LAJMI I FUNDIT:

I kanë hangër mollët, Mark!

I kanë hangër mollët, Mark!

Hyn në kopshtin e “Zuckerbergut” dhe e bën jetën me lule. Krejt zhvillohet në server. Tingëllon paksa si në “Matrix”, nëse ende e kujtoni konceptimin e jetës nga filmi i famshëm. Jemi zgjuar nga realiteti dhe e kemi kuptuar që ne jemi veç një lidhje në internet dhe një profil pa fotografi. Vëje një fotografi dhe… shkelja!

Krejt paska qenë veç ëndërr e bukur dhe e trishtë njëkohësisht! E, këtu, mllefin mundesh me e zbrazë pa limit. Krejt imagjinatën mundesh me e përdorë për me kriju ngrehina të tipit “00,01,10,11”, dhe hapësira vjen duke u zgjeruar pafundësisht! E kemi zbuluar universin mbi tavolinën tonë! Me laps e fletore!

Kufijtë e universit janë kufijtë e imagjinatës tënde! Këtu e kuptojmë sa i madh ishte Ajnshtajni! “Më e rëndësishme është imagjinata, sesa dija”, thoshte fizikani më i madh “ever”, i cili pat ngelur në klasë pikërisht nga fizika oficiale.


E, përmes sloganit “Lidhu me Kosovën”, na fton vet kryeministri, në profilin e tij në Facebook! Do të lidhesh me Kosovën, ngado, kudo që të jesh? Nuk ka derë tjetër përpos te profili i kryeministrit! Bëje llajk dhe je “in”! Edhe nëse je në qendër të Prishtinës, kot! Nuk ka qasje tjetër! Kosova nëpër të cilën ti ecë, nuk ekziston! Nuk ke qasje! Sepse, nuk e ka aprovimin ndërkombëtar! Dyshohet se vet Baronesha user-in e profilit të vet, mbase e ka: Me&Hashim&Ivica! E passwordi: Nobelprice2014!

Pra, ai është vet Kosova! Luigji i XIV-të thoshte: “Shteti jam unë”! Ky thotë: “Kosova jam unë”! Aq është i lidhur me Kosovën! E do… për vete! “Pas meje do të mbetet shteti”, thoshte Luigji! Por, as ky i yni nuk mundet me leju që Kosova me mbet në duar të pasigurta, pas tij! Këtë “pas tij” merreni në kuptimin politik! Ndoshta Bacës Adem edhe ia kishte lënë Kosovën në besë, por baca është pensionist! Kujt ia len ai, pastaj?! Baca e kaloi testin e besueshmërisë, se po thotë: Prapëseprapë ma i miri është Hashimi”! Nëse nuk e kanë keqkuptuar, sërish!

Nëse do me u lidhë me Kosovën, pra dera virtuale është andej nga profili i tij! Pikat kufitare janë veç iluzion dhe shërbejnë veç për zhdoganime për ata që s’kanë kurrfarë lidhje me Kosovën virtuale! Se, Kosova reale është veç transit! E Hashimi – server!

OK, pajtohem se fjala server është tepër teknike për një kolumne të kësaj natyre! Ju lutem, shiheni si term politik. Server politik – aty ku zhvillohet krejt aktiviteti virtual i popullit tonë të lavdishëm dhe i qeverisë tonë perfekte. Perfekte në papërsosmërinë e vet! Aty zhvillohen luftëra të mbetura përgjysmë, në fushëbeteja reale! Aty vazhdohen dashuri të konsumuara në ndonjë motel të lodhtë skaj rruge! Aty vazhdohen ëndrrat që ikin porsa bie zilja e telefonit për t’u zgjuar. Aty hoxhë Shefqeti e hoxhë Irfani na mbajnë ders ! Aty… këndon edhe ajo, qysh e pat emrin? Po, “Kallashi”!

Kështu funksionon “Bahçja” e Zukerbergut”! Kopshti ireal i Edenit! Kopshti që na e lëshoi për përdorim, “always free”, për me u ngushëllu nga oborret tona politike përplot me thera. Kopshti ku mundesh me i hangër mollët e mëkatit dhe prapë nuk të largojnë nga parajsa!

