoh mëngjeseve, ndonjëherë dhe pasditeve. Rruga për të shkuar në punë kalon pikërisht aty. Ndonëse nxitoj për të kapur autobusin e për të mbërritur në orar në institucionin ku punoj, në mënyrë të pashmangshme përjetoj trishtimin e një jete të re që po shuhet, pa përpjekjen më të vogël për ta shpëtuar. Dhe, pamundësia për ta ndihmuar atë të gjorë përplaset çdo ditë në vetëdijen time të lënduar. Nuk di si të jem e dobishme për të. Nuk e ndihmoj dot. Ata mbase po. Ata të pushtetshmit, ata të fortët që kalojnë çdo ditë me makina luksoze para syve të tij, ata të kollarisurit… Por, ata nuk shohin. Xhamat e errët dhe xhepat e fryrë ua kanë zënë pamjen. Janë kaq të verbuar dhe të pashpirt.

As ato të pispillosurat nuk munden ta ndihmojnë. Madje as t’i hedhin sytë. Të trukuara e parfumuara, përmes të qeshurash të shtirura dhe bajate, kalojnë me qesëndi para tij dhe rendin për t’u ulur në Baret e ish-Bllokut, për të zvarritur atje orë të tëra, pa asnjë kuptim, në kërkim të ndonjë të dashuri të pasur. Eh… veshjet firmato janë të shtrenjta, edhe bizhuteritë, edhe gjithçka tjetër që lidhet me jetën e tyre parazitare, të shndërruar në një paradë të gënjeshtërt dhe boshe.

E shoh çdo ditë, në pritje të jetës. Instinkti i mbijetesës me instrumentet e tij të mëshirshme, e ndikon dhe atë të ngratë. Ai nuk flet. Gojën e ka të mbuluar nga maska. Poshtë saj arrij të dalloj shkatërrimin dhe shfytyrimin që i kish shkaktuar kanceri. Dhe ai vazhdon e pret… stoik, i mbledhur grusht… Por, çfarë pret ai i gjorë? A është shtruar ndonjëherë në spital e më pas është flakur prej andej për mungesë të hollash? E shoh të shuhet dita-ditës.

Një muaj më pas, ai karton në rrëzë të atij trotuari ishte bosh. Vallë ku është ai i mjerë? Ndoshta ka mbyllur sytë për të udhëtuar drejt një vendi më të mirë se ai që i rezervoi kjo botë e pandjeshme dhe cinike. Njeri nga pastruesit e rrugëve nxitoi për ta palosur me neveri atë ambalazh, për ta flakur më pas në një kazan mbeturinash. Ai dëshmitar i dhimbjes dhe indiferencës u bashkua me plehrat e tjera. Nuk mbeti më asnjë gjurmë nga ai lëngim i gjatë në trotuar.

U largua nga kjo botë cinike, i braktisur nga të gjithë, mbuluar nga një batanije e rreckosur, aty, ngjitur me selinë e Presidentit, në shi dhe në diell… aty ku flitet për humanizmin dhe të drejtat e njeriut, aty ku jeta “vlen” me shumë se gjithçka. Askush nuk do ta ndjejë ikjen e tij, as mungesën e atij qyqari të paemër. Nuk e ndihmova dot. E për çfarë vlen keqardhja ime? Ajo nuk më bën më të mirë se të tjerët…

Në trend

Më shumë
CIA kërcënon të ekspozojë sekretet e shtetit pas politikave të Trumpit

CIA kërcënon të ekspozojë sekretet e shtetit pas politikave të Trumpit

Botë

"Qëndro i fortë, qëndro i patrembur, ti nuk je kurrë vetëm" - liderët evropianë në përkrahje të Zelenskyt pas takimit me Trumpin

Botë
Zbulohen detaje se si erdhi deri te anulimi i bisedimeve të Trump me Zelenskyn dhe largimi i tij nga Shtëpia e Bardhë

Zbulohen detaje se si erdhi deri te anulimi i bisedimeve të Trump me Zelenskyn dhe largimi i tij nga Shtëpia e Bardhë

Botë
​KosovaPress: Kjo është e dyshuara e arrestuar për spiunazh, që e zbuloi AKI

​KosovaPress: Kjo është e dyshuara e arrestuar për spiunazh, që e zbuloi AKI

Siguri
KQZ publikon rezultatet e para të votave të diasporës të ardhura me postë

KQZ publikon rezultatet e para të votave të diasporës të ardhura me postë

Politikë
Para se të shpërthente debati i ashpër - Zelensky i dhuroi Trumpit rripin e titullit kampion të Usyk

Para se të shpërthente debati i ashpër - Zelensky i dhuroi Trumpit rripin e titullit kampion të Usyk

Boks
Kalo në kategori