LAJMI I FUNDIT:

Festivali Ballkanik në Pogradec

Festivali Ballkanik në Pogradec

Edicioni i tretë i Festivalit të Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë ka ulur siparin me një mbrëmje gala në qendër të qytetit të Pogradecit.

Pas një dreke të organizuar në formë pikniku, ku artistët kanë vizituar kishën e Shën e Djelës në majën e Kabashit, me dhjetëra pjesëmarrës i janë bashkuar ceremonisë së ndarjes së çmimeve për filmat më të mirë në disa zhanre.

Ujkan Hysaj me filmin ‘Kolona’ është shpallur nga juria si fitues i filmit me metrazh të shkurtër; Ariel Shabani fitues i “Film Prestigj”, ndërsa kupën për filmin më të mirë e ka merituar realizimi kinematografik kroat “Halima’s Path”.

Në zhanrin e dokumentarit, juria ka përzgjedhur si më të mirin atë maqedonas të titulluar ‘Sound Seekers’ i cili mbante emrin e Suzana Dinevski. Cmimet iu dorëzuan fituesve nga anëtarë të jurisë, të ftuar, mbështetës të këtij festivali mes të cilëve kreu i bashkisë së Pogradecit dhe Ministrja e ardhshme e Kulturës, Mirela Kumbaro.


Artan Shkëmbi, kryetar i Bashkisë së Pogradecit: Koha iku shumë shpejt. Jemi shumë të trishtuar që ju nesër do të ikni. Shpresoj që koha deri në festivalin që vjen të kalojë po kaq shpejt dhe t’ju shohim sërish shtatorin tjetër.

Mirela Kumbaro, Ministre e ardhshme e Kulturës: Dua të them që është një ngjarje shumë e bukur, jo vetëm së është një festival filmi, është një festival kulinarie shije të gojës dhe të shpirtit dhe nëse mund të ngushëllojë pak kryetarin e Bashkisë, Shkëmbi: Festivali i filmit mbaroi, por ju e dini më mirë se sa unë që Pogradeci është festivali i kuzhinës së 365 ditëve, kështu që këtu na keni.

Për gjashtë net, kinemaja e qytetit është mbushur nga pjesëmarrësit të cilat kanë mundur të ndjekin mbi 60 filma nga 11 vende të Ballkanit, ndërsa gara artistike është përmbyllur me shfaqjen e filmit shqiptar “Skënderbeu”. /TopChannel/