LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët: E vështirë rritja e pagave më 2015

Ekspertët: E vështirë  rritja e pagave më 2015

Ekspertët e ekonomisë janë shprehur skeptikë se gjatë vitit 2015 do të ketë rritje të pagave në sektorin publik.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS), Ibrahim Rexhepi, është shprehur skeptik rreth mundësisë së rritjes së pagave. Ai dyshon në ngritje pasi nuk ka një mbështetje të qëndrueshme për rritjen e të hyrave. “Pavarësisht projeksionit shumë të lartë, është shumë problem të realizohet e lërë më të kemi rritje të hyrave”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij, është e paarsyeshme rritja e pagave në sektorin shtetëror pasi, sipas tij, s’ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme që të stimulohet ky sektor. “Nuk presim të ketë rritje të pagave. Nuk ka arsye të ketë rritje të pagave, pasi ka pasur rritje para shtatë muajve. Nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme që të jepet një stimulim tjetër për sektorin shtetëror e sektori privat të neglizhohet”, ka thënë Rexhepi.


Kurse njohësi i ekonomisë, Lulzim Beqiri, ka theksuar se nuk do të ketë ngritje të pagave, sepse të hyrat shtetërore do të rriten, por jo në atë masë sa të ndikojnë në rritjen e pagave, sidomos 25 për qind. “Nk do të ketë ngritje të pagave në nivelin prej 25 për qind siç ka pretenduar ish-kryeministri Thaçi. Këtë e bazoj në trendin e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe të hyrat e planifikuar për buxhetin e vitit 2015”, ka thënë Beqiri.

Ai ka shtuar se premtimi për rritje të pagave nga ish-kryeministri Thaçi ka qenë fushatë elektorale. “Siç dihet, FMN-ja ka qenë kundër ngritjes së pagave. I menjëhershëm ishte reagimi pozitiv ndaj qeverisë Mustafa për mosngritje të pagave, duke u bazuar me trendin e zhvillimit ekonomik. Nuk jam i mendimit se duhet të rriten pagat në situatën kaotike që momentalisht është në Kosova, për arsye se do të rriste pakënaqësi të madhe te sektori privat, që është i anashkaluar me rritjen e pagave të mëhershme për disa nga sektorët publikë”, theksoi Beqiri. /Epoka e Re/Telegrafi/