LAJMI I FUNDIT:

“Intelektualët” e oborreve të feudeve politikë

Çka është në të vërtetë intelektuali?

A është ky një person i lindur me një intelekt të jashtëzakonshëm? Nëse po a është ky gjenial? Gjenial zakonisht quhen inovatorët, fizikanët, matematicienët, kimistët etj. Intelektualë mund të jenë edhe njerëzit që bëjnë zbulime, por zakonisht të tillë janë ata që cilësohen për një metodë të lartë të mënyrës së të menduarit dhe që kanë një perceptim ndryshe për jetën, për dallim nga njerëzit e zakonshëm. Intelektualët merren me shkencë, me kulturë, me art, me muzikë, me histori ose kohëve të fundit për fat të keq më së shumti merren edhe me politikë.

Sipas një definicioni, intelektual është personi me intelekt të zhvilluar dhe me një mënyrë të posaçme të të menduarit analitik. Shpesh herë ky term (intelektual-i) shpjegohet gabimisht, sepse një pjesë e madhe e njerëzve, intelektualë i quajnë njerëzit me arsimim të lartë, ose akademikët me magjistraturë apo doktoraturë.


Thuhet se mbarimi i fakultetit absolutisht nuk është tregues i intelektualizmit, sepse zakonisht fakultetet i mbarojnë njerëzit me inteligjencë mesatare. Gjithmonë shtrohet pyetja se si ta identifikojmë një intelektual, sepse kjo është shumë e vështirë dhe shumë e diskutueshme. Bazuar në të gjitha këto dhe në definicionet e ndryshme, thuhet se intelektual është njeriu me moral të lartë dhe me një guxim të jashtëzakonshëm që pa marr parasysh pasojat, duhet të flas dhe të mbrojë me çdo kusht vetëm të vërtetën.

Çështja Dreyfus

Oficeri francez, Alfred Dreyfus, me origjinë çifute me 15 Tetor 1894 ishte akuzuar gabimisht për tradhti ushtarake ose për dhënie të sekretit ushtarak Gjermanëve, kështu ai edhe u dënua me burgim të përjetshëm, bazuar vetëm në dyshimet dhe deklaratat e ekspertëve grafolog. Përkundër faktit se nuk kishte asnjë provë për tradhti, ai u arrestua dhe u dërgua në burgun më të keq në botë, Ishujt e djallit në Guiana. Në mbrojtjen e tij doli shkrimtari më i famshëm Francez i kohës, Emil Zola duke botuar një artikull i cili ishte titulluar “Unë akuzojë” në gazetën “L’oror”, artikull i cili ishte një letër e hapur Presidentit të Republikës.

Për shkak të kësaj letre edhe vet Zola u dënua me një vit burg dhe u strehua në Angli. Kjo letër tronditi të gjithë publikun dhe si pasojë pati incidente anti-semite, dhe pati raste të persekutimit të përkrahësve të procesit Alfred Dreyfus. Vetëm në korrik të vitit 1906, Kapiten Dreyfus u rehabilitua, u kthye në ushtri dhe u gradua me gradën major. Emil Zola atëherë kishte ngritur zërin për këtë çështje duke rrezikuar gjithçka: statusin, karrierën, dhe kishte flijuar jo vetëm komforin mondan të kohës, por biles kishte rrezikuar edhe vetë jetën e tij (në këtë rast edhe kishte fituar epitetin e intelektualit), sfidë kjo që para së gjithash kërkohet nga artistët dhe punëtorët shkencorë si bartës natyror të proceseve.

“Intelektualët tanë”

Tek ne në kohën e (okupimit) “shokut Tito” për intelektualët përdorej shprehja “Inteligjencia e ndershme” siç dolën më vonë termet “shqiptar i ndershëm” dhe krejt në fund “intelektual i pavarur”. Të gjitha këto terme ishin shpikur për të bërë analogji dhe për të treguar se kishte edhe “intelektual të pandershëm” siç ishin ata që e mbronin identitetin krenarinë dhe qenien e tyre kombëtare pa fyer dhe nënçmuar asnjë popull tjetër. Pastaj kishte edhe “Shqiptarë të pandershëm” siç ishin ata që luftonin vazhdimisht pa marr parasysh sakrificat individuale dhe familjare për të drejtat e popullit të vet dhe krejt në fund kishte edhe “intelektual të varur, të quajtur ndryshe “inteligjencia e ndershme” që më mirë do të ishte të quheshin intelektual të vet varur.

