LAJMI I FUNDIT:

Epoka e erërave të shpresës politike dhe busulla e çmendur qeverisëse

Korpusi i parimeve politike, platforma dhe vija institucionale kombëtare , nuk janë komponente dalluese të kësaj qeverie e as e qeverive të pasluftës. Ne vendin tonë bëhen politika ad hoc dhe qaramanet e palaçot e politikës po mësohen të bëjnë përvoje duke abuzuar me institucione ( dhe thirren në institucionalizëm disa).

Fjala që sot po zë vend në disa debate televizive është institucionalizmi dhe imazhi politik i një vendi. Krejt çfarë politika e pasluftës ka ndërtuar është një tis i cili mbulon të vërtetën dhe një iluzion i cili thirret në pritje për profesionalizëm.

Qeveritë të cilat zinin vend në kohën e UNMIK-ut lirisht mund të futen të tërat në një thes si qeveritë e sheqerkave. Politikat e menaxhimit të tyre më shumë i kanë ngjarë zënies së një vendi të punës se sa menaxhimit mbi baza projekti apo politika programore. Karakteristikë e udhëheqësve ishte bërja e koalicioneve në moment te fundit dhe ndarja e pushteteve siç duan shefat. Kurse ministritë shquheshin për servilizëm ndaj të parit dhe për një dell sahanlëpirjeje kundrejt interesave kombëtare në raport me politikat denigruese të UNMIK-ut.


Refreni përcjellës i çdo pushteti të pasluftës ishte kompetenca dhe moskompetenca, në raport me shtyllat e turpit që rregulloheshin nga ndërkombëtarët dhe merrnin aminin nga vendasit. Me kujtohet një rast kur ishte koha e dorëzimit të kompetencave të ministrisë së punëve të brendshme të cilat nuk u dorëzuan sepse atë ditë kishte rënë shumë shi në Prishtinë (Raporti i Grupit Ndërkombëtar i Krizave “Kosova: zgjedhje historike” (Europe Report Nº12021 November 2001)).

“Tirani i ligjshëm” i kohës po shërbente mbi kalamajtë politik të cilët mashtroheshin qysh në sheqerkën e parë (dhe si duket na është bërë sëmundje ngjitëse që politika e vendit nuk arrin të maturohet por gjen forma tutorial). Tekave të PSSP-s së kohës nuk kishte politikan e as moral politik që ti kundërviheshin. Mund të themi se moral politik qytetaresk që i kundërpërgjigjeshin politikave të UNMIK-ut kishte vetëm shoqëria civile e cila e konsideronte fuqinë politike të ndërkombëtarëve si despotin e liruar nga detyrimet të cilët këta të fundit po ia rezervonin vetit përmes kompetencave dhe qe gjenin taban përball politikanëve inkompetente ( si në aspektin kombëtar edhe në atë qytetar).

Dhe posa vinte koha e përfundimit të kompetencave të UNMIK-ut vinin dhe zgjedhjet të cilat manipuloheshin dhe duke marr verdiktin e hajnit edhe vetë pushteti i UNMIK-ut i legjitimonte këta të fundit për t’i manipuluar dhe shantazhuar politikisht më vonë duke ia shtuar vetes kohën e sundimit.

Dhe kështu në rrugën e standardeve para statusit kur vendi nuk kishte statusin e standardit të jetës njerëzore, politika jonë krijonte iluzione qeverisëse përball popullit i cili po thellohej në varfëri ( kjo varfëri e bëri edhe vetë shoqërinë inegzistente) dhe po qe se i referohemi asaj thënies se një popull reagon kur nuk ka liri më shumë se sa kur ka uri, atëherë neve kishim gjoja se një liri, por uria po na robëronte edhe më keq.

