LAJMI I FUNDIT:

Epoka e votuesve cinikë

Epoka e votuesve cinikë
Ilustrim
-->

Slawomir Sierakowski

Ne të gjithë e dimë se politikanët janë dinakë dhe cinikë, por a mund të thuhet tani e njëjta gjë edhe për elektoratin?

Shumë nga ata që votuan për presidentin amerikan Donald Trump, e dinin se ai ishte një gënjeshtar i përhershëm me lidhje të dyshimta me Rusinë, ashtu si radhët e konservatorëve në Mbretërinë e Bashkuar e dinë se Boris Johnson ka gënjyer dhe mashtruar gjatë ngjitjes në karrierën e tij. Në Poloni, nuk është sekret se partia qeverisëse Ligj dhe Drejtësi (PiS) po i mbush njerëzit e vet, po keqpërdor mediat publike, shpërblen miq dhe po dëmton pavarësinë e gjykatave. Megjithatë, PiS mposhti partitë opozitare të Polonisë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj.

Fakti që polakët, britanikët dhe amerikanët kanë zgjedhur të gjithë qeveri me moral të dyshimtë, është një shenjë që tregon atë që filozofi gjerman Peter Sloterdijk e përshkroi në fillim të viteve 1980 si “arsyetim cinik”. Sloterdijk argumentoi se, në mungesë të narrativave të progresit, elitat perëndimore kishin absorbuar mësimet e Iluminizmit, por i kishin zbatuar ato në shërbim të interesit të ngushtë e jo të mirës së përbashkët. Problemet sociale, si skllavëria, varfëria dhe pabarazia nuk lidheshin më vetëm me injorancën njerëzore, por treguan se njerëzit e shkolluar kishin mungesë vendosmërie për t’i zgjidhur ato. Siç ka thënë Slavoj Zizek, veprimi i ideologjisë sot nuk është “ata nuk e dinë, por po e bëjnë” – është “ata e dinë, por po e bëjnë gjithsesi”.

Sipas këndvështrimit të Sloterdijkut, ky cinizëm filloi me elitën. Tani ne të gjithë sillemi si egoistë të shkolluar. Edhe pse dimë se si të luftojmë pabarazitë, ato vazhdojnë ende të rriten. Autoritarizmi (qoftë rus apo kinez) e trajton më me efikasitet varfërinë sesa e bën demokracia. Shoqëritë e pasura preken pak nga luftërat apo nga krizat e refugjatëve.

Idetë e mëdha që premtojnë ndryshime të rëndësishme sociale, qoftë demokraci sociale apo demokraci të krishterë, po gjejnë jehonë vetëm midis brezit të vjetër. Votuesve që nuk u interesojnë populistët si Trumpi dhe kryeministri hungarez Viktor Orban që i ndryshojnë pozicionet e tyre të deklaruara nga njëra ditë në tjetrën, nuk janë admirues të verbër të pushtetit. Ata thjesht janë mbrojtës të interesave të tyre të veçanta. Nëse reduktimi i shkarkimeve të gazeve serrë nënkupton mbylljen e minierave të qymyrit dhe termocentraleve me qymyr, ata që kanë interes në sektorin e qymyrit nuk do të mbështesin politikat e klimës, ashtu siç njerëzve në zonat e pasura nuk u bëhet vonë për minatorët në minierat e qymyrit.

Në Evropë, ndarja në zhvillim midis të gjelbërve dhe populistëve duket të pasqyrojë një bosht të ri post-ideologjik. Në të dyja anët e ndarjes, votuesit tani sillen si punonjës politikë, duke theksuar tema të caktuara, ndërkohë që shmangin me dashje tema të tjera. Ata e kanë përvetësuar vijën e partisë (shpesh një larmi ish-politikash të marta dhe të djathta), të cilën pastaj e përsërisin në grupe fokusi, në rrjetet t sociale dhe rreth tryezave të darkave. Partitë politike nuk përfaqësojnë më votuesit. Përkundrazi, votuesit përfaqësojnë partitë, ndonjëherë madje edhe para se ato të lindin, siç u tregua nga protestat e jelekverdhëve.

