LAJMI I FUNDIT:

Infrastruktura Kritike dhe Siguria Nacionale

Sipas shumë definicioneve të vendeve të ndryshme të botës, infrastruktura kritike përbën: asetet, sistemet si dhe rrjetet, qofshin ato fizike apo virtuale të një shteti. Të gjitha këto janë shumë vitale për një shoqëri dhe një shtet të konsoliduar, saqë mosfunksionimi apo shkatërrimi i tyre do të kishte efekt destabilizues për sigurinë, ekonominë, shëndetin publik ose për të gjitha këto njëkohësisht. Duke pasur parasysh këtë fakt, mbrojtja, siguria dhe vijimësia e veprimtarisë së infrastrukturës kritike është dhe duhet të jetë me prioritet për çdo shoqëri.

Sipas botëkuptimit tradicional, mbrojtja e Infrastrukturës Kritike nënkupton identifikimin e sistemeve dhe objekteve specifike me rëndësi të veçantë si dhe hartimin e planeve të mbrojtjes së kësaj infrastrukture. Qasja shkencore bashkëkohore është e drejtuar drejt eko-sistemit të përgjithshëm, rrjetit dhe vartësisë së tij, dhe pikërisht ekspertët e Teknologjisë Informative, kanë njohuri dhe përvoja të mëdha në fushën e rrjeteve. Sistemi i Teknologjisë Informative është faktor kyç në krijimin e ekonomisë konkurruese, me një qeverisje efikase, transparente dhe kursimtare. Sot kur po jetojmë në kohën e shpërndarjes gjithnjë e më të madhe të informacioneve elektronike, rrjeteve sociale, ose në një shumëllojshmëri të shënimeve të tjera inteligjente, një rritje e fuqishme e E-informacioneve, definon edhe vetë pjesët e Sistemit të Teknologjisë Informative si infrastrukturë kritike të rëndësishme, kurse në anën tjetër na imponohet si zgjidhje e mirë për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në kuptimin e gjerë. Zgjidhjet përmes Sistemit të Teknologjisë Informative mund të procedojnë një spektër të gjerë informacionesh, pa marr parasysh formatin, burimin, gjuhën etj., dhe këtë informatë të proceduar e bëjnë humane, të dobishme në procesin e vërtetë të punës ose në situata incidenti, atëherë kur është më se e nevojshme – në kohë reale. Gjithashtu mungesa e informacioneve të strukturuara të caktuara, me kohë dhe në vend, mund të kërcënojnë infrastrukturën kritike, shoqërore – ekonomike dhe ta shndërrojnë atë në irracionale ose të padobishme për përdorim, si p.sh furnizimin me energji, zvogëlimin e aftësisë së shërbimeve për mbrojtje dhe shpëtim. Gjithashtu, mungesa e energjisë, pasiguria për furnizim me energji, si dhe mungesa ose infrastruktura kritike jo adekuate, drejtpërsëdrejti mund të nxisin zvogëlimin e forcave mbrojtëse, në atë mënyrë që forcat luftarake, transportuese, komandimi dhe komunikimi, logjistika etj. Mos të mund tu vijnë në ndihmë forcave civile për nevojat e tyre në raste të fatkeqësive elementare, kushteve ekstreme për jetë dhe punë ose edhe në raste të ndryshme mjekësore.

Definimi dhe përcaktimi i infrastrukturës kritike, nevojë e domosdoshme


Republika e Kosovës ende nuk e ka përcaktuar me asnjë dokument, akt ligjor apo nënligjor përfundimisht se çka është infrastrukturë kritike, kujt i përket dhe kush dhe si duhet ta mbrojë atë. Për herë të parë, termi infrastrukturë kritike është përmendur në Udhëzimin Administrativ XIX/08 Mbi Metodologjinë e vlerësimit të Rreziqeve dhe Planeve për Mbrojtje dhe Shpëtim. Edhe në këtë dokument nuk përcaktohet infrastruktura kritike, por vetëm obligohen institucionet shtetërore dhe sektori privat për të bërë vlerësimin e rreziqeve dhe planet për Mbrojtje dhe Shpëtim për Infrastrukturën Kritike.

