LAJMI I FUNDIT:

Fuqia e imazheve në art

Fuqia e imazheve në art

Rreth librit "Fuqia e imazheve" nga autori i njohur David Freedberg, që tani në shqip vjen i përkthyer nga Gëzim Qëndro dhe i botuar nga Shtëpia Botuese DITURIA në Tiranë.

Fuqia e imazheve është një libër që nuk sillet rreth historisë së artit, por rreth marrëdhënieve midis imazheve dhe njerëzve në histori. Brenda sferës së veprimit të tij janë përfshirë me vetëdije të gjitha imazhet, jo vetëm ato që pranohen si artistike. Ai është rezultat i një përkushtimi afatgjatë ndaj idesh, të cilat, si format tradicionale të historisë së artit – ashtu edhe ato më të fundit – duket se, ose i kanë shpërfillur, ose nuk i kanë artikuluar siç duhet. Kur skicoi për herë të parë projektin e këtij libri në vitin 1979, shqetësimi i Freedberg-ut lidhej më shumë me nxjerrjen e tepruar në pah të historisë së artit të lartë, në dëm të elementeve të tjera të kulturës pamore. Dyshonte nëse ishte e mundur të flitej si duhej rreth artit të lartë, pa shqyrtuar imazhet e lëna disi pas dore. Por e shqetësonte, mbi të gjitha, paaftësia e historisë së artit për të trajtuar dëshmitë tejet të bollshme rreth mënyrave me të cilat njerëzit e të gjitha klasave shoqërore dhe kulturave kanë reaguar ndaj imazheve.

Ajo çka autori donte ishte përballja me reagime emocionale që, me sa dukej, rishfaqeshin vazhdimisht – apo të paktën të rravgonte mundësitë e analizimit të tyre. I patën lënë mbresa të thella disa lloje reagimesh ndaj imazheve – psikologjike dhe bihejvioriste më shumë se ato kritike – të cilat dukej se ishin vëzhguar gjatë historisë dhe përmes kulturash, si të “qytetëruara” ashtu edhe “primitive”. Zakonisht ato nuk ishin ballafaquar në literaturë, sepse ishin të papërpunuara, bazike, paraintelektuale dhe të pagdhendura. Të shkruaje për to asokohe dukej diçka tepër turbulluese dhe e sikletshme. Por ai vazhdoi t’i ndeshte rastësisht dhe pothuaj kuturu, nëpër një larmi të gjerë burimesh etnografike e historike, dhe ato dukej se ishin paraqitur përherë dhe po njëlloj në vende të rëndomta dhe në metafora.

Megjithatë, pavarësisht prej vështirësive dhe pengesave, Freedberg-u nuk mundi ta braktiste besimin se rinxjerrja saktësisht në pah e atyre reagimeve emocionale ndaj imazhit, për të cilat zakonisht nuk shkruhet, duhej të përfshihej brenda rrezes së veprimit të historianit, dhe se ishte e mundur të bëhej diçka më tepër me provat që, në dukje, rishfaqeshin kuturu dhe që ishin braktisur si mbeturina të rastësishme të historisë. Kështu që vazhdoi më tej, duke përcaktuar si fillim ato që autorit i dukeshin si disa prej formave më dramatike të reagimeve emocionale që përsëriteshin më shpesh, dhe këto forma t’i shqyrtonte sipas një teorie shpesh të mpakur e ndonjëherë edhe qorrsokakëse që ishte zbatuar deri atë kohë mbi to (nëse një teori e tillë ekziston vërtet). Doli se lloji i të dhënave që lidhej më shumë me këto forma ishte pikërisht ai që historianët e artit, në rendjen e tyre pas formave më të intelektualizuara të reagimeve, zakonisht e linin mënjanë. Duke shtypur provën për fuqinë e imazheve, sipas autorit, ata lënë në heshtje – zakonisht nga padija dhe rrallë nga dija – marrëdhëniet midis imazheve e njerëzve që kanë mbetur në histori dhe lidhen si me antropologjinë, ashtu edhe me psikologjinë popullore. Historia e imazheve qëndron në udhëkryqin e këtyre disiplinave, por historia e artit, siç konceptohet zakonisht, i përvidhet këtij takimi.


Autori shpreson se materiali që paraqet në këtë libër do të arrijë të gjenerojë qasje edhe më kritike ndaj njërit prej mendimeve më të përhapura rreth artit, por që mbrohet mendjelehtësisht. Kjo është ideja se “në një vepër arti ne i kapërcejmë reagimet ku materiali apo subjekti na shtyjnë me shumë zell”. Për sa kohë që do të jemi po aq të interesuar sa ç’jemi tani për faktorët përcaktues të atij që e quajmë art, nuk do t’i shpëtojmë dot tiranisë që kjo kategori imponon mbi mënyrën si mendojmë rreth reagimit ndaj imazheve.

