LAJMI I FUNDIT:

Faj na ka bota?!

Faj na ka bota?!
Ilustrim

Nëse na dëgjon dikush çka flasim e çka shkruajmë, fitohet përshtypja se për ngecjen e mospajtimet tona, na ka faj krejt bota, prej kur ekzistojmë. Askush nuk e thotë edhe një fjalë kritike për veti.

Faj na kishte e na ka akoma gjithë bota pse nuk pajtoheshim për të bërë një alfabet shqip për shekuj me radhë?!

A na kishte faj Perandoria Osmane që nuk po bënim alfabetin tonë?


Po t’i pyeste sulltani shqiptarët që jetonin në Stamboll, a doni shkolla shqipe, vet ata nuk do të lejonin kurrë alfabet as shkollë publike shqipe. Ata jetonin mirë në kryeqytetin perandorak. Ata ishin të privilegjuar! E kush nuk ka dëshirë të jetë i privilegjuar edhe sot?!

Faj kishim vet që nuk pajtoheshim dot për asnjë çështje madhore kombëtare!

E vërteta është e pamëshirshme. Histori me rrena nuk bëjmë dot.

Polemikat me botën i kishim nisur edhe kur nuk kishim alfabet fare.

Edhe të parin shqiptar që po sillte shkronjat e para, e vrau një tradhtar shqiptar.

Edhe në vitin 1908 kur u themelua alfabeti në Manastir, akoma këndej pari ishte Perandoria Osmane.

Alfabeti u bë kur ndodhi pajtimi mes dy shoqatave (katolike) “Agimi” e “Bashkimi”, që të dyja të Shkodrës.

Pse të mos thuhet e vërteta e madhe se në Stamboll jetonin e punonin shumë shqiptarë të pasur, e shumë pashallarë e nëpunës të sulltanit të cilëve u pengonte më shumë gjuha shqipe se vet padishahut.

Pse edhe sot e kësaj dite, kishës katolike nuk i pëlqejnë Ndre Mjeda, Anton Çetta. Mark Krasniqi e disa bashkëmendimtarë të tyre?

Pse rri mbyllur Muzeu i Ndre Mjedës në Kukël, të cilin e ndërtoi shteti shqiptar?

Pse nuk thuhet publikisht kush është fajtor dhe kush çka po kërkon? Lakmia për pronë e kapital nga të gjitha religjionet e tarikatet nuk mund të fshihet. Do pronë e kapital edhe Myftiu. Do pronë e kapital edhe Kisha katolike. Secili synon me çdo kusht të jetë i pari në zonën krra-krra.

U ndërtua katedralja midis Prishtine. Ashtu bëri edhe Myftiu i Kosovës. Mori leje (me zor) për ndërtimin e xhamisë më të madhe në Ballkan, e cila po ndërtohet afër Postës qendrore të Kosovës. Dhjetë xhamia në qendër të Prishtinës e shtatëqind të tjera xhami të reja anekënd Kosovës, rrinë thatë, dhe pak kush hynë brenda tyre.

Bash sikur para pushtimit osman, duket se këtyre religjioneve nuk ju intereson popull i arsimuar por iu duhen analfabet. Këto nuk janë dukuri fetare, as atdhetare, por krejt politike, të atyre që drejtojnë këto religjione.

Të dyja fetë, i shohim duke uruar njëra-tjetrën në rast festash, ndërsa ditëve tjera përpiqen t’ia nxjerrin sytë njëra tjetrës. Përmes tyre, djalli ka lëshuar vezë në çdo pore të shoqërisë. Propaganda fetare e këtyre dy religjioneve ka depërtuar edhe në çdo ent parashkollor deri në fakultete e akademi. Kanë nxjerrë kokën edhe në institucionet publike shtetërore, në polici e ushtri, e kjo nuk është fe, por krejt politikë.

Derisa nuk arrihej pajtim për një alfabet shqip, pakkujt i është kujtuar se gjuha shqipe, përveç alfabetit, duhet të ketë edhe rregulla drejtshkrimore, gramatikë, morfologji, fonetikë e sintaksë të sistemuar me rregulla të zbatimit.