Presidenca Trump, debati i Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe rritja e PiS-it dhe Orbanit sugjerojnë një humbje gjithnjë e më të përhapur të besimit. Vizioni i progresit i Evropës Lindore ishte prej kohësh sinonim me tranzicionin nga komunizmi në kapitalizëm, por tre dekada masash shtrënguese dhe pritjeje për një të ardhme më të mirë e kanë dëmtuar rëndë besimin e njerëzve në demokracinë liberale. Populizmi i bën thirrje votuesve me premtimin e tij për një lloj Revolucioni Kopernik, duke e përmbysur masat shtrënguese si edhe supozimet mbizotëruese të së kaluarës.

Pak kohë pas fitores së PiS-it në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, ku ajo mori 45.5 për qind të votave, faqja online e lajmeve Oko.press pyeti polakët: “A i ndjek PiS, partia aktuale në qeveri, interesat e saj partiak se më shumë sesa qeveritë e mëparshme PO-PSL (Platforma Qytetare-Partia Popullore Polake)”? Në përgjithësi, 68 për qind e të anketuarve u përgjigjën po dhe vetëm 24 për qind thanë se PiS-i është më pak egoiste sesa paraardhësit e saj. Edhe midis votuesve të PiS-it, 38 për qind pranuan se aparati shtetëror është më i politizuar tani sesa që ishte nën drejtimin e PO-së dhe PSL-së. Kur u pyetën nëse qeveria aktuale e PiS-it bën më shumë për të përfituar vetë financiarisht nga zyrtarët e saj sesa qeveritë e mëparshme PO-PSL, 58 për qind e konsideruan PO-në dhe PSL-në më të sinqertë.

Megjithatë, në grupet e fokusit të votuesve polakë, dëgjon vazhdimisht gjëra të tilla si: “E di që PiS nuk është e sinqertë, por ata kujdesen për popullin. Ata vjedhin dhe punojnë, por të paktën ndajnë gjëra.” Me fjalë të tjera, këta votues e mbështesin PiS-in pavarësisht nga mangësitë e saj të dukshme, sepse ata nuk besojnë se mund të përballojnë të largojnë një parti që ka përfituar para dhe të mira të tjera sociale për vete.

Teoria e perspektivës, modeli i sjelljes ekonomike i nisur nga laureatët për Nobel, Daniel Kahneman dhe Amos Tversky, parashikon që njerëzit do të bëhen më pak të rrezikuar nëse u paraqiten vetëm mundësi të këqija. Llogaria jonë varet jo vetëm nga ajo që mund të fitojmë apo humbasim në terma absolutë, por nga situata dhe pritshmëritë tona aktuale. Kur dikush që pret një pagesë të lartë merr më pak sesa pritet, ai do të ndiejë zhgënjim dhe jo kënaqësi që të paktën ka fituar diçka.

Këto deduktiva tregojnë se si votuesit mund të lidhen me politikanë të tillë si Trump ose udhëheqësi i PiS-it, Jarosław Kaczyński. Votuesit polakë, britanikë dhe amerikanë kanë bërë zgjedhje politike që ata e dinë se mund të jenë të rrezikshme sepse ata ndiejnë se nuk kanë çfarë të humbasin dhe mundësitë e tyre për të zgjedhur janë midis “keq” dhe “më keq”. Mbështetja e idealeve të larta si demokracia liberale, rendi kushtetues dhe liria e shtypit ngjan si një luks i papërballueshëm. Ata nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë përfitime materiale për parime abstrakte.

Kush mund t’i fajësojë? Korporatat shumëkombëshe perëndimore që bëjnë biznes në Rusi, Kinë dhe vende të tjera, për vite me radhë kanë sakrifikuar idealet liberale në emër të fitimit. Siç vëzhgoi Sloterdijk pothuajse 40 vjet më parë, arsyetimi cinik mbizotëron. Nëse e njëjta gjë do të vlente edhe për pasurinë, historia mund të kishte rezultuar shumë më ndryshe. /Project Syndicate/BIRN/