Shikuar nga ky kënd ka kohë që po mendoja dhe përsiatja për “intelektualin” tonë kurse për të trajtuar më shkoqur këtë çështje më kishin nxitur dy arsye, ose më mirë të them dy zhvillime:

Zhvillimi i parë: gjatë viteve 90 kur identiteti, krenaria dhe gjeni shqiptar ndër ne ishin stërkequr deri në shuarje, kur “burrat shqiptarë” me mustaqe vesh më vesh zhvisheshin para kamerave të ndryshme televizive e private për të treguar plagët nga rrahjet e policëve serbë, në të njëjtën kohë për t’ia vu kupën çoroditjes sonë kombëtare zbuluam edhe një soj të ri të njeriut të shkolluar, të vetmin lloj në botë, modelin unikat kosovar: “Intelektualin e pavarur”. Hajde botë hajde edhe intelektual e edhe i pavarur.

Për fat të mirë Evropa dhe tërë bota ka shumë pak intelektualë, por si në të gjitha fushat tjera edhe në këtë rast ne bëmë një zbulim ndoshta epokal. Dhe kështu filluam t’i bënim degët, nëndegët, pipat, sythat, gjethet anë e kënd Kosovës të shoqatave të intelektualëve të pavarur, që nga lagjet e deri në nivel qendror. Mrekulli e zotit. Pikërisht për këtë temë më kujtohet një rast që është ndoshta më ilustruesi për këtë opinion. Kur po bëheshin përgatitjet gati përfundimtare për të themeluar një nëndegë në një fshat të një qyteze tonë, në mungesë të njerëzve të shkolluar njëri nga “intelektualët e pavarur” kishte propozuar për anëtarë kryesie një person që kishte vetëm shkollën fillore. Me kërkesën e pjesëmarrësve për ta arsyetuar propozimin e tij , “intelektuali i pavarur” kishte deklaruar se personi në fjalë kishte patentë shoferi me të gjitha kategoritë.

Zhvillimi i dytë: Historia botërore na tregon se që nga kohërat e lashta, kishte njerëz që për mirëqenien personale dhe për të qenë me ç’do kusht pjesë e oborrit mbretëror, luanin lojën e palaços, orakullit, këshilltarit, magjistarit, poetit, këngëtarit me në fjalë të lakeut të mbretit dhe oborrit të tij. A është përcjellë kjo dëshirë e marrë deri në kohërat tona? Me siguri se po. Si duket dhe si manifestohet kjo tek ne? E para: Ata “intelektualë” që i përmendëm më herët nuk patën guximin as kurajën t’i bëjnë ballë as sulmit më të vogël verbal të armikut dhe u shuan si fluskë sapuni që në fillesat e tyre. E dyta: sa kishte dhe sa ka Kosova intelektualë që veprojnë dhe sillen vërtetë si intelektualë?

Periudha e para luftës pati një lëvizje homogjenizuese me prirje intelektuale në bashkimin dhe mbrojtjen e qenies sonë kombëtare për faljen e gjaqeve, me në krye intelektualin dhe humanistin Anton Çetta. Pak nga ata që mendohej dhe thuhej se ishin intelektual iu bashkuan kësaj vepre madhështore. “Intelektualët e pavarur” të kohës filluan të preokupoheshin me krijimin e partive politike, sepse këto parti ishin si male të mëdha ku mund të fshiheshe për një kohë të gjatë dhe zakonisht kur hyn në mal askush nuk numëron se sa drunj janë të gjatë e plot hijeshi, sa të shtrembër, sa shkurre, sa dëllinja, por thuhet hyra në mal, gjithnjë duke u mbështetur në bindjen se vetë fjala mal përmban në vete madhështi.

Sidoqoftë, mbetet që në të ardhmen të bëhen studime se sa u angazhuan dhe sa ndikuan intelektualët tanë në ndonjë platformë politike apo ushtarake për luftën çlirimtare, a pati ndonjë dokument të rëndësishëm strategjik që kishte dalë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës e që do të orientonte të gjitha lëvizjet brenda dhe jashtë vendit, qofshin ato paqësore apo radikale e ushtarake, drejt lirisë dhe bashkimit kombëtar…? Përndryshe ku janë sot intelektualët tanë me objektivat, strategjitë për zhvillim ekonomik, shkencor, artistik, prosperitet demokratik ose me programet kombëtare për bashkimin e jo vetëm të të gjithë shqiptarëve, por se paku të pjesës veriore të Kosovës, idetë dhe platformat për mirëqenien e këtij populli të shumëvuajtur dhe pse jo edhe idetë humane për një paqe dhe prosperitet ballkanik, rajonal dhe ndërkombëtar?