Kështu, nga ajo kohë ka mbetur pezull edhe numri i pjesëve të ligjëratës.

Kanë mbetur edhe punë të tjera që të kemi një gramatikë të kompletuar.

Për fat të mirë, individë dijetarë, atdhetarë të përjetshëm kanë vazhduar vetë të kryejnë shumë punë të rëndësishme që kanë mbetur pa përfunduar.

Për shembull: ndodhi që një studiues i zellshëm të hartojë e botojë librin “Zgjedhimi i foljeve të parregullta të gjuhës shqipe në të gjitha kohët e në të gjitha mënyrat”.

Mbi të gjitha, është mirë që vet gjuha shqipe, edhe në këtë gjendje ku gjendemi sot, ofron mundës (është elastike) për të folur e shkruar edhe tipat që nuk njohin as nuk zbatojnë asnjë rregull drejtshkrimi.

Nuk ka mbetur diçka e paqartë për të mos u respektuar rregullat e gjuhës së shkruar, që tashmë janë dëshmuar në jetë.

Shtrohet pyetja: sa kohë do të na duhej për të bërë rregulla të reja drejtshkrimi?

U desh të presim shekuj me radhë për pajtim për alfabet.

Askund dhe në asnjë rast, askush nuk e thotë hapur historinë e vërtetë të alfabetit.

Secili fajëson pushtuesit që nuk ishin pak, por për fajin tonë nuk thuhet një fjalë e vetme kritike.

Çka bënim ne gjatë gjithë kësaj kohe?

Nëse për alfabet na u deshën 20 shekuj, për rregullat e drejtshkrimit me siguri do të duheshin edhe 40 shekuj.

Sa kohë do të duhej që shqiptarët të merren vesh për një gramatikë?

Puna u krye nga njerëz të dijes që nuk kërkonin me çdo kusht bajrakun e të parit në këtë lëmi.

Në një kohë kur studimet albanologjike kishin arritur shkallë të lartë përparimi. secilit albanolog, së pari i duhej alfabeti e fill pastaj gramatika e gjuhës shqipe, me rregullat e drejtshkrimit.

Pas plot një shekulli, akoma shohim mospajtime me rregullat drejtshkrimore, jo për ndonjë problemi serioz, por krejt për shkak se i kemi iri dhe nuk na pëlqejnë rregullat.

Kemi edhe rregullat e fjalëformimit, të pranuara e të verifikuara nga ekspertët e kësaj fushe, e që janë të përshtatshme për gjuhën shqipe, por shohim që jo pak individ, akoma formojnë konstrukte fjalësh e kompozitash të çoroditura jashtë çdo rregulli dhe që janë në kundërshtim me natyrën e gjuhës shqipe.

Çka është edhe më keq, shumë individë që kanë zënë pikat kyçe në këtë hierarki, duke parë vetën më të avancuar se fjalori i drejtshkrimit. Edhe atje ku ka lektorë që paguhen për këtë punë, këta satrapë janë të kujdesshëm të kërcënojnë lektorët që të mos ua korrigjojnë ato konstrukte të pjella nga egoja e tyre e sëmurë, megjithëse janë krejt në kundërshtim me rregullat e fjalëformimit shqip.

Flisnim shqip me shekuj, por nuk u morëm vesh mes veti me shekuj.

Gjithçka duket mistike.

Nuk bëmë me shekuj alfabetin shqip, mu pse sa duket kishim frikë se ai alfabet i përbashkët mund të zvogëlonte mospajtimet tona.

Si është e mundur që shqiptarët flasin gjuhën e tyre aq mirë, e nuk kanë as alfabet as rregulla (normë) drejtshkrimi, pyesnin albanologët e huaj?

Aq pasuri fjalësh kishte gjuha shqipe sa i befasonte të gjithë ata albanologë të huaj që po përpiqeshin ta konstruktojnë gjuhën e lashtë shqipe që jeton akoma e përdoret ashtu në përditshmëri nga shqiptarët, por nuk kanë një alfabet shqip!

Mbi të gjitha, sintaksa e gjuhës i kishte mbijetuar të gjitha pushtimeve dhe ndikimeve të huaja.