Morali i politikës në vendin tonë po zvetënohej dhe parimet politike po i bënte djalli. Duke vrojtuar politiken tonë çdo njeri mund të vëreje se këtu bëhet politika e shembullit të keq. Anomalit që vendosem në pah më lart janë bërë precedenti referues i politikës sonë. Dhe nuk janë vetëm vjedhja e votës apo korrupsioni i cili është nacional dhe internacional (dhe ky i fundit i dëshmuar si me rastin e KEK-ut në 2007 ashtu dhe me rastin e FERRONIKEL-it, por dhe liria e fjalës e tubimit. (Skandalet kanë vënë në pyetje 891 milionë funte, që përmes BE-së çdo vit hyjnë për projekte të Kosovës përmes të OKB-së dhe Bankës Botërore. http://lajme.parajsa.com/Politike/id_88481/ http://ëëë.kohajone.com/html/artikull_35129.html).

Vjedhja e votës është precedenti më bizar që po e shquan sistemin tonë të demokracisë në këtë republikë që shumë pak ka republikë. Në këtë rast unë shohë një Qytetari te munguar të vendit tim e cila nuk reagon atëherë kur e sheh se e keqja ka filluar, por reagon atëherë kur e keqja ka marre metastazat e saj. Në sistem është futur një qytetari e korruptuar kurse qytetari i korruptuar thotë Millon-Delsol në kuptimin civil është ai që i mbush kutitë e votimit – e shkon me duart e tij në autokraci; duke shkelur rregullat, ai kërkon tinëzisht mbretërimin e kulluar të forcës.

Dhe forca është termi i cili në republikën tonë është më i paqarti, por edhe më i përdorshmi. Ndoshta dhe ky është precedent i mbetur nga koha e UNMIK-ut i cili si tiran i ligjshëm (term ky i referuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave) po mbyste çdo herë e ma shumë frymën e qytetarisë dhe duke pas me vete një grup politikanësh të cilët tashmë i kishin hyrë valles së shantazhit politik nga këta po gjenin përkrahje politike, por edhe publike për mbytjen e fjalës së lirë në këtë shtet që më vonë do të quhej Republikë.

Kursi politik i republikës sonë është në kontradiktë me vetë emërtimin meqë veprimi i pushtetit qeveritar kalon vijat e sanksionuara të asaj që e njeh republika (apo zëri i popullit). Modeli i republikës ku shtypen protestuesit është ai i UNMIK-ut, kurse kur republika nuk ka protesta na shfaqet një model i mungesës së lirisë dhe duke përdor një thënie te Montesquieut “Sa here qe do ti shohim të gjithë njerëzit të qetë në një shtet që e quan veten republikë, mund të jemi të sigurt se aty liri nuk ka”, andaj ky vend po rrëshqet drejt autoritarizmit qeveritar të një shteti policor i cili mbyt lirinë e tubimit kur ajo është e sanksionuar në kartën e Bashkimit Europian për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut si liri elementare duke pasur edhe primatin mbi lirinë e lëvizjes.

Dhe model i së keqes apo rregullat e djallit së fundi mund të konsiderohet baza e cila i përcakton lëvizjet e lojës në shtetin tonë (mjerimi është se edhe vetë Baronesha Ashton kërkon që të mbytet e drejta e protestës në këtë vend dhe shkel rregullat e lojës së BE-s).

Ajo që desha të vë në pah nga e gjithë kjo është se të gjitha të metat e qeverive tona kanë një emërues të përbashkët e ajo është politika kuturu dhe pa platformë kombëtare. Kjo i ngjanë shumë një rrugëtimi me anije ku velat e saj i rrahin erërat e forta, kurse lundrimi bëhet me shpresë që erërat po na dërgojnë në destinacion. Dhe në oqeanin e politikës sonë erërat kurrë nuk kanë pas drejtimin e favorit, por të shtypjes dhe siç e thotë i madhi Faik Konica se “shqiptarët në perëndim konsiderohen si negër dhe si të tillë trajtohen” (edhe sot kemi situate të njëjtë vetëm se të paketuar ndryshe, gjithsesi jemi te getoizuar).

