LAJMI I FUNDIT:

E kanë korruptuar Babadimrin!

E kanë korruptuar Babadimrin!

Dikush i quan refugjat, por e kanë gabim. Popujt, duke e pritur kot Babadimrin, që nuk po vinte, u nisën vetë për te Babadimri! U nisën për t’i marrë dhuratat që ua kishte premtuar me vite politika.

Sivjet, po flitet se nuk do të vijë fare Babadimri. Ndoshta janë veç thashetheme, sepse ne vdesim për thashetheme. Edhe nëse vjen, po thonë se asgjë nuk na sjell. Vjen me “strajcën” e thatë! Mos shikoni fare pranë bredhit, miq! Sivjet më kot e kemi stolisur.

Eh, sa shumë do të hetohet mungesa e dhuratave sivjet. Kjo nuk është e drejtë, dëgjohen të dëshpëruar zërat pro-qeveritarë, të cilët patën prodhuar aq mjegull nëpër Facebook. As UNESCO, as vizat, as…! Natyrisht që nuk na japin vizat, pra. Kanë frikë për sigurinë e vetë Babadimrit. E keni parë në televizor, kur e Babadimri niset mbi sajën magjepsëse, e cila rrëshqet qiellit e tërhequr nga drerët? Por burokracia evropiane ka frikë të na lërë afër Babadimrit. Nuk shqitemi pastaj nga andej. Pastaj, do të na quajnë refugjatë dhe kjo nuk tingëllon aspak bukur për veshët e Babadimrit.


Ndërkaq, në Kosovë, kryeqyteti, sivjet shkëlqen në drita. Merren mendtë nga forma të krijuara prej dritëzave të pafund. Sheshet hapen me nga një bredh në madhësi natyrale. Pastaj, na mallëngjejnë ato dritëzat që pikin si lot përmallimi. Nuk janë natyrale, mik, as bredhi e as lotët, por kjo gjë vërehet vetëm ditën. Natën duken sikur në përralla. Po rindërtohet miti që e rrënuan qeveritë e mëparshme. Mbreti u pa lakuriq, krejt! E këta, paralajmërojnë ëndrrën që do ta jetojmë, nëse administrata e kryeqytetit e merr përsipër qeverisjen e krejt vendit. Me këta edhe Babadimri do të jetë vendor, edhe dhuratat…!

Nejse, ka zëra publikë që ankohen se janë harxhuar shumë para, për stolisjen e kryeqytetit, por ata ia fusin kot! Çka janë për ne disa dhjetëra mijë euro? Aq para, harxhohen në një synetllëk në mëhallën e…po e dini më. Të mos i bezdisim ata në natën e madhe të ndërrimit të moteve, kur as antikorrupsionit nuk i nguci përgjatë tërë vitit. Vitit? Korrupsioni po lulëzon si asnjëherë më parë, miq, si bredhi i Vitit të Ri. Ka fjalë se edhe Babadimrin e kanë korruptuar…!

Sidoqoftë, kureshtja duhet ruajtur. Edhe kësaj radhe, përmes deklaratave apo postimeve, duan të na mbajnë kureshtarë. A thua çfarë do të na sjellë Babadimri, sivjet…në 2017-n. Ups! Nuk është gabim, thonë analistët. Për këtë vit u pa puna. Do ta fshijmë këtë vit për fare nga kujtesa. Ishte vit marrëveshjesh që na i “lidhën” pa na pyetur fare dhe vit i protestave. Dikush do të marrë edhe dhurata “speciale”. Sidoqoftë, nuk ishte vit i ëndrrave, por as i këndelljes. Nejse, Babadimri nuk vjen që nuk vjen. Edhe nëse vjen nuk sjell asgjë. Ama duhet ruajtur miti për Babadimrin, dhe duhen promovuar kështu premtimet qeveritare. Aq e qartë është se sivjet nuk ka dhurata kolektive, për kosovarët sa edhe ministrit, i cili sivjet ndenji kryesisht jashtë, i “rrëshqiti”…sinqeriteti. Në Facebook. Ai është shumë i sinqertë, sidomos në postimet me iniciale…! Edhe ai u bë sikur e gaboi vitin. Nuk e gaboi. E dinte. Ishte një “gabim” frojdian 2017-a, në statusin e tij në Facebook.