Pra, te ne çdo gjë është politikë! Nëse nuk është politikë, nuk është as biznes. As kulturë! As lajm në media! Edhe stinët! Edhe pranvera është politikë! Disa e paralajmëruan se po vjen pranvera kosovare! Edhe i thanë Hashimit – ik! Por, edhe modeli “Hashim, ik” nuk përmban ndonjë vizion përpos ëndrrës për një Kosovë ekologjike! Pa këtë Qeveri! E kanë ndotë politikën me improvizime me hipokrizi! Me slogane të pareciklueshme, me foto “selfie” që kanë me mbet në kujtesën tonë sikur një përpjekje për shpëlarje truri.

Lëvizja “Hashim, ik”, në ditën e pranverës i mblodhi pesë veta… plus organizatori! A janë këta veç dallëndyshet e para?! E, protesta ishte gjithëpopullore, po aq sa edhe Qeveria! Populli i këqyrë punët e veta, vëlla! Llajk ati, e llajk këtij! Populli është i urtë!

Kështu, kryeministri e ka shpallë diktaturën në Facebook! Në parti kanë marrë urdhër, me ba të gjithë nga një “selfie”! Me e ba gjithëpopullore. Edhe vajzat e militantëve të partisë e të qeverisë, që do të linden këto ditë, më nuk do të quhen Selvije po “Selfie”. E djemtë – “Selfi”! U rritshi me prindër! Veç në opozitë! Kështu uron opozita!

“Lidhuni me faqen time, lidhuni me Kosovën”, kështu përplot zemërgjerësi ofrohet kryeministri! Bane llajk njëherë, të pëlqeu apo s’të pëlqeu! Nuk mundesh me u lidhë me Kosovën, pa e ba llajk këtu!

Ju, qytetarë të dashur, nëse doni të lidheni me Kosovën, lidhuni me të direkt! Jo me partinë, zëvendësin apo të gjithë nënkryetarët! Pse me ba “bajpasa”! Pse me e kompliku procedurën dhe me e ngarku rrjetin! Bëjani llajk dhe tashmë jeni lidhur! Tashmë edhe ju jeni Kosovë!

Nëse nuk ia bëni llajk, e keni “conecting error”! Mund të jetoni në mes të Prishtinës, por kot! Vendi që po e kërkoni nuk ka qasje në rrjet. Nuk ka kod të vetin! Duhet me u kyç përmes Monakos apo Sllovenisë! Ose, përmes profilit të kryeministrit në Facebook! Bane llajk pra!

Nëse doni rrugë alternative për me u lidhë, mundeni me u lidhë veç me ndonjërin nga snajperistët virtualë! Ata që “vrasin” profile! Ata që të komentojnë sa herë ti e xhelozon shefin e tyre! Kur je në qejf, ata ta bëjnë bajat! Kur je i dëshpëruar, ata ta ofrojnë litarin! T’i përmendin rrobat e lara apo të palara që i ke vu në litarë me u terë! E qysh, e si?!

Sapo të klikoni, në profilin e tij, hapet para jush parajsa! Rrugë, rrugë dhe vetëm rrugë! Me hy dhe me dalë sa më shpejt prej parajse! Rrethrrotullime në çdo kthesë, sa tan ditën je me marramendje! Shpesh je nisë për diku tjetër, e përfundon te profili i kryeministrit! A thu çka ka thënë sot, se marum prej serioziteti! Edhe traktorit po i ngrah! “Zgjohet herët me agim, traktoristi… Hashim”!

Edhe ai është Kosovë! Ai është Kosova vet! Qysh po e shihni edhe vet, kryeministri i vendit është një person shumë modest! Vendi i vet i duket krejt i vogël – baras me të!

Në fund fare, veç një zgjidhje po e shoh! Se vota u ble! Mos ma zini për të madhe! Mos thoni si për Bacën: “Eh, burgu”! Unë propozoj me i shkru Markut! Zukerbergut! Menaxherit të parajsës së quajtur Facebook! Me i thanë, me e përzan Hashimin nga parajsa! I kanë hangër mollët, Mark!