Përvojat Ndërkombëtare

Përcaktimi i Infrastrukturës Kritike sipas BE-së
Sipas BE-së Infrastrukturën kritike e përbëjnë veprimtaritë, rrjetet, shërbimet dhe të mirat materiale, teknologjia informative, prishja apo shkatërrimi i së cilës do të ndikonte në mënyrë të konsiderueshme në shëndetin, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik të qytetarëve ose në veprimin efektiv të qeverive të shteteve anëtare. Infrastruktura kritike përfshin, fusha të shumta ekonomike, duke përfshirë gjithashtu edhe bankat dhe financat, transportin, energjetikën, shërbimet komunale, shëndetësinë, furnizimin me ushqime si dhe shërbimet shtetërore kyçe. Sipas përcaktimit të Infrastrukturës në BE dhe, kryesisht edhe në vendet tjera të zhvilluara, sektorët që përbëjnë infrastrukturën kritike janë: Pajisjet energjetike dhe rrjetet, Teknologjia Informative dhe e Komunikimit, Financat, Shëndetësia, Ushqimi, Uji, Transporti, Prodhimi, Deponimi dhe Transportimi i Materieve të Rrezikshme dhe Qeverisja”.

Përcaktimi i infrastrukturës kritike në Republikën Federale të Gjermanisë (Ministria e Punëve të Brendshme e RFGJ)
“Me infrastrukturë kritike kuptojmë organizatat dhe pajisjet (të rëndësishme për shtetin), bashkësinë, të cilat ne rast të paaftësimit ose pengimit të punës së tyre do të krijohej një çrregullim domethënës dhe i gjatë në furnizim, përçarje e sigurisë publike në shkallë të gjerë, dhe do të kishte pasoja tjera dramatike për sigurinë publike”. Përveç këtyre, infrastrukturën kritike e përbëjnë edhe: sistemet e furnizimit me ujë të pijshëm, sistemet e energjisë elektrike si dhe sistemi shëndetësor publik dhe pajisjet e tyre.

Përcaktimi i infrastrukturës kritike dhe resurseve kyçe në SHBA
Në SHBA infrastrukturë kyçe kritike konsiderohen të mirat, sistemet dhe rrjetet, qofshin materiale apo jo materiale (fizike ose virtuale), aq të rëndësishme për SHBA-në, saqë paaftësimi ose shkatërrimi i tyre veç e veç apo ne kombinim, do të dobësonte sistemin e sigurisë nacionale, sigurinë ekonomike nacionale, dhe sigurinë e shëndetit publik. Me Direktivën e Kryetarit të SHBA-ve me shenjën 7 (“HSPD 7Abstract-USA), janë përcaktuar parametrat për themelimin e sistemit të mbrojtjes së këtyre resurseve nga sulmet terroriste. Direktiva presidenciale nr 7 e Sigurisë së Atdheut (Homeland Security Presidential Directive 7), krijon një politikë kombëtare për departamentet federale dhe të agjencive për identifikimin dhe prioritizimin e infrastrukturës kritike, për ta mbrojtur atë nga sulmet terroriste. Direktiva përcakton kushtet përkatëse dhe shpërndan 31 deklarata të politikave. Këto deklarata të politikave përcaktojnë se çfarë mbulon Direktiva dhe rolet e ndryshme që do të luajnë agjencitë federale, shtetërore dhe ato lokale në mbrojtjen e infrastrukturës kritike.”

