LAJMI I FUNDIT:

Edi Rama në Beligrad…!

Edi Rama në Beligrad…!

Kështu ka me u këndue në këngë. Së paku ndër ne në Kosovë. Ka me fillu: “Ngoni shokë, ngoni vllazni… Edi Rama në Beligrad…”! Kështu i themi ne! Beligrad!

E, Edi Rama aterroi në Beograd “ i çarmatosur” deri në dhëmbë! Foli dhe i hapi me këmbë kanatat e rënda të historisë dhe u ul këmbëkryq në ballë të oxhakut. Le se u ul, por u tha të të tjerëve të shtyhen pak ma andej. Kësaj i thonë “me hy në histori pa ja bërë bam kurrkund”! Përpara veç pushka ka qenë çelësi që e ka hapur këtë derë!

Në odën e historisë, në të djathtë e në të majtë të tij, të gjithë trima të pushkës e të pendës. Më i majtë se Rama veç Enver Hoxha e Qemal Stafa. Por, duken edhe të tjerët, të cilët i kapi historia për diçka! Diçka të bërë apo të pabërë. Radhë të gjatë do të ketë edhe në të djathtë! Të gjithë hiqemi për të djathtë ne… e Zoti e di se çfarë ngjyre kemi nën lëkurë! Kështu, trima rrush, por lirinë nuk e gjetën në mes nesh… deri vonë!


Nejse, do të ketë edhe shumë të padeklaruar me “krah” ideologjik, pra as të majtë e as të djathtë! Njërin nga ata që nuk i jepte pesë para për ideologji, kur e ngushtuan në konferencën ndërkombëtare, për të treguar në hartë kufijtë e Shqipërisë, ai ishte përgjigjur: “Aty ku bukës i thonë bukë e ujit ujë, aty është Shqipni”! Isa nuk kishte fol për kufijtë e Kosovës! Ishte prapa kohe Isa!

Sidoqoftë, Isai u këndua në këngë! Edhe pse u vonua në aktin e shpalljes së pavarësisë, prapëseprapë me sebep të sigurimit të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, nuk mbeti pa këngë. U mbajt në mend se u tregua i zgjuar kur e kontrolluan te dera e Parlamentit britanik. E dorëzoi veç njërën revole. Askush deri atëherë nuk e kishte mashtruar aq mjeshtërisht rojën mbretërore. Prej atëherë jemi bërë të famshëm si mashtrues dhe fill pas kësaj është futur si i obligueshëm edhe kontrollimi i plotë në trup. Tash, sidomos në kufi! Kur je tepër i dyshimtë, të kontrollojnë gjithkah! Të zhburrnojnë!

Pra, ra Isai dhe më nuk mjafton të deklarohesh se e ke veç një revole. Të pyesin: a ke të tjera?

Nejse, Edi Ramën nuk e pyeten për revole, nuk e zhburrnuan, as nuk e kontrolluan sikur lojtarët e përfaqësueses në ndeshjen e famshme dhe histerike, në Beograd. Se, nacionalizmi thonë se është histeri. Pastaj, kur shkruhet me gjak, bëhet histori! E, serbët i besojnë historisë më shumë se gjithçkaje tjetër!

Kur jemi te historia, të gjithë kryeministrat e mëparshëm shqiptarë shkuan në Beograd, tepër miqësorë dhe i lanë këmbë të mbarë Ramës!

Prandaj, edhe Edi i anashkaloi skanerët për armë. Edhe kontrollet e tjera! Duket se nuk e kanë ditur se çka do të flasë! Rama nuk i ka treguar askujt për këtë. As këshilltarëve! As ministrave! Kot rrjeti aq i përfolur i spiunazhit serb! Çka nuk ta mbajnë 24 dhëmbë, nuk është më sekret! Tash po e kuptoni taktikën e cila mund të i ketë hutuar serbët në fillim: “I çarmatosur deri në dhëmbë”!

