LAJMI I FUNDIT:

Fondi investiv dhe ai i punësimit, akoma vetëm fjalë politike

Fondi investiv dhe ai i punësimit, akoma vetëm fjalë politike

Më shumë se 1.2 miliardë euro janë grumbulluar nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe Fondi i Privatizimit deri më tani. Këto mjete po mbahen nëpër banka të 61 shteteve të Botës. Edhe pse këto mjete janë një shumë e konsiderueshme, shteti i Kosovës këto para nuk po i shfrytëzon për zhvillim ekonomik. Ideja gjatë zgjedhjeve të fundit që përmes këtyre fondeve të formohej fondi i punësimit dhe fondi investiv ende nuk ka gjetë interesim nga Qeveria aktuale.

Këtë neglizhencë të ekzekutivit e ka kritikuar nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu duke thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka plan për të shfrytëzuar paratë e Trustit dhe të Privatizimit. Kështu u tha të hënën mbrëma në emisionin “Ekonomia me Erëzën” të Klan Kosovës.

Nënkryetari i parisë më të madhe opozitare, Dardan Sejdiu ka thënë se gjatë këtyre muajve që kur është formuar Qeveria e Kosovës, kemi parë një dështim për të formuar fondin investiv dhe atë të punësimit.
“Asnjë vend punë nuk është krijuar, as një hap konkretë nuk është marr për paratë e privatizimit e as për paratë e Trustit, dhe modelin që po vazhdojnë me e bë po tregojnë që nuk kanë plan qeverisës për këto mjete” ka vlerësuar Sejdiu.


E për këto kritika të zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, përgjigje ka pasur i pari që menaxhon buxhetin e shtetit. Avdullah Hoti ka thënë se po sa të formohet bordi në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Qeveria e Kosovës do të marr nga ky institucion i pavarur një shumë të parave.

“Bordi i AKP-së nuk është funksional, po sa të formohet bordi ne presim që një pjesë e konsiderueshme të këtij instuicioni të barten në buxhetin e shtetit, sepse ato janë mjete të shtetit të Kosovës” ka thënë Hoti.

Ai më tej ka folur edhe për fondin e zhvillimit, që sipas tij, Qeveria e Kosovës ka në programin e sajë që të shfrytëzoj një pjesë të parave të Trustit Pensional në projekte kapitale.

Hapja e vendeve të punës dhe fondi investiv ka qenë edhe premtimi i madh elektoral nga PDK dhe LDK në zgjedhjet e fundit nacionale. Sipas krerëve të këtyre partive, kjo do të arrihej vetëm përmes fondeve të Trustit Pensional të Kosovës dhe Fondit të Privatizimit. /Telegrafi/