Renditja në listat indikative të infrastrukturës kritike në vendet evropiane dhe botërore
Thuaja se të gjitha shtete e zhvilluara të botës në listën e identifikimit të Infrastrukturës kritike në vendin e parë e kanë vendosur Energjinë, pastaj telekomunikimin, shërbimet e ndryshme si ato shëndetësore, transportin, dhe qeverinë. Për dallim prej Zvicrës dhe Suedisë që ushqimin e kanë renditur mjaft poshtë, SHBA-ja ushqimin e ka renditur në vendin e katërtë kurse menjëherë pas ushqimit e ka renditur bujqësinë si infrastrukturë kritike. Po ashtu edhe Australia dhe Holanda ushqimin e kanë renditur në vendin e katërtë kurset vendet tjera, ushqimin e kanë renditur në fund të listës së Infrastrukturës kritike ose fare. Thuaja se çdo vend i fuqishëm në Evropë dhe Botë telekomunikimin e ka renditur në vendin e dytë kurse uji si infrastrukturë kritike, më së larti është i renditur në Britaninë e Madhe (tetë), Suedi (tetë) dhe SHBA (dhjetë). Në mesin e shteteve si Kanadaja , Britania e madhe, SHBA-të, Gjermania, Suedia, Norvegjia dhe Holanda, vetëm Zvicra nuk e ka renditur në vendin e parë Energjinë por objektet dhe Shërbimet.

Sektori i Energjetikës si infrastrukturë kritike dhe Siguria Nacionale

“ Siguria energjetike pasqyron pjesën e rëndësishme të sigurisë nacionale të çdo vendi. Qasja ndaj energjisë dhe burimeve energjetike si dhe ndikimi i infrastrukturës kritike janë të një rëndësie të madhe, si për kualitetin e jetës të popullsisë në përgjithësi të një shteti, po ashtu edhe për ekonominë dhe sektorin publik. Gjatë historisë, shpesh, kontrolli ndaj burimeve energjetike ishte shkak i konflikteve shoqërore dhe krizave të sigurisë, kështu që nuk duhet të habitemi që aspekti gjeopolitik i sigurisë energjetike është shumë i theksuar në strategjitë e sigurisë së shumë shteteve të botës. “Kjo çështje përveç që pasqyron kërcënim për sigurinë regjionale dhe nacionale, ka edhe një aspekt tjetër, ai i lidhur me sigurinë e ambientit.” Prishjet në sistemet energjetike dhe infrastrukturën kritike, mund të sjellin deri të ndotja e ambientit në një shtrirje që mund të lëviz nga incidentet lokale deri tek katastrofat ekologjike, sikurse ajo e Çernobilit.

Në anën tjetër sociologjia bashkëkohore me shumë arsye bindëse, flet për shoqërinë moderne si “shoqëri rreziku”, në të cilën rreziqet e caktuara kërcënojnë individët dhe grupet e caktuara më shumë se sa rreziqet e jashtme. Për këtë duhet ta kemi në mendje se, pyetja e kontekstit shoqëror për mbrojtje dhe siguri të infrastrukturës kritike energjetike, shtrohet në momentin kur të gjitha faktet dëshmojnë se aspektet institucionale dhe zhvillimore të “infrastrukturës nacionale energjetike”, nën ndikimin e marrëdhënieve ndërkombëtare (globalizimit), janë të ndërvarura nga prodhuesit dhe shpenzuesit më të mëdhenj të energjisë në Evropën e integruar. Marrëdhëniet e reja të ndikuara nga integrimet Evropiane sjellin nevojën e rishikimit të strategjive kombëtare energjetike dhe dilemat për mundësinë e pavarësisë për furnizimin me burimet kyçe, për rolin e shtetit në zhvillimin aktual dhe afatgjatë të sektorit elektro-energjetik, si dhe marrëdhëniet në mes infrastrukturës energjetike (si segment i infrastrukturës kritike) dhe sigurisë nacionale. Për këtë arsye sot më shumë se asnjëherë tjetër, është me rëndësi të disponojmë me vlerësime relevante teknike-teknologjike, për mundësitë potenciale të rrjeteve energjetike që kemi si dhe përdorimin dhe ruajtjen e stoqeve të disa llojeve të burimeve. Kështu pra, vazhdimisht duhet të jemi të vetëdijshëm se Sistemi Energjetik është një komponent i rëndësishëm i sigurisë nacionale për secilin shtet. Disponueshmëria e energjisë dhe burimeve të energjisë si dhe efikasiteti i infrastrukturës kritike kanë një rëndësi të veçantë, fillimisht për ekonominë e një vendi por edhe për të gjitha segmentet tjera të shoqërisë, e në këtë kontekst edhe çështjet e sigurisë energjetike dhe infrastrukturës kritike, detyrimisht kanë edhe karakter multi disciplinar.

