LAJMI I FUNDIT:

Isa i nxjerr duart prej xhepave!

Isa i nxjerr duart prej xhepave!

Isa më në fund, vet, po i nxjerr duart nga xhepat. Po pranon urimet! Pat thënë se do të fitojë, me duar në xhepa, dhe fitoi! Dorën në zemër, këtë e pat premtuar në garën për Prishtinën, në zgjedhjet lokale! Por, Prishtinën nuk e fitoi! Me një slogan: “Isë, shko prej shpisë”, ai u përcoll deri në shesh, e në zyrën e tij u vendos Shpendi! Isa me duar në xhepa u ndal në sheshin “Ibrahim Rugova”, prej ku e shihte më qartë ndërtesën e Qeverisë! Aty e ndërtoi strategjinë! Realpolitikën! Ajo që ndodhi më pas, falë Qeverisë në ikje, doli të jetë një hazard i jashtëzakonshëm me shtetin dhe qytetarët! Gati erdhi puna që “baba i kombit” të ngrihet nga gjumi e të klithë përsëri për një revolucion demokratik të vonuar… edhe këndej! Ai, si do të shohim më vonë, do të ngritet …!

Por, edhe pas fushatës, Isa nuk i nxori duart nga xhepat. Për inati! Thonë se Isa është inatçi! Inati është karburant i fuqishëm në politikë! E dinte se sipas traditës shqiptare, pa e humbur kryeqytetin nuk bëhesh dot kryeministër, prandaj ai nuk u dorëzua. I rrasi duart edhe më thellë në xhepa! E kishte premtuar edhe Kryeministrinë, në fushatë! Veç edhe “numrat” mungonin!

Kështu, gjashtë muaj me duar në xhepa, shkoi prej takimi në takim, të asaj që quhej opozitë e bashkuar, për të mbledhur numrat! Së paku me matematikën formale duke i numëruar karriget e deputetëve, numrat u bënë! Por, ku karriget e ku deputetët! Sa herë që opozita numëroheshin mes vete, dikush andej, mistershëm, i përqeshte dhe u përmendte numra të tjerë! Qytetarët e hutuar thoshin se këta ose nuk dinë të llogarisin ose janë të marrë! I kemi numrat thoshte, “shefi i shefave”! Qytetarët llogarisnin mbi tavolinë, e ata nën tavolinë! Në fund doli llogaria e bërë nën tavolinë, se aty përzihen letrat! Doli edhe letra në mëngë!


I dëshpëruar me revolucionin, Isa shkoi e u ul në karrigen e pare të cilën ia liroi paraardhësi i tij! Kështu, me duar në xhepa, i mbledhur dyfish nga një ndjenjë faji, ai nxori nga xhepi dorën e djathtë dhe nënshkroi marrëveshjen “kamikaze” me… po e dini! Mos të përmendi krejt epitetet me të cilët i ka quajtur edhe vet dikur, partnerët e zorit! Kështu nuk e fitoi Prishtinën, por e fitoi Kosovën! U bë lëmsh puna me sloganet! Pirrua i hipi kalit dhe iku nga historia! Në Kosovë nuk paska vend për mua, tha ai, dhe iku me të katra!

Pra, Isa i nxori duart nga xhepat! Jo se deshi, por nuk pat qare. Ndryshe “Thaçi 2” nuk ia bënte për hair postin e ri dhe nuk ia dorëzonte Qeverinë! Kështu, me pikëllim të thellë, në një atmosferë gati mortore u krye ceremonia e pranim-dorëzimit! Krejt kjo përcillej me muzikë! Banda po bënte muzikë! Natyrisht, krejt kjo do të ishte e pamundur pa një shtrëngim formal të duarve. E, kjo nuk bëhet me duar në xhepa! Protokoll hesapi!

