LAJMI I FUNDIT:

Frika si mentalitet

Kultura e frikës, sado që është një term shumë i ri, po përdoret nga shkencëtarë, shkrimtarë, gazetarë e politikanë të caktuar për të shpjeguar një femonen relativisht të vjetër. Sipas tyre, individë të caktuar brenda shoqërisë, e nxisin dhe kultivojnë frikën tek publiku për arritjen e qëllimeve politike. Një reflektim të këtij termi e gjejmë në dokumentarët e BBC-së, punuar nga gazetari Adam Curtis, ku ai flet për politikën e frikës, duke argumentuar se politikanët e përdorin frikën tonë për të rritur fuqinë dhe kontrollin e tyre mbi shoqërinë. Ndërsa David Altheide në librin e tij për rolin e medias në kultivimin e frikës, analizon diskursin e frikës, brenda të cilit, frikën e interpreton si optikë përmes së cilës njerëzit e shohin botën, i përcaktojnë situatat shoqërore me të cilat ballafaqohen, konstruktojnë identitete dhe i strukturojnë marrëdhëniet e tyre.

Reagimi i para disa ditëve i pushtetit në Kosovë, përmes mediave të kontrolluara, ndaj një iniciative legjitime të shoqërisë civile, dëshmoi edhe një herë për politikën e frikës. Ndonëse as demokracitë nuk janë imune ndaj kësaj praktike, kultivimi i frikës (bashkë me shpërblimin e lojalëve) është metodë e regjimeve autoritare për të ruajtur pushtetin e tyre. Frika, si mjet shumë efikas për arritjen e qëllimeve politike, është gjithmonë në shërbim të elitave, derisa njerëzit dita ditës izolohen më tepër dhe fillojnë të mos ndjehen pjesë e shoqërisë. Si Altheide, ashtu edhe Corey Robin në librin e tij mbi historinë politike të idesë së frikës, konkludojnë se frika është mjet represioni që përforcon (legjitimon) ndarjen e pabarabartë të fuqisë shoqërore.

Regjimi autoritar në bërje i Hashim Thaçit, po e përdor politikën e frikës për të shtypur dhunshëm zërin kritik dhe mospajtues. Porosia e reagimit linçues të mediave të kontrolluara nga regjimi është me rreze të gjata dhe e prek shoqërinë gjerësisht. Përmes persekutimit publik të individëve të caktuar, po e disiplinojnë tërë shoqërinë, duke ju treguar se çfarë i pret në rast të shprehjes së mospajtimit. Përmes mediave të tyre, po bëjnë thirrje publike për linçim, duke e shndërruar zërin kritik në zë djalli, dhe apeli: gjuajeni djallin me gurë. Sepse nuk duan që dikush t’i trazojë në përvetësimin dhe shijimin e fuqisë dhe pasurisë së këtij vendi, përmes praktikave kleptokratike të qeverisjes.


Në fjalimin e saj të vitit 1990 “Liria nga Frika”, liderja opozitare dhe avokatja e demokracisë në Birmaninë e sunduar nga junta ushtarake, Aung San Suu Kyi fliste për përditshmërinë dhe zakonshmërinë e frikës në një sistem që i mohon edhe të drejtat elementare të njeriut. Mes tjerash, sipas San Suu Kyi frika nga burgosja, frika nga torturimi, frika nga vdekja, frika nga humbja e familjes, shokut, pasurisë, frika nga varfëria, frika nga izolimi, frika nga dështimi shndërrohen në përditshmërinë tonë.

Në këtë linjë, në shkrimin e tij “Fuqia e të pafuqishmëve” (1978) mbi regjimin autoritar të Gustav Kusakut në Çekosllovaki, Vaclav Havel, disident dhe lider opozitar i asaj kohe, argumentonte se njerëzit nën regjimin e Kusakut orientohen, para se gjithash, në bazë të frikës. Kjo frikë, sipas tij, shpesh nuk është frikë nga burgosja ose ekzekutimi, por frikë nga humbja e vendit të punës, frikë nga pamundësia për të punuar në fushën e preferuar, ose frikë nga pamundësia që fëmija i dikujt të pajiset me diplomë universiteti. Frika – përfundon Havel – në këtë mënyrë, i detyron njerëzit të bëjnë çkado që është e nevojshme për të përftuar edhe favorin më të vogël të mundshëm.