E, historia thotë se kryeministri i parë shqiptar i cili e vizitoi Beogradin, ndejti atje gjashtë muaj dhe kur iku i dhanë edhe ushtarë me vete! E shtrënguan dhe e nisën në një Shqipëri për së mbari, për qefin e tyre. Pra, e bënë mbret. Aq i besuan sa ai u shpall mbret i të gjithë shqiptarëve dhe askush nuk e akuzoi për “Shqipëri të Madhe”!

Edhe Enveri shkoi miqësisht. Madje, me plot gojën mund të thuhet vëllazërisht. Aq vëllazërisht sa shumë shqiptarë që nuk e besuan këtë vëllazëri i lanë kockat… diku! Por, të mos hapim tema të cilat pastaj e bëjnë pjesën e komenteve të lexuesve, më të gjata se vet kolumnen time. Pra, Enveri thonë se shkoi me qejf në Beograd. U gëzuan edhe beogradasit. E sidomos beogradaset! Thuhet se përpara në Beograd kishte arritur fama për bukurinë e tij dhe rrugët ishin mbushur përplot me femra të cilat kishin dalë skaj rrugëve dhe… po shtyheshin për t’a parë!

Edi Ramën nuk dolën për ta parë femrat. Askush nuk po i shkulte flokët për të! Mbase sepse i kishin parë fotot e tij nudo! Nuk u dukej provokues! As nuk e ndjek fama e paraardhësit të tij të bukur, i cili pastaj u hasmue aq keq me vëllezërit e tij jugosllavë sa shkroi për ata disa libra armiqësorë. Shumë të rinj u dënuan nga jugosllavët vetëm pse i kishin lexuar ato libra!

Por, Ramën e pritën shumë policë. Aq policë dhe simgurimsa në civili kishte rrugëve të Beogradit, sa edhe Putini thuhet të jetë kompleksuar. Sa siguri për Putinin , aq për të! Mbi 2500 ishin policët të uniformuar , e për civilët askush nuk e di.

Ramën e pritën me nderime ushtarake! I kaloi të gjitha kontrollet dhe nuk ia gjetën armën me të cilën e “shkrepi” në Beograd. Me siguri nuk e ka ditë as Xeni e as Batoni! Sidoqoftë, ata do të shpalosin krejt (prapa)skenat e kësaj ngjarjeje të madhe historike nëpër mediat lokale! Ata ishin ulur në trapazan! Me gjasë nuk dinin asgjë për “dronin” verbal të cilin do ta hidhte shefi I tyre I ri! Do të ketë menduar me të drejtë Rama: nuk e mbajnë sekretin këta.

Pra, kjo do të këndohet si ngjarja më e madhe në historinë tonë më të re. Kuptohet, aty është edhe “droni”! Por, përderisa rreth “dronit” ballistët së paku në nofkë, e marrin meritën, partizani Edi e ka më të lehtë! Autorësia i përket krejt atij.

Përndryshe, shkuarja e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd, edhe përkundër faktit se fjala e tij nga homologu i tij serb Vuçiq u konsiderua si provokacion dhe përpjekje për poshtërim midis Beogradit, prapëseprapë pasoja të jashtëzakonshme do të ketë më së shumti në raportet brendashqiptare! Do të ngatërrohet rendi historik!

Eh, kur ta don, t’a don! Kësaj i thonë “me një të rame dy të vrame”. Vuçiqi i mbijetoi krejt kësaj, i skuqur si spec, por… e gëltiti! Por, Berisha vështirë se do të mbijetojë! As Hashimi! I nxori të dy nga historia! Salës i mori qeverisjen dhe adhurimin nga kosovarët. E Hashimit i rrezikoi… ”Nobelin”!

Rapsodët në Kosovë po merren me rimën. Edi edhe Rama kanë rimë të përshtatshme. Mundesh me gjithçka me e kombinu. Me apo pa kravatë! Edi është edhe piktor! I don të gjitha ngjyrat! Edi Rama në Beligrad…! Belli grad në përkthim do të thotë qyteti i bardhë.

Kështu, Edi Rama në Beligrad po i fliste Aleksandrit… por, ai e kishte hequr dëgjojsen! Edin e kishin kapur emocionet! Edhe “Acën”! Aleksandri po ndihej si “makush”! Edi sikur “dron”!