Neve vazhdojmë të mbajmë shprese se do të na përdhelin dhe do ta kalojmë klasën me hatër (por favori po i bëhet vetëm Serbisë e cila po poentohet në politikat tona pa program). Anija jonë politikë një ditë ose do të fundoset ose-ose pjesëtarët e ekuipazhit do të reagojnë sepse i ka zënë deti shumicën në bord. Kapiteni i cili pa pardon morri timonin që nuk ja kishte haberin se fundi do të duhej ta vinte në konsideratë, zërat që po i vijnë nga kuverta. Kurse stafi drejtues kushdo që do të vijë të drejtoj anijen duhet të ketë kujdes me busullën e çmendur. Ajo po vërtitet dhe nuk tregon askund veriun, për ta stabilizuar dhe busullën dhe republikën duhet të krijohet një platformë kombëtare para se të bëhemi ndërkombëtarë dhe metropolitan. Globalizmi thotë Bzhezhinski është forma më e forte treguese e supremacisë kombëtare.

Andaj model i udhëheqjes si UNMIK-u nuk do të duhej të ishte yrneku i asnjë lideri e as partie e lere më qeverie. Për mos ti zënë deti popullin në anije dhe që të mos i mbajnë shpresat së erërat do t’iu fryjnë velave kah e mbara, çdo qeveri duhet të hartojë projektin kombëtar politik dhe të mos i vije keq që është shqiptar. Dhe sa më shumë që politikat tona do të arrijnë të pavarësohet nga praktikat e këqija, por edhe nga Serbia, aq më shumë do të gjejnë vend politikat shqiptare për shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e tjerë. Nuk kemi nevojë të tëhuajsohemi, të tjetërsohemi, e as të huaj të bëhemi, në fund të fundit kemi një imazh të pastër që nuk po na hynë në punë, sepse ndërkombëtarët nuk po e ndajnë politikën gjenocidale nga ajo e kooperimit. Andaj shqiptarët nuk kanë nevojë për politika nënshtruese dhe lajkatare, por si mos më kurrë, kanë nevojë për politika shqiptare e qytetare.

Në trend

Më shumë
Ish-shoku për Gjestin: Është mosmirënjohës, injorant i fëlliqur - për katër vjet ia kam paguar qeranë e i kam dhënë bukë

Ish-shoku për Gjestin: Është mosmirënjohës, injorant i fëlliqur - për katër vjet ia kam paguar qeranë e i kam dhënë bukë

Magazina
Gjesti befasohet nga fjalët emocionuese të Eglit në letër, derisa ai i shkroi ish-partneres

Gjesti befasohet nga fjalët emocionuese të Eglit në letër, derisa ai i shkroi ish-partneres

Magazina
Vrasja në Skenderaj, vëllai i viktimës: I kanë thanë zhveshu në mes lokalit, kanë deshtë me çnjerëzu, tani e kanë vra me 14 plumba

Vrasja në Skenderaj, vëllai i viktimës: I kanë thanë zhveshu në mes lokalit, kanë deshtë me çnjerëzu, tani e kanë vra me 14 plumba

Lajme
Plaçkitën 4 milionë euro në një bankë në Greqi, dy shtetas nga Kosova në kërkim

Plaçkitën 4 milionë euro në një bankë në Greqi, dy shtetas nga Kosova në kërkim

Kronika e Zezë
Analiza e ekspertit amerikan për ndryshimet e Trumpit: Serbia do të bëjë përpjekje për territore në BeH dhe Kosovë

Analiza e ekspertit amerikan për ndryshimet e Trumpit: Serbia do të bëjë përpjekje për territore në BeH dhe Kosovë

Lajme
“O Zot i madh më ndihmo” - Gjesti nuk pranon të lexoj letrën që shkroi në Big Brother

“O Zot i madh më ndihmo” - Gjesti nuk pranon të lexoj letrën që shkroi në Big Brother

Magazina
Kalo në kategori