LAJMI I FUNDIT:

FMN nxit Merkelin të investojë, për të rimëkëmbur Eurozonën

FMN nxit Merkelin të investojë, për të rimëkëmbur Eurozonën

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, i ka bërë thirrje Gjermanisë që të rrisë nivelin e investimeve, në mënyrë që t’i japë shtysë rimëkëmbjes ekonomike të bllokut të monedhës së përbashkët.

Pavarësisht kësaj, Shefja e FMN-së shtoi se Eurozona duhet të punojë si një mekanizëm i vetëm dhe të rrisë numrin e reformave strukturore. Sipas Lagarde, Gjermania, duke qënë dhe ekonomia lider e Eurozonës, duhet të rrisë nivelin e investimeve veçanërisht në sektorin e infrastrukturës.

Shefja e FMN-së theksoi se në rast se vihet në zbatim, atëherë kjo ide nuk do të ulë konkurrueshmërinë e Gjermanisë në tregun global. Lagarde shtoi se rritja e investimeve nga ana e liderit të Eurozonës do të ndihmonte jo vetëm bllokun në tërësi, por edhe Gjermaninë në veçanti.
Deklaratat e Lagarde janë në të njëjtën linjë me ato të Presidentit francez Francois Hollande, i cili më herët ka deklaruar se Presidenti, Banka Qendrore Europiane, por edhe Gjermania, e cila është ekonomia lider e Eurozonës, duhet të bëjnë më tepër për të mbështetur rritjen ekonomike dhe të luftojnë rrezikun e deflacionit.


Presidenti francez ka shtuar se inflacioni i ulët ka pasoja negative fiskale, si mbi të ardhurat, ashtu edhe mbi borxhin e për pasojë, sipas tij, Banka Qendrore Europiane, duhet të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të injektuar më tepër likuiditet në ekonomi.

Pas presioneve të ardhura si pasojë e zhgënjimit në Francë dhe Itali, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka lënë dyert e hapura për t’i dedikuar një pjesë më të madhe të buxhetit, pikërisht programeve investuese. Kancelarja Merkel ka premtuar se investimet do të jenë prioritet i Gjermanisë, megjithatë duhen parë edhe zhvillimet ekonomike të muajve në vijim.

Vlen të përmendet se për herë të parë që nga viti i largët 1969, buxheti gjerman për vitin 2015 nuk parashikon huamarrje të reja. /Telegrafi/