Edhe kur kishin depërtuar shumë fjalë të huaja në gjuhën shqipe, ato përshtateshin e modifikoheshin deri në atë masë saqë dukeshin sikur janë më shumë me origjinë shqipe sesa të huazuara.

Këtë fakt e kishin vërejtur herët ata albanologë të huaj që po gjurmonin e konstruktonin gjuhën e lashtë. Madje asnjë nga albanologët e huaj nuk e kishin shtruar problemin e mungesës së alfabetit të gjuhës shqipe.

Jo që nuk kishte shkruar dikush gjuhën shqipe në letër, jo që nuk kishte dokumente për këtë, por mungonte strumbullari që dëshmon vet gjuhën -mungonte alfabeti i saj.

Alfabeti duhej të kishte shkronja aq sa kishte gjuha shqipe tinguj të artikuluar. Historiatin e përpjekjeve shekullore individuale për një alfabet të përbashkët, nuk e ka bërë askush.

Shumë më vonë, vetëm kur Shqipëria ishte bërë shtet, Justin Rrota kishte botuar një libër modest kushtuar historisë së alfabetit.

Megjithëse studimet albanistike kishin arritur shkallë të lakmueshme, të gjitha ato po bëheshin në gjuhë dhe alfabete të huaja, pasi shqiptarëve u mungonte alfabeti e të mos flasim për rregullat e drejtshkrimit.

Edhe kur një numër shqiptarësh kishin mbaruar ndonjë shkollë a specializim të lartë jashtë vendit, ata duhej të shkruanin me alfabet të huaj.

Kur dihet nga sa shkronja ka secili alfabet i huaj, atëherë del sheshit edhe domosdoshmëria që të kemi një alfabet për të cilin ujdia ndodhi vonë, atëherë kur edhe pavarësia po e kërkonte si kusht të parë alfabetin shqip nga vet shqiptarët.

Një gjuhë e përparuar që flitej me shekuj, mund të shkruhej moti por mungonte vullneti i njerëzve, egoja e paparë, inati i paparë. Maksima: unë i pari!

Ata që në çfarëdo mënyrë kishin detyrë të shkruajnë diçka në kohë të caktuar, ishin përfaqësuesit e klerit.

Një prift, një murg, apo një hoxhë, qoftë ai atdhetar me shpirt, edhe po të kishte vullnetin më të fortë për të shkruar shqip, nuk kishte si të shkruante, kur nuk kishte alfabet. Në këtë situatë kemi parë e vërtetuar, se ka pasur përpjekje për të shkruar shqip me alfabet të huaj, së paku para pesëqind vjetësh.

Kemi parë e vërtetuar se ata që lanë trashëgimi shkrime shqip me alfabet të huaj nuk e kishin pasur lehtë. As ata që më vonë u morën me këto shkrime nuk e patën lehtë t’i deshifronin ato tekste, pasi zëvendësimi i shkronjave ishte punë që kërkonte studime të reja e të zorshme.

Një alfabet i huaj nuk e përthekonte dot gjithë fondin e tingujve të artikuluar të gjuhës shqipe. Është vërtetuar se nëpër arkiva të kishave, manastireve e xhamive, kanë mbetur shkrime të tilla, por që kanë mbaruar pa i lexuar e prekur askush për t’i nxjerrë në dritë. Ato duke qenë të shkruara me alfabete të huaja ishte zor të zbulohen pa një punë të gjatë e të mundimshme të pasardhësve.

Shembull është “Meshari” i Gjon Buzukut.

Vonë, vetëm duke lexuar biografitë e dijetarëve tanë më të hershëm është zbuluar se ata kanë lënë të shkruar edhe vepra të tëra, por me alfabet e gjuhë të huaj, mu për shkak se nuk kishin si ta shkruanin shqip, pasi nuk kishte alfabet të gjuhës shqipe.

Krejt emrat individualë që lakohen, kur flitet për fillin e shkollës shqipe janë të vonë. Edhe kur dikush shkruan për hapjen e shkollave të para shqipe, madje edhe të universiteteve, nëse mendojmë kthjelltë, janë përralla. Asnjë gjurmë të alfabetit shqip nuk e gjejmë dot.

