LAJMI I FUNDIT:

Hipokrati dhe hipokriti!

Hipokrati dhe hipokriti!

Mu kujtua thashethemja se në hyrje të burgut në Stamboll shkruan: “Këtu nuk ka Zot”.

Ndoshta nuk është thashetheme, por unë e kam vetëm me të dëgjuar!

Kështu mund të shkruhet lirisht edhe në hyrje të QKUK-së! Po e dini kuptimin e këtij akronimi?! Qendra Klinike Universitare e Kosovës! Aty njerëzit shkojnë me të njëjtin vullnet sikur ndër varreza. Pra, nuk shkojnë vet! I dërgojnë me pahir. Megjithëse shkuarja në varreza di të jetë edhe e dinjitetshme!


Kjo nuk ka të bëjë me shëndetin, por me sëmundjen! Sëmundjen politike!

Siç e dini, shëndetësia ndër ne, si të gjitha aktivitetet e tjera publike, është një fushë shumë e organizuar! Të gjithë janë të organizuar kundër QKUK! Kur ndonjë pajisje e shtrenjtë e blerë me paratë e buxhetit publik arrin në QKUK dhe fillon të funksionojë, krejt qohen në këmbë. Bëhet tollovi. Është gratis! Qohen në këmbë edhe personeli që punon në dy frontet njëkohësisht! Atë publik dhe atë privat! Partneritet publiko-privat, joformal!

Kuptohet, pajisja e shtrenjtë prishet shpejt. Pastaj fillojnë premtimet për radhën e gjatë të pacientëve! Këtë javë rregullohet, se është dërguar në Evropë! Zakonisht, për ndonjë prishje banale! Ata që kanë para, nuk presin! Kalojnë te alternativa private. Pra, shëndetësia është e organizuar!

Po të ishte krim, do të mund të quhej i organizuar! Gjithsesi! Por, është shëndetësi! Kush ka para nuk mbetet keq! Pra, kjo nuk vlen për ata që u duhet më së shumti, pra për pensionistët!

E krejt kjo është veç një mosfunksionim i organizuar! Me rëndësi që tregu i ilaçeve dhe spitaleve private funksionon perfekt! Jetojnë nga mosfunksionimi i QKUK!

Por, ministri nuk mendon ashtu. Ai mendon se ka bërë shumë për shëndetësinë!

Për shembull dikur për një stendë duhej udhëtuar jashtë: në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, e madje edhe në Shqipëri! Tash nuk ka nevojë! Përse të ikin jashtë… paratë! Edhe këtu mundesh me i vu sa të duash! Pate apo nuk pate nevojë! Specialistët të këshillojnë gjithqysh me e vu! Pastaj, stenda nuk i bënë dëm as atij që nuk ka nevojë… por, ka para! Preventivë, thonë! Ka ecë, shëndetësia!

Përndryshe, ministri i Shëndetësisë është një besimtar i devotshëm. Këtë e thekson rregullisht! Pacientët e kanë kuptuar se për shëndetësinë te ne, veç Zoti mundet me ba diçka! Këtë e ka kuptuar edhe kryeministri i preokupuar kryesisht me rrugët! Slogani tij kur e vendosi ministrin, ishte: mjeku mjekon, e Zoti shëron! Më parë flitej për natyrën si shëruese! Edhe për Hipokratin! Tash përmendet edhe hipokriti!

Më tha edhe dikush që e njeh nga afër, se ministri i Shëndetësisë ka qenë edhe në haxhillëk! Zoti e shpërbleftë! E në QKUK – e pyeta këtë mikun – a ka shkuar ndonjëherë, ministri?

Nuk e kuptova se a ka shkuar ndonjëherë në QKUK, ministri i Shëndetësisë ?!

Me siguri jo, mendova! Përndryshe aty duket si një nga sektorët e Ferrit. Njëri nga rrathët e famshëm të tij. Tash nuk do të guxoja të luaja me numrat dhe nuancat për të thënë se cili rreth i ferrit është QKUK-ja?!

