LAJMI I FUNDIT:

Gjendet trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja

Gjendet trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja

E plotësuar - Trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja është gjetur sot në orën 14:30, pa shenja dhune, në një zonë malore, 4 kilometra larg qytetit Lodève ku mbahej mitingu i poezisë, shkruajnë mediat franceze.

Poeti kosovar Ali Podrimja, i zhdukur që nga e marta në mbrëmje, është gjetur sot në orën 14:30 afër qytetit Lodeve, ku poeti ishte ftuar në një takim të shkrimtarëve.

Organizatorët e festivalit “Voice of the Mediterranean” kanë thënë përmes një deklarate se policia i ka njoftuar se trupi i poetit Podrimja është gjetur në një zonë malore, rreth 4 kilometra nga Lodeve”, raporton portali, KosovaTimes.

“Sipas hetimeve preliminare, nuk shenja dhune në trupin e tij. Autopsia do të bëhet në fillim të javës për të sqaruar rrethanat e vdekjes së tij”, transmeton Agence de Montpellier.


Edhe sipas prefekturës së Hérault, trupi i Ali Podrimes u gjet pranë një lumi”, dhe “nuk kishte shenja të dhunës.”

“Një zyrtar i festivalit kishte arritur që shkurtimisht të dëgjohet në telefon me poetin në mëngjesin e së mërkurës, por komunikimi më të ishte e vështirë, sepse ai nuk fliste as anglisht e as frëngjisht”, raportin TV5Monde.

Organizatorët e takimit të shkrimtarëve ishin në dijeni për zhdukjen e poetit Podrimja të martën në mbrëmje dhe kanë bërë çmos për ta gjetur si dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, shkruajnë mediat franceze.

”Një nga organizatorët e festivalit ka arritur të kontaktojë shkurtimisht në telefon shkrimtarin Podrimja, të mërkurën në mëngjes, por komunikimi ka qenë i vështirë për shkak se ai nuk ka folur as anglisht, as frëngjisht”, transemtojnë agjenci lajmesh në Francë. /Telegrafi/

(15.22) – Autoritetet shtetërore franceze i kanë përcjellë ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të poetit të njohur kosovar, Ali Podrimja, në Francë.

Podrimja ka humbur kontaktet me kolegët dhe miqtë e familjarët e tij nga data 18 korrik, në kohën kur po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Mediterranee”, në qytetin e Lodeve.

Autoritet franceze po punojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të humbjes së jetës së poetit.

I tronditur nga kjo humbje, ministri Enver Hoxhaj ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, komunitetit të poetëve, shkrimtarëve e artistëve si dhe mbarë popullit të Kosovës.

“Humbja e poetit me renome ndërkombëtare Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë. Kujtimi i poetit Ali Podrimja do të jetë gjithnjë i gjallë në mesin tonë dhe do të shërbejë si figurë motivimi për brezat e ardhshëm të Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës falënderon autoritetet e Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme Franceze, si dhe të gjitha institucionet e tjera lokale e qendrore në Francë për angazhimin maksimal të tyre në ndriçimin e këtij rasti – thuhet në një komunikatë të MPJ-së.

Krasniqi: Vdekja e Podrimes humbje e gjithë kombit shqiptar

(16.30) – Me rastin e gjetjes së trupit të pajetë të poetit të madh Ali Podrimja në Francë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ngushëlloi familjen Podrimja, komunitetin letrar në Kosovë dhe gjithë popullin e Kosovës.

“Është vërtetë moment i vështirë për të thënë çfarëdo fjale për njeriun që me krijimtarinë e tij inspiroi breza të terë dhe shpërndau anekënd botës gjithë pasurinë dhe elanin e kombit tonë për letërsinë dhe artin në përgjithësi. Vdekja e poetit me renome ndërkombëtare, krenarisë sonë, Ali Podrimja është një humbje e gjithë kombit shqiptar, e padyshim dhe e gjithë komunitetit letrat dhe artistik në botë”.

Më tej në telegramin e ministrit Krasniqi thuhet se krijimtaria e Ali Podrimes dhe gjithë ajo miqësi që kishte krijuar për vite me radhë me njerëzit e letërsisë dhe artit në tërë botën, ndihmuan shumë që Kosova të ketë respektin e merituar në botë.

“Kam pasur nderin që e kam njohur dhe ka qenë gjithmonë një motivim për mua. Ai do të na mungojë shumë. Por poeti ynë na la shumëçka, një krijimtari të tërë, e cila do të jetë një pasuri kombëtare e jona. Një artist i vërtetë, Aliu do të jetë përherë në kujtimet tona dhe puna e tij do të shërbejë si frymëzimi më i mirë për fëmijët tanë, për brezat tjerë që do të vijnë, duke mbjellë kështu ndjenjën e dashurisë mes njerëzve”, thuhet në ngushëllimin e ministrit Krasniqi. /Telegrafi/