Bac u krye! Pastaj pasoi një qetësi e butë, e brishtë, gati e padurueshme. Një përzierje në bark, sikur kur aterron aeroplani, pasi të jetë ndalur zhurma shurdhuese e motorëve të rendë! Në fakt, nuk durohet kjo qetësi! Askush nuk grindet më në këtë vend! As opozita madje nuk po ka energji me kritiku, së paku sa për inercion. Ka vdekur krejt skena politike. Për një çast sikur kemi dalë nga ëndrra e keqe në të cilën Zoti na kishte pas degdisur në Ferr. Atje në njërin nga rrathët e Ferrit po zhvillohej një luftë civile me numrat, pra mjete të tjera për pushtet.

Pikërisht, qetësia ia prishi gjumin “babës së kombit”! Ai nuk e duron qetësinë! Përkundër Agollit, poetit të moçëm i cili në një poezi të tij vdekjes i thotë prit pak, akademiku përgjumshëm po grindet me historinë! Pra vetë me vete! Se, të tjerët nuk janë të denjë për histori! Të gjithë janë tradhtarë! E kanë tradhtuar atë!

I ndeshur me Edipin, ai po përpëlitet në jermin e tij parapolitike! Po e kërkon një emër për krejt këtë çka ndodhi derisa ai po flinte! Kur shteti shqiptar ra në komë, ai këtë gjendje e pat quajtur revolucion! Ndërsa, agoninë institucionale, gati gjashtëmuajshe kosovare, “Ai” e la pa emër! Sidoqoftë, daljen nga agonia e quajti… tradhti! Kundërevolucion!

Por, të kthehemi te xhepat! Përse gjithë kjo zhurmë për xhepat? E dini, me siguri, se në ushtritë e rregullta, regrutët e rinj fillimisht trajnohen për disiplinë! Ata zakonisht vështirë i heqin shprehitë nga jeta civile, për me ecë me duar në xhepa. Kështu, kur ndonjë epror më i lartë kalon pranë rekrutëve, ata duhet të nxjerrin duart nga xhepat, të hidhnin duçat e cigareve përtokë dhe të qëndrojnë gatitu! Njëkohësisht duhet të bëjnë atë përshëndetjen ushtarake me dorë! Sidomos në dimër kjo bëhet me shumë përtesë! Por, ushtarët e rinj nuk i hedhin lehtë shprehitë e tyre! Kështu, për t’i disiplinuar ata, është zbuluar një metodë drakonike: u qepen xhepat. Një javë me xhepa të qepur! Kështu dënohen rekrutët e shkretë!

Kështu mendoi të bënte edhe “Thaçi 2”! Me duar në xhepa, Isa u bë simbol i rrezikut! Disa muaj me e mbajt Isën me xhepa të qepur, derisa gjërat të marrin udhë! Kjo ishte taktika! I dorëzoi karrigen, por jo edhe pushtetin! Duheshin qepur xhepat! Kështu e zgjoi nga gjumi “babën” e fjetur të kombit! Kështu mendonte t’i merrte krahët andej nga Akademia! Akademia është ajo ndërtesa futuriste, ngjitur me Ministrinë e Arsimit! Prej aty dëgjohen fare qartë të kërrhiturat …! Ah, këto ndërtimet e reja!

Kur u dëgjua kënga “Qou Rexho, qou djalo…”, Rexha u zgjua nga e kaluara dhe e kapi për këmbësh koalicionin! Por, vonë…!

Dhe, në fund fare, qershia mbi tortë: Kryeministri i andejmë, Edi Rama, ua uron këtyre këndej, pra kryeministrit të ri dhe atij të vjetrit formimin e Qeverisë së re. Pra, dy kryeministrave, si u shpreh ai! Tingëlloi provokuese dhe reale! Shumë mendojnë se Kosova tani ka dy kryeministra dhe dy qeveri! E qysh me iu përgjigjur mikut të pasherr, andej “Kalimashi” ? Ndoshta thjesht me i falënderua të dy kryeministrat e Shqipërisë: Edi Ramën dhe Sali Berishën… për urimet e ngrohta dhe vëllazërore….!

Eh, s’ka më xhepa! S’ka nevojë! Me të dy duart mbi tavolinë, Isa ia nisi me punue! Shkroi postimin e parë ne Facebook! E nisi “babën e kombit” për në Psikiatri, i tha “rrenc” …!

Po kthehemi në normalitet!