LAJMI I FUNDIT:

Epopeja e QKUK-së

Epopeja e QKUK-së

(Çdo ngjashmëri me personat realë është e rastit! Emrat e personave që përmenden si pacientë të QKUK-së, nuk janë realë! As shteti, përkatësisht vendi i ngjarjes nuk është realë, se këtu nuk ka shtet!)

Në këto çaste kur po e shkruaj këtë kolumne, kjo ngjarje tashmë ka kaluar në histori! Sidoqoftë po e rrëfejmë për gjeneratat e ardhshme! Ndërkohë që shteti po sillet vërdallë dhe po heton diçka, por… s’ka çka me ba shteti i ngratë! Fjalën e fundit do e thonë vetëm historianët!

Kështu, Sabiti, i sëmurë rëndë, i shtrirë në dhomën e kujdesit intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (në tekstin e mëtejmë veç QKUK), me fuqitë e fundit i shkëputi tubat me të cilat ishte lidhur për aparatet që e mbanin ende në jetë dhe tha: “Burra, po dalim”! Dikush e lëvizi dorën, dikush kokën e dikush vetëm qepallat, por të vetëdijshëm për momentin historik nëpër të cilin po kalon vendi ynë, të gjithë u pajtuan me këtë fjalë burrash.


“Ke fol si burrat, Sabit”, i thanë të tjerët! “Po dalim! Mos të pengojmë procesin! Mos të pengojmë negociatat, në mes të dy palëve!Në mes të burgosurve dhe të EULEX-it! Se shteti jonë, nuk është aty! As me ata e as me këta! Ka thye qafën në… bostan”!

Lëvizja paqësore që po lindte para syve të tyre në QKUK, i entuziazmoi pa masë pacientët e sëmurë rëndë! U dha shpresë për një jetë më të mirë! Kur të vjen xhebraili me na marrë, tash mundeni me i thanë: “S’po due me ardh”! Kur të vijnë gardianët me ju thanë “hajdeni me shkue në burg”, ju mundeni me thanë: “S’po due”!

Shteti më nuk është më aparat i dhunës! E kemi ndërru kuptimin e shtetit! Ka vdekur komunizmi, burra! Rroftë demokracia! Themeli i Misionit të Ri! S’ka shtet! Jemi veç ne! Qysh të doni ja bëjmë!

Kështu, pacientët e sëmurë rëndë lidhën besë! “Nuk është kohë me vdes”, foli jerm njeri nga ata dhe u qua nga koma! “Duhet me jetue e me pa se qysh po jet’ kjo punë”.

“Çka ke me pa more burrë”, po thoshte mjeku kujdestar, një djalë i ri i porsa punësuar në QKUK! “Ec , kthehu e shtriju në shtrat”, po i thoshte ai një pacienti, i cili po zvarritej drejt derës! “Në shëndetësi s’ka politikë! S’ka kurgjo more burrë! As barna, as kushte…!”, po fliste mjeku i ri kujdestarë dhe po… qante.

Pacientët, duke kujtuar se po qante për shkak të situatës politike të krijuar në shtet, nejse në vend se shtet këtu nuk ka, po e ngushëllonin! “Hajt burrë, se veç po lujnë pak fshehtas me shtetin, qy”!

“Hajt, doktor se do bëhet mirë”, po e ngushëllonte një pacient tjetër i sëmur rëndë! “Në fund, gjithçka bëhet mirë! Kah kanë me shkue! Bota është e rrumbullakët! Pastaj, krejt bota janë k’sajde! Të mençur jan të dy palët, dhe nuk luftojnë në mes vete ata, mos u tut! Nuk e mund dot shteti familjen, o doktor! Jo çdo familje! Disa familje te ne janë më të forta se shteti”!

Mjeku fshiu lotët, e ndezi një cigare dhe tha: “Zoti ju ruajt burra. Më shëruat” ! “Po dalim! Nuk bën me prezencën tonë me e pengue procesin hist(e)orik! Ne e kuptojmë kur jemi të tepërt! S’ka nevojë me na përzënë”!