Keni parasysh situatën kur një i sëmurë me rrezik për jetën, kthehet në shtëpi sepse i thonë: tash nuk mundem me e que tjetrin prej krevati e me të vendosë ty. E tjetri ka shumë gjasë që është vendosur aty me intervenim nga lartë! Ose kur pacienti e thërret me celular pacientin tjetër që të kthehet, sepse po duan me ia zënë krevatin. Se ka shkuar të pastrohet në shtëpi! Të sëmurët rëndë shkojnë të pastrohen në shtëpi! Duhet të jenë të pastër për vizitën mjekësore, kur të dalin para mjekut!

Me rëndësi është se tash, kur shkohet në QKUK, shkohet nëpër magjistralen e cila u kushtoi taksapaguesve gati një miliard euro! Një komb që e ka një autostradë të tillë dhe njëkohësisht ka një klinikë qndrore të tillë është për studim të veçantë psiko-patologjik, do të thoshte ndonjë i huaj, normal! Nëse jo kombi, atëherë Qeveria, me siguri! Por, të huajt e përkrahin Qeverinë! Pastaj na thonë se çdo komb ka qeverinë që e meriton! Hmmm…!

Pra, në QKUK-në publike për pacientët kujdeset Zoti edhe familja. Personeli nuk është për të ofruar kujdes. Se, ministri mendon se pacienti ka gjini! Për të as në shtratin e vdekjes nuk guxon të kujdeset personeli i gjinisë tjetër! Se, larg qoftë, kjo prek në moral!

Shteti që merr paratë nga taksat tona dhe mban një armatë burokratësh të shëndetësisë, ka dështuar. Veç institucioni i familjes nuk dështon ende! Kështu, në QKUK për secilin pacient të sëmurë më rëndë domosdo familja organizon kujdestari! Shteti ka punë të tjera.

Kështu, institucioni i familjes duhet të mblidhet dhe të bashkëpunojë me repartin përkatës të QKUK-sl. Familja e gjerë vihet drejtpërdrejtë nën urdhrat e mjekut kujdestar! Ai mendon për të mirën e pacientit. Këtu s’ka kurgjo, thotë ai! Pasi e bënë vlerësimin fillon rekomandimet: filan klinika private ka aparatura moderne! Filan mjeku pasdite punon në klinikë private, e aty ka mundësi më shumë! Por, shëndeti është biznes!

E, kur rastiste që pacientët të flenë, anëtarët e “shëndoshë” të familjes kënaqen. Dalin e shëtisin nëpër korridor dhe bisedojnë me zë të lartë për politikë.

“Mirë e ka ministri i Shëndetësisë”, po thoshte njëri. “Ezani nuk është zhurmë”! “Motrat medicionale nuk duhen të kurojnë pacientët meshkuj! As meshkujt, femrat”, tjetri kundërshtonte!

Ministri është besimtar, kujdeset për Zotin! Për pacientë kujdeset Zoti, vet! Rreth i mbyllur, përsëri!

E, QKUK është vendi nga ku të gjithë duan të ikin. Sidoqoftë, në secilën klinikë një armatë burokratësh t’i merr për të 100-tën herë të gjitha shënimet e mundshme. Nuk mund të thuhet se shteti nuk është i informuar!

Kështu, e kuptova se në Klinikën tonë të famshme universitare, kishte më shumë të shëndoshë se sa të sëmurë. Tre të shëndoshë sëmuren nga familja, për t’u shëruar një i sëmurë! Kjo është norma! Ata që nuk i kanë tre anëtarë të shëndoshë, shpëtojnë me më pak dëme!

Kështu, duke kaluar nëpër portën kryesore të QKUK-së, ku një personel i sigurimit privat të merr një euro për parkingun që nuk e gjen dot, po kërkoja me sy se a ka ndonjë slogan, në hyrje të klinikës! A përmendet ndokund Hipokrati? Apo quhej Hipokriti?

Mu kujtua thashethëmja për burgun e Stambollit dhe slogani në hyrjen e tij: “Këtu nuk ka Zot”!