Mbrojtja e infrastrukturës kritike

Për tu definuar infrastruktura kritike në mënyrë kualitative, për ta mbikëqyrur dhe zhvilluar atë, së paku duhet të ketë një autoritet institucional i cili do të merrte pronësinë, përgjegjësinë dhe autoritetin. Natyrisht se do të nevojitej edhe drejtimi strategjik i këtij segmenti për arsye të hyrjes në integrimet e reja dhe arritjeve të reja dhe të mëdha teknologjike, të cilat gjithmonë dhe gjithnjë e më shumë i ndryshojnë kushtet e të bërit biznes me qëllim të ruajtjes dhe forcimit të infrastrukturës aktuale.

Duhet ta kemi parasysh se zhvillimi teknologjik ka ndryshuar edhe mënyrën e të bërit biznes, menaxhimit dhe udhëheqjes politike si dhe kuptimin e sigurisë nacionale dhe publike. Gjithashtu teknologjia është bërë më e lirë, më e sofistikuar dhe më e arritshme por që mund shndërrohet në një instrument potencialisht të rrezikshëm, që është vështirë të kontrollohet. Për këtë arsye është e domosdoshme që të krijohen parakushtet për zvogëlimin e rreziqeve nga aktivitetet negative dhe pasojave në infrastrukturën kritike. Çrregullimet në veprimet kontinuale të institucioneve dhe infrastrukturës kritike, mund të jenë me pasoja të mëdha në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit. Infrastruktura kritike në vete ngërthen subjektet nga sektori publik dhe privat, shpërndarjen, rrjetet dhe informacionet të cilat sigurojnë qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, e që janë jetike për stabilitetin e sistemit ekonomik, shëndetit publik dhe funksioneve strategjike te vendit.

Ndërprerja e funksionimit në një segment të caktuar ose në sistemin e infrastrukturës, mund të sjell ndërprerjen ose mos funksionimin e sisteme ve tjera, dhe kështu në mënyrë të kombinuar të nxisë pasoja afatgjata në sistemin qeverisës, ekonomi, shëndet publik, siguri, siguri nacionale dhe në besimin e publikut. Në grupin e infrastrukturës kritike hyjnë edhe deponimi dhe transporti i naftës dhe gazit, bankat dhe financat, transporti, furnizimi me ujë, shërbimet emergjente (përfshirë edhe ato mjekësore, të policisë, zjarrfikjes dhe shpëtimit), si dhe qeveria. Tema e infrastrukturës kritike është e pa tejkalueshme viteve të fundit, sidomos në literaturën shkencore, duke filluar që nga parandalimi i rreziqeve dhe katastrofave deri te mundësitë e veprimeve të dëmshme, nga aktivitetet njerëzore. Me elementet e Infrastrukturës kritike përballemi në të gjitha fushat e aktiviteteve tona të përditshme. Në qoftë se nuk e kuptojmë rëndësinë e kësaj teme si prioritet në proceset e e vendim marrjes së lartë, frika nga investimi i pamjaftueshëm në infrastrukturën kritike do të jetë e arsyeshme, kurse ekonomia do ti nënshtrohet një rrezikut të madh.