Nëse lexuesit presin ndonjë teori të veçantë rreth reagimit që do të shfaqet në fund të librit, do të zhgënjehen, veçanërisht nëse me termin “teori” nënkuptojmë një teori tërësisht shpjeguese, e cila në parim merr përsipër të sqarojë të gjitha rastet. Përkundër kësaj, qëllimi ka qenë të përpunohen termat e përshtatshëm, dhe të gjenden mundësitë për mënyrat me të cilat teoria njohëse mund të ushqehet nga dëshmitë historike. Kapitujt që përbëjnë këtë libër janë paramenduar të ecin më tej duke dhënë shembuj, dhe jo përmes konceptesh abstrakte. Radha e tyre lidhet me shembuj specifikë të fuqisë së imazheve: nga fuqia tërheqëse mbresëlënëse e imazheve të pelegrinëve, dhe shpresat e parealizueshme që viheshin në to, përmes besimeve se imazhet në njëfarë mënyre, mund të veprojnë si ndërmjetës të volitshëm falënderimi për favore të mbinatyrshme, te mënyrat me anë të të cilave ato mund të ngrenë shikuesit në lartësitë e empatisë e pjesëmarrjes.

Një libër i jashtëzakonshëm, shumë i rëndësishëm e me vlera të veçanta jo vetëm për pedagogët dhe studentët në fushën e arteve, por edhe për cilindo kureshtar a lexues të pasionuar që kërkon të zgjerojë njohuritë në historinë e artit dhe të estetikës. Një vepër plot dije, unik në llojin e vet, shkruar me mjeshtëri e profesionalizëm nga David Freedberg – profesori dhe studiuesi më në zë i historisë së artit në Universitetin e Kolumbias – e sjellë në shqip nga Dr. Sci. Gëzim Qëndro.

Kanë thënë rreth librit:

“Ky është kushtrimi i fundit për të zgjeruar njohuritë në historinë e artit. Dhe ky na kujton mënyrën veçanërisht të drejtpërdrejtë përmes së cilës arti, ndryshe nga letërsia, punon në imagjinatë.”

Michael Kimmelman, New York Times

“Një vepër e inteligjencës së mprehtë, që përbën epokë në të menduarit rreth artit dhe teorisë.”

Gazette des Beaux-Arts

“Ky libër i vëllimshëm e plot kulturë nuk duhet të mungojë në raftet e asnjë biblioteke historie arti.”

E. H. Gombrich, New York Review of Books

“Një vepër e shkruar me shumë përkushtim nga një shkrimtar me njohuri të thella rreth imazheve, estetikës, artit e themelimit të tij, dhe veçanërisht rreth disiplinës së historisë së artit. Ajo gjallërohet nga një dije e jashtëzakonshme.”

Arthur C. Danto, The Art Bulletin

“Niveli etnografik dhe historik i Freedberg-ut është thjesht mahnitës… Fuqia e imazheve është e aftë të ndezë polemika kundër ortodoksisë estetike, pafundësisht magjepsëse në detaje…”

T. J. Jackson, Wilson Quarterly

Rreth autorit:

David Freedberg, profesor i historisë së artit dhe drejtor i Akademisë Italiane për Studime të Avancuara në Universitetin e Kolumbias, është autor dhe bashkautor i një sërë veprash, si:

– The Power of Images: Studies in the History and Theory of Response, Chicago, University of Chicago Press, 1989;

– The Eye of the Lynx: Galileo, His Friends, and the Beginnings of Modern Natural History, Chicago, University of Chicago Press, 2002;

– Dutch Landscape Prints of the Seventeenth Century, London, British Museum Publications, 1980;

– Rubens: The Life of Christ after the Passion, London, New York, Harvey Miller/Oxford University Press, 1984;

– Iconoclasts and Their Motives, Maarssen, Gary Schwartz, 1985;

– Joseph Kosuth: The Play of the Unmen-tionable, New York, The New Press, 1992.

– Citrus Fruit: The Paper Museum of Ca-ssiano dal Pozzo, Natural History Series, I, London, Harvey Miller Publishers, 1997 (me Enrico Baldini);

– Fossil Woods and Other Geological Specimens: The Paper Museum of Cassiano dal Pozzo, Natural History Series, III, London, Harvey Miller Publishers, 2000 (me Andrew Scott) etj.