LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj vlerëson përkrahjen e Bullgarisë

Hoxhaj vlerëson përkrahjen e Bullgarisë

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Bullgarisë, Bobi Bobev, të cilin e ka njoftuar për proceset në Kosovë, forcimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.

Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese evropiane.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e Bullgarisë.

Hoxhaj vlerësoi në veçanti mbështetjen e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit dhe pjesëmarrjes së Kosovës në të gjitha nismat dhe mekanizmat rajonal, duke kërkuar vazhdimin e përkrahjes në këtë drejtim.


Ambasadori i Republikës së Bullgarisë, Bobi Bobev, ka vlerësuar progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të shtetit të tij për Kosovën.

Ministri Hoxhaj dhe ambasadori Bobev kanë biseduar edhe për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy shteteve, duke shprehur vullnetin e dyanshëm për fuqizimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë. /Telegrafi/