LAJMI I FUNDIT:

Hamza: Kosova ka nevojë për rritje 7 % për t’i absorbuar të rinjtë

Hamza: Kosova ka nevojë për rritje 7 % për t’i absorbuar të rinjtë

Kosova ka pasur rritjen më të madhe ekonomike nga vendet e rajonit, rreth 3.8 për qind, vitin e kaluar. Por, ekspertët e kësaj fushe pajtohen se kjo nuk është e mjaftueshme në rastin e Kosovës, për ta zvogëluar normën e papunësisë, përmirësuar deficitin tregtar dhe indikatorët e tjerë ekonomikë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, në një intervistë për Ekonomia Online, shprehet optimist se më 2016, dhe vitet në vazhdim, rritja ekonomike do të jetë më e madhe se 3,8 për qind, nëse implementohen suksesshëm projektet si Brezovica, projektet e investimit në energji, në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe projektet e tjera të ngjashme.

Por, Hamza thekson se Kosova, sipas vlerësimeve, ka nevojë që të ketë një rritje ekonomike minimale prej 7 për qind me qëllim që t’i absorbojë gjeneratat e reja dhe t’i fusë në tregun punës.

Në këtë intervistë për EO, guvernatori Hamza flet për performancën e sistemit bankar në vitin 2015 dhe trendet e këtij fillimviti. Sipas tij, viti 2015 ka qenë ndër më të mirët për bankat, që kanë pasur rritje të kreditimit, depozitave dhe të aseteve.


Kreditë joperformuese në Kosovë, po ashtu, janë më të ulëta në rajon – vetëm 6.2%; ndërkohë që në rajon janë në shifra dyshifrore. Por, një pengesë për uljen e normave të interesit vlerësohet vonesa e zgjidhjeve të kontesteve gjyqësore. Aktualisht, në gjykata presin të zgjidhen mbi 10 mijë lëndë.

Hamza flet dhe për remitencat nga diaspora, të cilat vitin e kaluar llogaritet se kanë qenë mbi 700 milionë euro, duke i dhënë një injeksion zhvillimit ekonomik të Kosovës. Këto remitenca, në të ardhmen mund të bien, prandaj duhet të kanalizohen më shumë në investime.

Cila ishte performanca e sistemit bankar në vitin 2015 dhe cilat janë trendet e këtij fillimviti?

Hamza: Sa i përket vitit 2015, sektori bankar ka pasur një performancë të mirë. Kemi pasur rritje të kredive që ka qenë rritja më e madhe në vitet e fundit, mbi 6%, kemi pasur rritje të aseteve. Është shumë inkurajues fakti që kemi pasur rritje të depozitave rreth 6% edhe pse e dimë që normat e depozitave janë të vogla, sillen prej 0,8 deri në 1 % dhe profiti i bankave ka qenë i mirë. Në përgjithësi, sektori bankar është stabil është mirë i kapitalizuar dhe likuiditet dhe ka trend pozitiv të zhvillimit. Sa i përket fillimit të këtij viti, gjithashtu, indikacione ka se do të vazhdojë rritja e kreditimit dhe sektori bankar është mirë që të jetë i shëndoshë dhe profitabil për vetveten, por mbi të gjitha është i nevojshëm një sektor bankar i fuqishëm i zhvilluar, që të jetë në përkrahje të sektorit privat dhe në përkrahje të sektorit real.

Si është gjendja e kredive joperformuese?

Hamza: Është pozitiv fakti se kemi pasur një zvogëlim të kredive joperformuese; dhe nga 8.7 % sa ka qenë niveli i këtyre kredive para disa kohëve, është ulur në 6.2 % dhe janë jashtëzakonisht mirë të provizionuara.

A vazhdojnë të jenë më të ulëtat në rajon?

Hamza: Kreditë joperformuese në Kosovë, janë më të ulëta në rajon. Nëse e krahasojmë me vendet e rajonit, shumica e rajonit në nivelin dyshifror do të thotë sillen diku prej 14-20%, kurse në Kosovë janë 6.2% dhe janë jashtëzakonisht mirë të provizionuara, janë 115% të provizionuara dhe kjo tregon që klientët e bankave në Kosovë janë të disiplinuar dhe i kthejnë kreditë. Normalisht që ka edhe prej atyre që kanë vështirësi, kanë probleme, por megjithatë është normë që është e përafërt me vendet e zhvilluara dhe me vendet e Bashkimit Evropian.