Studimet albanistike i nisi me fakte de Rada, përtej detit. Ai kishte parë tiparet themelore që e karakterizojnë gjuhën shqipe. Po atë studim e vazhdon më vonë, vetëm Ndre Mjeda kokëfortë e i vetmuar.

Mjeda edhe shkruante shqip, por me alfabetin e tij që nuk përputhej me atë të Fishtës që ishte rrekur pas krijimtarisë popullore dhe rapsodive të Malësisë.

Mjedën që kishte marr mësim në shkollën jezuite, e dërguan për mësime të larta në disa shkolla jezuite larg vendit, prej nga u përjashtua jo një herë, mu për shkak të kokëfortësisë me të cilën argumentonte ekzistencën e gjuhës shqipe.

Kur shkruajmë për albanologët, që i vendosën themelet e albanologjisë, ata janë krejt të huaj, në mesin e të cilëve nuk gjendet asnjë shqiptar, deri në shekullin e fundit të mileniumit të kaluar. Tri janë dokumentet e para të gjuhës shqipe, dhe ato të shkruara me alfabet të huaj.

Edhe sot kur gjuha shqipe standarde ligjërohet e mësohet në më shumë se dyzet katedra të universiteteve më të njohura të botës, shohim mospajtime mes veti, jo vetëm për gjuhën e shkruar standarde por edhe për alfabetin.

Unifikimin e gjuhës së shkruar shqipe që u bë në një kongres shumë vonë

në Tiranë. Kontestuesit e gjuhës letrare ia atribuojnë Enver Hoxhës, e nuk e thonë se ideja për gjuhën e përbashkët letrare kishte histori shumë të vjetër. Krejt këto fakte anashkalohen nga inatet meskine fisnore.

Për inati shohim publikime pro gegërishtes, pa asnjë fakt të qëndrueshëm. Pajtimi për një gjuhë të shkruar standarde, me bazë mbi të folmen e Elbasanit, për të cilën ide ishin angazhuar dijetarët më të zgjuar të kombit njëqind vjet më herët, nuk përmenden asnjëherë.

Sa është i thjeshtë kundërshtimi i gjuhës së njësuar shqipe, arsyetimi i vendimeve të Kongresit të Tiranës është më i thjeshtë.

Zhvillimi i të folmeve gege kishte ngecur në kohë. Dialekti tosk kishte ecur përpara duke filluar nga shekulli gjashtë deri në shekullin njëmbëdhjetë me zbatimin e rotacizmit në të folur e në të shkruar, por pa një alfabet të pranuar gjithë-shqiptar. Gegërishtja kishte mbetur gjuhë e pashtjelluar në shumë dimensione. As si dialekt nuk kishte arritur shkallë të pranueshme. Thjeshtë, kishte mbetur në nivelin e të folmeve të mëhallëve, fiseve, bajraqeve e krahinave. Ky fakt, për fat të keq mund të vërtetohet edhe sot e gjithë ditën. Cungimi i fjalëve në vazhdimësi e dëshmon bindshëm këtë fakt. Në të folur shkurtoheshin fjalët aq shumë, dhe kështu dukej sikur i humbej edhe kuptimi i tyre dhe ishte zor të shqiptohen nga të tjerat krahina e fise, që rastësisht i përdornin ato fjalë. Ka edhe sot, toponime, folje, e pjesë tjera të ligjëratës së gjuhës shqipe në të folmet gege që kanë ngecur në kohë. Edhe ata që shkruan veprat e para në dialektet dhe të folmet ekzistuese, përdorën alfabet të modifikuar pasi nuk kishim një të vetëm. Madje për mungesë të alfabetit,

Kristoforidhi botoi fjalorin e parë të gjuhës shqipe me alfabetin dhe gjuhën greke. Për më shumë hollësi konkrete të këtyre të metave nuk duhet humbur kohë. Megjithatë, për të nderuar dhe respektuar gjuhen e folur në periudha të hershme, ka emra toponimesh që janë ruajtur por që njeriu i sotëm i lexon dhe shqipton me vështirësi.

Dallimet në arealin e gegërishtes ishin të shumta e të papajtueshme mes fiseve, trevave, madje edhe fshatrave deri edhe tek lagjet e bajraqet.