Parakushti i zhvillimit kualitativ dhe ndërlidhja e të gjitha segmenteve të sigurisë së infrastrukturës kritike, fillon në shumicën e rasteve me sistemet e lidhura ngushtë ndër vete ose që janë të ndërlidhura me sistemet publike. Problemi thelbësor nga i cili rrjedh identifikimi i domosdoshëm i infrastrukturës kritike, mund të ilustrohet me faktin se sulmi në një segment të caktuar të infrastrukturës kritike, vetvetiu krijon dëme të shumëllojshme dhe të mëdha, sepse një sulm relativisht i vogël në një objekt të infrastrukturës kritike, mund të ketë pasoja të mëdha dhe të dëmtojë shumë segmente tjera, të infrastrukturës kritike, të ndërlidhura së bashku.

Përmbyllje

Me proceset e integrimit Evropian inicohen edhe kërkesat për ndërlidhjen e infrastrukturave regjionale në tërësinë e infrastrukturës Evropiane. Në këtë drejtim rëndësi e veçantë i kushtohet infrastrukturës kritike si bartëse e zhvillimit ekonomik stabil dhe marrëdhënieve shoqërore. Me definimin e kornizës së infrastrukturës kritike Nacionale, do të shohim se kjo infrastrukturë është një sistem kompleks i përbërë nga potenciali njerëzor, objektet fizike dhe lidhjeve të tyre përmes sistemeve të teknologjisë informative. Pikërisht kjo e fundit, industria e TI-së, është e domosdoshme dhe është faktori kyq, për shkak të aftësisë së saj sinergjike në ndërlidhjen e degëve të ndryshme shoqërore dhe ekonomike që tradicionalisht janë konservative. Është me rëndësi të dihet roli i deri tashëm shumë i rëndësishëm i sektorit të teknologjisë informative në modernizimin dhe transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë.

Jemi dëshmitar të trendeve në rritje të rrjeteve sociale si Facebook, YouTube dhe blogjeve të ndryshme … Kurse kemi parë shpesh se gjatë ndodhjes së incidenteve të mëdha ose katastrofave, njerëzit kanë reaguar në mënyra të ndryshme, kryesisht duke shfrytëzuar të gjitha resurset e mundshme për mbrojtje dhe shpëtim.- dhe natyrisht edhe këto rrjete sociale. Kur të mbijetuarit nga këto fatkeqësi i kishin pyetur se çka ju mungonte më së shumti, ata ishin përgjigjur: Uji dhe informacionet. Prandaj, në mënyrë përmbyllëse mund të konstatojmë se për një mbrojtje të suksesshme të infrastrukturës kritike, jo vetëm në kushte ekstreme, është i domosdoshëm përcaktimi dhe definimi i infrastrukturës kritike, definimi i pronarit, hartimi i planeve sektoriale për mbrojtje, hartimi i Planit Kombëtar për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, informatizimi i shoqërisë dhe ngritja e vazhdueshme e njohurive nga Teknologjia informative si dhe vetëdijesimi për rëndësinë e rrjetëzimit të të gjitha sistemeve të infrastrukturës kritike.

(Autori është udhëheqës i Divizionit të analizave dhe planifikimit emergjent në Agjencinë e menaxhimit emergjent të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës)

Në trend

Më shumë
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

G Bani dhe Gjesti thyejnë një nga rregullat bazë të BBVA, futen të dy bashkë në tualet - pritet zarf i zi në shtëpi

Magazina
Kurti tha se marrëdhëniet me SHBA nuk kanë qenë kurrë më të mira, i kundërpërgjigjet Grenell

Kurti tha se marrëdhëniet me SHBA nuk kanë qenë kurrë më të mira, i kundërpërgjigjet Grenell

Lajme
Shkencëtarët çekë zbulojnë në Shqipëri liqenin termal nëntokësor më të madh në botë

Shkencëtarët çekë zbulojnë në Shqipëri liqenin termal nëntokësor më të madh në botë

Lajme

"S'është i besueshëm për SHBA-në", Kurti e komenton deklaratën e Grenellit

Politikë
Zbulohet “plani i rrjedhur i paqes i Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë” - këto janë disa nga detajet

Zbulohet “plani i rrjedhur i paqes i Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë” - këto janë disa nga detajet

Botë
Kalo në kategori