Përjashta, ish-deputetë, ish-veprimtarë, ish- luftëtarë, ish patriotë, ishin strehuar nën hije për shkak të diellit të fortë dhe po bisedonin zhurmshëm. Po artikuloheshin kërkesat, për të cilat më pastaj do të flasin gjeneratat! E shteti nuk ishte aty! As në uniformë e as i maskuar. Nuk donte me i shqetësue kot!

Veç ditën e parë shteti kishte shpallur shtetrrethim nëpër lagje të kryeqytetit. Për me i kap të arratisurit! Të cilët as kishin lëvizur nga vendi! Operacioni “Unaza e çeliktë” i dizajnuar me i kapë të ikurit, krijoi kaos të paparë në komunikacionin! Në vend të arratisurve, e kapën Dardanin! Sekretarin e Lëvizjes Vetëvendosje! Pa merak! Ishte veç një ngjarje për media! Cirkus!

Kështu, shteti, përkatësisht ajo që ka mbetur nga shteti, pas shpërndarjes së Parlamentit, pra kryeministri në detyrë, në këtë kohë kur po ndodhnin krejt këto ngjarje historike po i përcillte nga tribunat e stadiumit olimpik në Mitrovicë, ndeshjen historike të futbollit, ku morëm veç gjashtë gola nga vëllezërit e “tij”. Pra, nga përfaqësuesja e Turqisë. Po të mos ishte ndërhyrja e drejtpërdrejtë e kryeministrit në detyrë, ka mund të bëhet shumë më keq! Nuk kishim shpëtue pa dhjetë gola! Flitet se kryeministri në detyrë i ka shkrue drejtpërdrejtë kryeministrit Erdogan një SMS, me këtë përmbajtje: “Kadal he burrë, se veç ndeshje miqësore është! Nuk është Beteja e Kosovës!”!

Nejse, ne e bëmë tonën! Me këtë rast, për herë të parë e shpalosëm edhe flamurin gjigant të Kosovës, ku tifozët kaltër-e-verdh filluan të këndonin himnin: “O moj Kosovë e, mos thuj marova, eeee” ! Prej betejës së Kosovës e këndej, qoftë mit apo ngjarje e vërtetë, na ka mbet shprehi me i festua humbjet. Me rëndësi është me marrë pjesë!

Krejt kjo parodi, do të mësohet në histori! Në libra të historisë. Pasi të korrigjohet historia e shkruar nga komunizmi! Do të festohet tri ditë, si çdo festë e madhe! Do të festohet edhe udhëtimi historik, me tren, i kryeministrit për në Drenas. E pagoi biletën! Edhe ky ishte çast historik, të cilin e kapi kamera. Ata që e dinë shprehinë e kryeministrit në detyrë, betohen se ai ka shkua me tren veç për mos me provokua situatën…! Mirë, boll! Shteti nuk bënë me provokue… familjen! Disa familje, sidomos! Edhe ashtu deri tani krejt fushatën e ka ba me pare të shtetit! Ka shteti pare!

Dikush tha se ato ditë, dikush megjithatë vdiq në QKUK! Vdiq shteti ligjor! Zoti pastë ba rahmet në shpiert të tij! Kështu lutemi ne, sidomos duke pasur parasysh koalicionin për shtet, ku kryeministri në detyrë dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë kanë ba disa kompromise për të cilat do të ju njoftojmë më vonë!

Thuhet se gjatë Luftës së Dytë Botërore, partizanët me gjermanë po luftonin rreth Landovicë! Ata bam, këta bum! Tym e flakë përreth! Luftimet ishin të ashpra! Pastaj pylltari hipi në maje të bjeshkës dhe piskati sa u rënqeth edhe qielli: “A po doni me ma kallë malin a? Dilni prej malit tim”!