Krejt këta rreshta janë arsyetim i domosdoshmërisë së formimit të një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe pa të cilin as nuk kishte kurrfarë kuptimi angazhimi për hapjen e shkollave publike në gjuhën shqipe.

Akoma dëgjojmë vajtime se si pushtuesi nuk na kishte lejuar hapjen e shkollës shqipe! Akoma shumica dërmuese që merren me këto studime nuk e kuptojnë esencës e hapjes së shkollave në gjuhën amtare! Akoma askush nuk e thotë se vetëm komunizmi ia doli të hap shkolla në çdo fshat e qytet. Vetëm Komunizmi me angazhim të vendosur, madje edhe me ligje ndëshkuese, arriti të përfshinte në mësim djem e vajza. Sado që trumbetohet akoma se kush e nisi ma i pari këtë punë, askujt nuk i pëlqen t’i themi i dyti.

Pa alfabet dhe pa përfshirjen e gjithë djemve e vajzave në bankat shkollore, nuk mund të kishim kurrë as shkollë publike as gjuhë të përbashkët letrare shqipe.

Pak kush e pranon këtë fakt.

Sa shkronja duhet të kishte alfabeti?

Pse duhet të kishte aq shkronja (36)? Ku mund ta merrnin bazën e alfabetit të gjuhës shqipe ata që ishin tubuar në Manastir? Po ta merrnin alfabetin arab, nuk i përshtatej askund gjuhës shqipe dhe dilte anakronik me vet alfabetin turk të cilin e kishte pranuar vet Turqia mbi baza të alfabetit latin.

Alfabeti latin nuk e përthekonte dot numrin e tingujve të artikuluar të gjuhës shqipe.

Ku me ditë kush kishte menduar për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe gjatë pushtimit osman.

Fjalia “Duam shkolla shqipe” nuk ishte vetëm kërkesë e Hasan Prishtinës?! Kishin kërkuar hapjen e shkollave shqipe edhe deputet të tjerë shqiptarë në kryeqytetin perandorak, por pa pasur rast të shtojnë edhe ndonjë fjali tjetër arsyetimi të kësaj kërkese.

Askush nuk e thotë se sa e pengonte realizimin e kësaj kërkese shtresa e pasur me origjinë shqiptare që në Stamboll, numerikisht ishte e madhe.

Ata pasanikë mendonin se hapja e shkollave shqipe i rrezikon ata dhe të ardhurat e tyre.

Nuk kishte konfrontim arsyesh, por inatesh shekullore, se cili është më i mençëm dhe cili duhet gjithqysh me qenë i pari.

Dhe, nga historia e fakteve shohim se kur nisi puna për të bërë një alfabet të përbashkët dolën në skenë mospajtimet e shekullore, kush duhet të jetë i pari.

Dhe, çka është më keq, ato mospajtime vetëm për alfabetin konkret, kishin zgjatur më shumë se një shekull.

Pse nuk arritëm ta kemi një alfabet deri në vitin 1908?

Nuk kishim alfabet, jo që na pengonte dikush aq shumë, por nuk merreshim vesh dot mes veti.

Kishte dikur shoqata shqiptare në Stamboll, në Selanik, në Sofje, në Bukuresht, në Kajro, por edhe në Perëndim. Ato grupe shqiptarësh botonin edhe ndonjë gazetë a revistë periodike.

Ka dokumente. Ka gazeta! Ka libra, ka romane, ka drama të shkruara shqip, por me alfabet të huaj, por edhe krejt në gjuhë të huaj. Ka një mal faktesh.

Me cilin alfabet shkruanin ata shqiptarë?

E vërtetë është se shkruanin me alfabete të ndryshme varësisht ku vepronin ato shoqata. Veç duhet pranuar se nuk kishim alfabet shqip.

Kishin kaluar më tepër se pesë shekuj pushtim. Alfabeti shqip akoma kishte mbetur ëndërr për pjesën më të madhe të kombit, akoma në formim.

Asgjë nuk e zëvendësonte gjuhën e shkruar! Për të pasur gjuhë të shkruar amtare duhej alfabeti.