Tani t’i biem gozhdës aty ku duhet!

Se ç’kishin vepruar “intelektualët” tanë para luftës mbetet objekt studimi për historinë por se ç’po bëjnë ata tash, ku janë dhe a ka vërtetë intelektualë Kosova këtë mund ta shohim çdo ditë.

Çfarë janë sot intelektualët së paku ata të cilët thuhet dhe mendohet se janë të tillë? Në kohërat ndryshme gjatë historisë duke filluar nga ato antike e deri tani, biçimi i “intelektualëve” të përmendur ishin dhe janë njerëz me një moral të lëkundur. Dje dhe sot (në Kosovë) këta të quajtur intelektual kishin dhe e kanë përparësinë e të qenit në institucione e sidomos është tragjikomike vardisja e tyre përball pushtetit dhe partive politike, në prehrin e të cilave janë strukur “intelektualët tanë”, e të cilët skërmiten duke pritur ndonjë kockë të hedhur, të zhvatur dhe të stërpërtypur nga bosët e feudeve politike.

Shumica e pjesëtarëve të asaj “inteligjencies së ndershme” të atëhershme dhe sotshme sillen edhe sot e gjithë ditën nëpër të gjitha institucionet, së bashku me pasardhësit e tyre (bijtë dhe bijat) dhe të afërmit tjerë të sojit e sorollopit, të cilët nuk cilësohen për ndonjë aftësi ku ta dish se çfarë por më shumë dalin në pah falë shkathtësisë së tyre kameleonë, gjenetikës së tyre ligavecë dhe ish statusit të privilegjuar të prindërve të tyre të trashëguar me testament tek këta, që ua mundësojë shkollimin falas dhe gjithkund brenda dhe jashtë vendit e që në fakt s`kanë të bëjnë aspak me vlerat, moralin, drejtësinë, inteligjencën, artin dhe mirëqenien ekonomike të popullit të tyre.

Sot “intelektualët tanë” mund t’i gjesh kudo përveç aty ku duhet të mbrohen vlerat kombëtare dhe njerëzore, drejtësia, dhe morali dhe aty ku duhet krijuar, apo aty ku mbrohet sipas të drejtës humane edhe “oborri i huaj” më tepër se sa të ishte i yti. Sot, këto çështje jetike si fondament i intelektualizmit për një shoqëri të traumatizuar nga lufta dhe në tranzicion, janë fiktive dhe jo esenciale për “intelektualët” tanë kurse ajo që i karakterizon ata është fanatizmi (politik) i sëmurë, i skajshëm dhe i devotshëm, mrizimi vegjetues apo rezignimi gjoja intelektual dhe artistik (që ndryshe mund të quhet letargji totale) si dhe barikadimi i tyre dhe mbrojtja me çdo kusht e hapësirave të kështjellave të feudeve të tyre politike, që për fatin tonë të mirë nuk përthekojnë as për afërsisht nga 10 km2., të këtij vendi të vogël të quajtur Republika e Kosovës.

(Autori është zyrtar i lartë për Planifikim Emergjent në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës)

Në trend

Më shumë
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

Magazina
Kurti tha se marrëdhëniet me SHBA nuk kanë qenë kurrë më të mira, i kundërpërgjigjet Grenell

Kurti tha se marrëdhëniet me SHBA nuk kanë qenë kurrë më të mira, i kundërpërgjigjet Grenell

Lajme
Shkencëtarët çekë zbulojnë në Shqipëri liqenin termal nëntokësor më të madh në botë

Shkencëtarët çekë zbulojnë në Shqipëri liqenin termal nëntokësor më të madh në botë

Lajme

"S'është i besueshëm për SHBA-në", Kurti e komenton deklaratën e Grenellit

Politikë
Zbulohet “plani i rrjedhur i paqes i Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë” - këto janë disa nga detajet

Zbulohet “plani i rrjedhur i paqes i Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë” - këto janë disa nga detajet

Botë
Kalo në kategori