Ndërkaq, kryebashkiaku, në Tiranë, po shpërndan prapë çelësa. Nuk është ujk i vjetër, jo! Kësaj radhe çelësi nuk shkoi në Beograd, as në Sarajevë, por Migjeni me shokë, po e sjell në Prishtinë. Tash, çelësin e kemi dhe në Tiranë do të hyjmë pa trokitur, falë kryebashkiakut të ri. Por të kthehemi sërish në Prishtinë, ku “Vetëvendosjes” edhe këndesi po i bënë vezë. Si thamë edhe më herët, guerilja urbane po shkep dhurata vendore. Babadimri, me kapelë të “Vetëvendosjes”, i dhuroi ministrit të Bujqësisë…vezë! Nuk ishte në stilin e Avni Rustemit, por nuk ishte keq. Ka dalë prej mode tashmë, ajo “Në emër të popullit”. Tash ekzekutimet politike bëhen me vezë, bëhen në emër të qytetarisë dhe lirisë. Është e drejtë elementare njerëzore, atentati me vezë, pra, ta godasësh me vezë qeverinë. Kolektivisht dhe individualisht. Sepse, demokracia e re ata nuk i sheh si njerëz, as kur janë me familje. Janë ministra, s’ka privatësi. Premtimet janë që, nëse vijnë në pushtet, nuk ka privatësi për ta. Kushdo që nuk pajtohet mund t’i godasë me vezë. Mund të shpërthejë lotsjellësi në Parlament…opozita mund të bëjë ç’të dojë, nëse opozita e tashme vjen në pushtet.

Por, kësaj radhe as babadimri nuk i shpërndau krejt vezët, pasi mori një të rrahur nga të gjashtë truprojat e ministrit. Siç duket, dikush nga shtabi i revolucionit të vezëve, e kishte dekonspiruar aksionin, duke e njoftuar ministrin se shefi në arrati i gueriljes e ka futur në listë. Kështu ai i mori masat. Do të pajtoheni se nuk është reagim demokratik nga ana e ministrit. Vezët janë në resorin e tij, dhe pularia në Kosovë po lulëzon falë krizës politike. Pastaj, po përjeton edhe një promovim të paparë ndërkombëtar. Askush nuk kishte dëgjuar më parë për vezët e kosovarëve. Po të mos ishte “Vetëvendosja” ky publicitet nuk do të arrihej as me miliona euro për agjencitë publicitare ndërkombëtare, si bënte dikur qeveria “një” dhe “dy”.

Por, diçka e madhe po ndodh në përmasa planetare. Jo veç në Kosovë. Është rrënuar miti për Babadimrin. E kanë kuptuar se nuk do të vijë, kështu që po nisen vetë të marrin dhuratat e premtuara. Dikush këta i quan edhe refugjatë. Por e kanë gabim, sepse këta, thjesht po ikin për të marrë dhuratat e premtuara. Ky është një mësim për politikën, vendore dhe ndërkombëtare: mos u tregoni popujve përralla. Mos u premtoni, nëse nuk i mbani dot premtimet. Me mijëra, që nuk besojnë më në përrallat për babadimrin u nisën vetë. Në këmbë! Sivjet, edhe një fëmijë kishte mbetur në breg të detit, i mbledhur duq, sikur shtrëngonte “fatamorganën” e tij…një dhuratë nga Babadimri! Kishte edhe të tjerë, por ata nuk i kapën mediat. Pra, nuk kanë ndodhur!

Përndryshe, Kosova këto ditë ishte krejt në mjegull. Ec e ec dhe nuk e di a po shkon a po vjen! Babadimër, ne ende të besojmë. Në mos sivjet, së paku për 2017-n mos na zhgënje! Ose do të vijmë…!