LAJMI I FUNDIT:

Fushat e futbollit si vaterpolo

Fushat e futbollit si vaterpolo

Për shkak të shiut që ka vërshuar tërë Kosovën të enjten, shumë ndeshje të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll këtë fundjavë rrezikojnë të shtyhen. Punët më së keqi i ka stadiumi “Shahin Haxhiislami” në Pejë, në të cilin fusha e lojës ka marrë pamje të vaterpolos, kurse uji ka vërshuar edhe në zhveshtoret e futbollistëve.

Sipas zyrtarit të Besës, Ismet Ahmeti, takimi i së shtunës Besa-Vëllaznimi, nuk ka gjasa të zhvillohet.

“E tërë fusha është e mbuluar me ujë. Uji ka depërtuar edhe në banjot dhe zhveshtoret e klubit. Të premten do të bëjmë kërkesë në federatë për shtyrjen e ndeshjes, pasi nuk ka gjasa të luhet të shtunën”, ka deklaruar Ahmeti për SportPlus.

Shiu gjithashtu ka vërshuar edhe stadiumin e Hysit në Merdar, por sipas zyrtarëve të këtij klubi, të enjten deri në orën 16:00, gjendja nuk ka qenë e keqe.


“Për momentin fusha është në gjendje të mirë, por të shohim a do të vazhdojë të bie shi edhe nesër (e premte) e pasnesër (e shtunë)”, ka thënë zyrtari i Hysit, Bashkim Sadiku, për SportPlus.

Kryendeshja e kësaj jave, Hysi-Prishtina, është paraparë të luhet të shtunën me fillim në ora 14:00, por mbetet të shihet nëse do të zhvillohet.

Në anën tjetër, edhe fusha e stadiumit ‘Bajram Aliu’ në Skenderaj, ka marrë pamje të vaterpolos. Në këtë stadium është paraparë të luhet të dielën ndeshja Feronikeli-Trepça. /Telegrafi/