LAJMI I FUNDIT:

Enver Hoxha nuk ishte Faraon a Hitler, por as Washington e Ataturk

Enver Hoxha nuk ishte Faraon a Hitler, por as Washington e Ataturk

Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës, Hysamedin Feraj, përmes një interviste për gazetën “Dita”, rrëfen se shqiptarët, Zogun e Enverin, gjithmonë duhet t’i shohin dhe lexojnë në bazë të konteksteve, pasi, sipas tij, asnjëri prej tyre nuk ishte ‘Hitler’ dhe as ‘Ataturk’. Feraj tregon po ashtu se ku kanë shkëlqyer Thaçi dhe Rugova, por nga ana tjetër, shpjegon dhe momentet kur janë ‘djegur’.

Sipas tij, dyzimi për historinë do ta shoqërojë përherë historinë. Përshkrimet, shpjegimet dhe vlerësimet i janë nënshtruar dhe do t’i nënshtrohen interpretimit, këto interpretime – interpretimeve të tjera, e kështu me radhë.

Ai vlerëson se njëlloj ka ndodhur me Rilindasit.

“Merita e tyre e madhe është vënia në zë e çka ishte heshtur, interpretimi origjinal në situatën siç perceptohej prej tyre dhe arritja e sukseseve të rëndësishme. Edhe këto na janë lënë trashëgimi për t’u zhvilluar, por që ne i kemi përdorur kryesisht si traditë, si mall për t’u konsumuar për llogaritë tona shpesh të vogla dhe private”, vlerëson Feraj.


Profesori Feraj thotë se mbreti Zog ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë shqiptare.

”Si i tillë nuk mund të fshihet prej saj, me ose pa shtatore. Derisa është kështu, shtatorja e tij është e legjitimuar, sepse është vetëm një prej formave, krahas atyre në tekstet e historisë, në të cilat na bëhet e pranishme për t’u gjykuar. Roli i tij në histori është kontradiktor dhe shtatorja e tij na rikujton çka do duhej e çka nuk do duhej bërë nga ne sot në rrethana të ngjashme. Madje secilit sipas leximit të tij, por gjithsesi, shtatorja është një objekt publik tjetër për t’u lexuar”, konstaton ai.

Ndërkaq, duke folur për figurën e Enver Hoxhës, ai vlerëson se nëse historia e ardhme do të ketë ndonjë ngjashmëri me të shkuarën dhe të sotmen mund të parashikohet se Enver Hoxha po ashtu do të ketë një objekt publik, në të cilin do të paraqitet për t’u lexuar.

“Për të do të flitet me të njëjtat argumente: se ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë shqiptare, se roli i tij është kontradiktor, dhe se secilit mund t’i kujtojë, tek ecën rrugës, se çka do duhej e çka nuk do duhej bërë. Dallimi i distancës kohore do të pakësohet ndërsa ngjashmëria e gjykimit për ta do të përafrohet. Gjithsesi dy analogji nuk mund t’i shkojnë asnjërit: analogjia me faraonë apo hitlerë, dhe as analogjia me Washington, apo Ataturk, etj. Ndër shqiptarët të dy këto role janë të rezervuara për të tjerë edhe sikur të mos kenë kurrë shtatore dhe vlerësim të tillë”, thotë Feraj.

Duke u lidhur në kontekstin e Kosovës, ai ka folur edhe rreth dy figurave ndoshta kryesore të historisë së re të Kosovës, raporton GazetaDita, transmeton Telegrafi.

Në këtë drejtim ai ka vlerësuar se qëndrimi i Ibrahim Rugovës për rezistencën paqësore ndaj pushtueseve serbë, ka qenë një politikë që ka kontribuar jashtëzakonisht shumë për fitoren e çështjes shqiptare.

“Është mangësi e tij që nuk kuptoj momentin e shndërrimit të kësaj rezistence paqësore në luftarake. Por nuk është një sjellje që e bën rëndësishëm kontradiktor për t’u vlerësuar. Qartas ai është një ndër personazhet me kontribut të veçantë pozitiv në historinë shqiptare”, ka vlerësuar Feraj.

Ndërkaq rreth figurës së liderit të UÇK-së, Hashim Thaçi, ai ka thënë se Thaçi është më kontradiktor.

“Është rast që ndodh shpesh në periudhën e paqes me fituesit e një lufte. Nuk ka dyshim se marrja përsipër e rolit të udhëheqësit të luftës çlirimtare të Kosovës kundër pushtuesve serbë i jep një meritë të veçantë dhe pozitive. Madje nuk është e rëndësishme sa ishte efektivisht i tillë, sa është e rëndësishme se i tha “po” asaj që në atë kohë. Edhe kaq mjafton që të ketë një vend të rëndësishëm në historinë shqiptare”, ka përfunduar vlerësimin profesori Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës, Hysamedin Feraj. /Telegrafi/