Si San Suu Kyi ashtu edhe Havel, përshkruajnë realitete ku frika imponohet si mentalitet i përgjithshëm i shoqërisë, duke ndikuar drejtpërdrejtë në përcaktimin e mendimeve dhe veprimeve të individëve. Regjimi autoritar në bërje i Hashim Thaçit i ka nxjerrë të gjitha mësimet nga historia e vonshme, por edhe e sotshmja e politikës së frikës. Deri sot, i ka realizuar me përpikmëri veprimet për ruajtjen e pushtetit. Me këtë përkushtim, ky regjim po na tregon që projekti i tyre është shumë serioz dhe që nuk do të ndalet, derisa të ngufatet e tërë jehona e zërit kritik në Kosovë.

Por, si funksionon i tërë sistemi i politikës së frikës dhe a janë të aftë vetëm një grup njerëzish të zbatojnë këtë politikë? Në analizën e tij mbi shumësinë e aktorëve të përfshirë në fabrikimin e frikës politike, Robin konstaton se përveç elitave, edhe bashkëpunëtorët (lojalët, mediat, etj.), të distancuarit, dhe vetë viktimat (qytetarët) kanë rol qendror në këtë proces. Duke u ndalur në shoqërinë civile, Robin përmend faktin që aktorët socialë dhe ekonomikë, larg nga roli i tyre pengues ndaj frikës politike, shpesh mund të shndërrohen në bashkëpunëtore të elitës politike, në propagimin e represionit dhe frikës.

Në Kosovë, vepron edhe një aktor shumë i fuqishëm, ai ndërkombëtar, i cili ka 12 vjet që përmes praktikave neokoloniale të protektoratit dhe administrimit ndërkombëtar, ka kontribuuar aktivisht në krijimin dhe mirëmbajtjen e mentalitetit të frikës brenda shoqërisë kosovare. Për të funksionuar si duhet politika e frikës, kërkohet përfshirja e shumë aktorëve. Në situatën e krijuar para disa ditësh rreth një plani të veprimit të shoqërisë civile në Kosovë, të gjithë këta aktorë e luajtën rolin e tyre, përmes gjuhës linçuese (mediet), kërcënimeve (strukturat ilegale), distancimit (shoqëria civile), heshtjes (intelektualët) dhe mosdeklarimit (ndërkombëtarët). Ndërsa viktima (i frikësuari, qytetari) është aktori i fundit dhe kontribuuesi kryesor në mirëmbajtjen e mentalitetit të frikës. Duke u frikësuar, ai i bën nderin më të madh këtij regjimi, ia zgjat kohën në pushtet.

San Suu Kyi, në fund të fjalimit të saj mbi lirinë nga frika, përgjegjësinë e zbriti në nivel të qytetarëve. Një popull që aspiron të ndërtojë një shtet ku institucionet e forta dhe demokratike janë të ndërtuara si garanci kundër keqpërdorimit të pushtetit shtetëror, në rend të pare duhet të mësojnë të çlirojnë mendjet e tyre nga apatia dhe frika. Ajo përfundon optimiste, pasi beson që edhe nën makinerinë më shtypëse shtetërore, guximi shfaqet përsëri, pasi që frika nuk është gjendje e natyrshme e njeriut të civilizuar. Në linjë me të, Jawaharlal Nehru, njëri ndër liderët e lëvizjes së pavarësisë së Indisë nga Britania e Madhe, mendonte se dhuntia më e madhe për individin ose kombin është abhaya, ose mungesa e frikës, jo vetëm si guxim trupor (fizik), por si mungesë e frikës në mendje.

Të gjitha këto janë thirrje për tejkalimin e frikës, ose për atë situatë që këto ditë po ngjan në shtetet autoritare të Afrikës dhe Azisë. Politologu libanez Ghassan Salame, para disa ditësh deklaroi se “frika ka ndërruar anë” në botën Arabe. Nuk janë më qytetarët ata që janë të paralizuar nga represioni, por mbretërit, emirët dhe presidentët e përjetshëm, që “dridhen” përballë zemërimit qytetar.

Derisa frika të ndërrojë anë në Kosovë, mentaliteti i frikës do të pengojë çfarëdo përpjekjesh për reagim dhe shprehje të pakënaqësisë. Dhe në mungesë të reagimit, regjimit autoritar në bërje të Hashim Thaçit, shumë shpejt do t’i hiqej cilësori “në bërje”.