A janë shpresëdhënës indikatorët që edhe këtë vit të ketë rritje të investimeve të huaja?

Hamza: Sa i përket investimeve të huaja, vitin e kaluar, nëse krahasohet me vitin paraprak ka pasur një rritje. Mirëpo, prapë së prapë niveli i investimeve të huaja direkte, në raport me nevojat e Kosovës, është i vogël. Kosova ka nevojë që të tërheqë më shumë investime të huaja direkte, posaçërisht në prodhimet e produkteve brenda Kosovës me qëllim të substituimit të deficitit tregtar. Nëse zhvillohen projektet që janë të planifikuara, siç janë të parapara, ka mundësi që investimet e huaja direkt të rriten, mirëpo kjo varet edhe prej dinamikës së realizimit të projekteve. Në këtë rast po flas për projektin që ka një vlerë më të madhe, që pritet të fillojë të implementohet, ai i Brezovicës; pastaj projektet në energjetikë dhe projektet tjera të ngjashme që janë projekte kapitale dhe do të kenë ndikim në rritjen ekonomike në Kosovë.

FMN-ja e parash si të pamjaftueshme rritjen ekonomike prej 3.8 për qind. A mendoni ju se mund kemi rritje ekonomike më shumë se kaq dhe çfarë duhet të veprojmë që të arrijmë më shumë?

Hamza: Rritja ekonomike prej 3.8 % është për t’u vlerësuar. Është rritja më e madhe ekonomike në vendet e rajonit. Mirëpo, të gjithë ekspertët e kësaj fushe pajtohemi se rritja ekonomike prej 3.8 % në Kosovë nuk është e mjaftueshme. Kosova ka nevojë për një rritje më të madhe me qëllim që ta zvogëlojë normën e papunësisë, apo ta përmirësojë deficitin tregtar dhe ta përmirësojë edhe shumë indikatorë të tjerë. Ka mundësi që rritja ekonomike në Kosovë të jetë më e madhe se 3.8%, nëse vazhdojmë dhe implemnetohen suksesshëm projektet si Brezovica, projektet e investimit në energji, në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe projektet e tjera të ngjashme. Ka mundësi që rritja ekonomike të jetë më e lartë, mirëpo Kosova realisht në mbas të gjitha vlerësimeve ka nevojë që minimale ta ketë një rritje ekonomike rreth 7% me qëllim që t’i absorbojë gjeneratat e reja, t’i fusë në tregun punës, t’iu sigurojë vende të reja të punës dhe të kontribuojë në zvogëlimin e deficitit tregtar.

Mirëpo duhet të jemi të kujdesshëm që në një moment në të ardhmen, edhe remitencat që kanë ndikim shumë të madh në zhvillimin ekonomik të Kosovës, mund të vijnë duke u zvogëluar dhe ato duhet të kompensohen nga prodhimi brenda Kosovës.

Sa janë aktualisht remitencat në Kosovë?

Hamza: Viteve të fundit, remitencat në Kosovë, përveç që kanë treguar një stabilitet ato kanë trend pozitiv, do të thotë për vitin 2015 janë mbi 700 milionë euro remitenca, që kanë një kontribut jashtëzakonisht të madh në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Sigurisht se mund të bëhet pyetje nëse remitencat kanë mundësi të kanalizohen drejt investimeve. Unë besoj se është jashtëzakonisht pozitive dhe e nevojshme që ne të krijojmë kushte për tërheqjen e kapitalit të diasporës, përveç kapitalit financiar, dijes dhe përvojës së njerëzve tanë në diasporë. Ndërsa forma aktuale se si vijnë remitencat, ato shumica prej tyre vijnë në shumë pak më të vogla dhe një pjesë e tyre shkon në konsum dhe një pjesë tjetër mund të përfundojë edhe në investime, por megjithatë shumat e vogla është pak më vështirë të kanalizohen në investime.

Shpeshherë keni deklaruar se zhvillimi i sektorit privat kërkon një sistem financiar për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe me kushte të favorshme për bizneset. Sa janë të favorshme kushtet financiare për bizneset në Kosovë?

Hamza: Është duke lëvizur në drejtim të lehtësimit të kushteve dhe kritereve për financim. Nëse shohim normën e interesit, ajo ka lëvizur nga një normë mjaftë e lartë dhe aktualisht është rreth 8 %, mesatare. Ndërsa ka kredi që realizohen me interes 4-6-7 % varësisht prej klientëve dhe relacioneve që klientët i kanë zhvilluar me bankat e tyre. Unë besoj që ka hapësirë që kushtet të vazhdojnë të përmirësohen, ka hapësirë që edhe për ndonjë pikë të përqindjes, norma e interesit të zvogëlohet, dhe pres që të ndodhë.

Sigurisht që bankat kanë likuiditet, kanë likuiditet në momente të caktuara edhe të tepruar dhe është mirë që të rritet vëllimi i kreditimit, sepse kjo do të ndikojë pozitivisht edhe te bankat, mirëpo do të ndikojë pozitivisht edhe në ekonomi.

Por, që të rritet vëllimi i kreditimit, bankat duhet të vazhdojnë t’i lehtësojnë kushtet e kreditimit, përmirësimin e kushteve të kreditimit, rritjen e kohëzgjatjes së kreditimit, grejs periudhën, dhe gjithsesi normën e interesit që të jetë e pranueshme dhe të jetë e nivelit të atillë që bizneset të kenë mundësi ta kthejnë kredinë dhe të kenë mundësi që atë ta zhvillojnë afarizëm pozitiv për vetveten.

Prandaj do të thotë ne kemi nevojë për sistem bankar të fuqishëm , të shëndoshë, mirëpo jo vetëm për vetveten, por sistem bankar të fuqishëm, shëndoshë dhe që është në përkrahje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe në përkrahje të ndërmarrjeve publike; natyrisht edhe të ekonomisë në përgjithësi.

Ka shumë lëndë të bankave që janë në gjykata ende të pazgjidhura, sa ndikon në këtë sektor?

Hamza: Është lëvizur pozitivisht në këtë drejtim. Përmbaruesit privatë kanë dhënë kontribut dhe po vazhdojnë të japin kontribut në këtë drejtim. Është fakt që po vazhdon rritja e numrit të përmbaruesve privatë. Kemi nevojë që lëndët në gjykata të trajtohen në një periudhë më të shkurtër. Unë nuk po them që nuk është duke punuar gjyqësori, por për shkak të numrit të lëndëve, ndoshta duhet të rritet numri i gjykatësve, duhet të shkurtohet koha e trajtimit të këtyre lëndëve në gjykata. Në të kundërtën, kjo paraqet një kosto për banka dhe normalisht, në mënyrë indirekte, kjo është kosto edhe për sektorin privat. Prandaj kemi nevojë që të rritet efikasiteti, të shkurtohet koha e trajtimit të këtyre lëndëve në gjykata dhe kjo pastaj do të ketë ndikim në zvogëlimin e normës së interesit dhe në përmirësimin e kushteve të kreditimit për sektorin privat dhe për ekonominë në përgjithësi.

Aktualisht janë mbi 10 mijë lëndë që presin të trajtohen në gjykatat e Kosovës. Janë duke u punuar edhe me institucione të tjera përgjegjëse në këtë drejtim, për amandamentimin e disa ligjeve që pastaj ato të thjeshtësojnë procedurat dhe shkurtojnë afatet për trajtimin e këtyre lëndëve në gjykata. /Ekonomia Online/

Në trend Ekonomi

Më shumë
India, anëtare e BRICS refuzon de-dollarizimin - përqafon dollarin amerikan

India, anëtare e BRICS refuzon de-dollarizimin - përqafon dollarin amerikan

Botë
Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Ekonomi
Meritaterm vazhdon kampanjën me super zbritje prej 33% për pompën termike më të mirë në treg, Toshiba

Meritaterm vazhdon kampanjën me super zbritje prej 33% për pompën termike më të mirë në treg, Toshiba

Ekonomi
Foleja Home: Produkte cilësore dhe moderne për shtëpinë dhe zyren tuaj

Foleja Home: Produkte cilësore dhe moderne për shtëpinë dhe zyren tuaj

Ekonomi
Kjo është super platforma për menaxhimin e procesit të dhënies dhe marrjes me qera të veturave

Kjo është super platforma për menaxhimin e procesit të dhënies dhe marrjes me qera të veturave

Ekonomi
Vezët Bio REA-s: Zgjedhje e shëndetshme për familjen tuaj

Vezët Bio REA-s: Zgjedhje e shëndetshme për familjen tuaj

Ekonomi
Kalo në kategori