LAJMI I FUNDIT:

Durrës – Kukës, Rruga nuk përfundon në afat

Kryeministri Berisha kishte një ëndërr. Të paktën kështu, në formën që kishte përdorur dikur Martin Luter Kingu, është shprehur dhe ai vetë: rruga Durrës – Kukës do të përfundojë në qershor të vitit 2009.

Në këtë mënyrë, shiriti i veprës më të madhe publike të ndërtuar ndonjëherë në këto 18 vjet do të pritej në finishin e vitit elektoral dhe kryeministri do të kishte një mundësi më shumë të shprehej se ai është njeriu i premtimeve të mbajtura. Por pikërisht kjo ëndërr rrezikon të kthehet në makthin e tij të madh.

Rruga ngjan se është e pamundur të përfundojë në këtë afat, madje për më shumë, është kërkuar një shtyrje në pothuaj dyfishin e kohës së premtuar për të mbaruar punimet. Deri më tani ky është një detaj që është mbuluar nga heshtja, por në zyrat e ministrisë së transporteve, nëpërmjet drejtorisë së përgjithshme të rrgëve, ka përfunduar një kërkesë zyrtare nga kontraktori i konsorciumit Bechtel-Enka ku kërkohet zgjatja e afatit të dorëzimit të veprës.


Nuk është e qartë se cili është qëndrimi i ministrisë, por burime të rezervura prej saj konfirmojnë se ministria ka përgatitur një projektvendim i cili i është përcjellë kryeministrit për miratim. Por nuk mbaron këtu: nga 11 muaj shtesë që janë kërkuar, qeveria ngjan se është e gatshme të afrojë 20 të tillë.

Eshtë pothuaj dyfishi i kohës së premtuar për përfundimin e rrugës, gjatë të cilës pagesat e taksapaguesëve shqiptarë për të do të shtohen frikshëm me një faturë financiare e cila është e pamundur të llogaritet në këtë moment. Sepse veç të tjerash, pagesa do të shtohet edhe me kohën e munguar për vënien në eficencë të saj, kur do të pritej rikthimi i parave të investimit dhe vetëshlyerja e tij.

Deri më tani, një hetim zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme ka hedhur dyshime serioze për shpërdorim detyre të ish-ministrit të transporteve Lulëzim Basha, i cili ka lënë dhe imunitetin për këtë çështje.

Opozita shqiptare e ka kritikuar fort këtë investim së pari për mungesën e projektit të rrugës dhe fillimit të punimeve pa të, së dyti, për procedurat e dyshimta të tenderimit dhe faturën financiare të konsideruar jashtëzakonisht të lartë (në bazë të kontratës që ka me konsorciumin qeveria konsiderohet se paguan rreth 1200 euro për çdo minutë).

Kërkesa për zgjatjen e afatit të punimeve në vepër, vjen pak muaj mbasi vetë kryeministri kishte kërkuar qënë objekt të punohej me tre turne dhe kur gjatë gjithë kësaj kohe, propaganda zyrtare e ka konsideruar “një mrekulli mahnitëse politike e inxhinierike” atë që po ndodh në segmentin e Kalimashit.

Shkaqet e shtyrjes

Mungesa e projektit fillestar të rrugës duket se është shkaku kryesor i kërkesës për shtyrjen e punimeve. Burimi konfidencial për MAPO-n në ministrinë e transporteve pretendon se argumenti kryesor i konsorciumit për zgjatjen e afatit të punimeve lidhet me dy tunelet (së bashku 11 kilometra të gjatë).

Gjatë punimeve ndërtuesit e tij kanë konkluduar se kostoja për veshjen e mureve të brendshme të tij rritet në mënyrë progresive për shkak të natyrës së materialit që gërmohet. Çka në thelb kërkon edhe më shumë kohë që të realizohet, kohë të cilën konsorcioumi e ka kuotuar deri në 11 muaj.

Këtu ndërhyjnë “ekspertët” e qeverisë të cilët mendojnë se kjo shtyrje në kohë mund të jetë edhe më e madhe dhe gjatë të cilës të realizohet edhe dekorimi i tuneleve me sistem ndriçimi. Këtë risi e ka konfirmuar edhe vetë firma në një të përditshme shqiptare duke e justifikuar zgjatjen e punimeve me “dekorimin” e tunelit.

“Për mungesë fondesh më parë ishte menduar që betonimet e zbukurimit të realizoheshin vetëm në 500 metrat e parë të hyrje-daljeve të tunelit që shkonin në 2 kilometër, ndërkohë që pas vendimit të fundit të qeverisë shqiptare këto betonime do të kryhen në gjatësinë e rreth 11 kilometrave. Së shpejti do të fillojë puna për ngritjen e një nënstacioni elektrik me një fuqi të instaluar 20 mega, që do të shërbejë për furnizimin me energji elektrike të tunelit të Kalimashit.

Pas përfundimit, tuneli do të monitorohet nga një numër i madh kamerash që do të instalohen brenda dhe jashtë tij”, -kanë konfirmuar edhe vetë drejtuesit e këtij konsorciumi.

Gafa e mundshme

Deri këtu ngjan se po ndodh ajo që ndodh zakonisht në Shqipëri, ku premtimet dhe realizimet ndahen nga deti në mes. Problemi në fakt është shumë më i ndërlikuar. Gafa që pritet të kryhet është e natyrës teknike.

Në asnjë rast, punimet shtesë dhe të paparashikuara nuk “shpërblehen” me kohë shtesë. Sipas praktikës së të gjitha kontratave të realizuara në projekte të ngjashme, (një praktikë e konsolidzar ndërkombëtare) punëdhënësi (në këtë rast qeveria shqiptare) nuk afron shtyrje afati për këto shkaqe, por vetëm shtesë në kosto. Në një rast të tillë, qarri dhe qederi është konsideruar gjithmonë i kompanisë punëmarrëse.

Dhe qeveria paguan më tepër, por jo në kohë. Arsyet se pse mund të ndodhë kjo shtesë në kohë janë në fakt krejt të ndryshme. Normalisht ato duhet të lidhen kryesisht me çështjen e shpronësimeve në zonat ku kalon trupi i rrugës, zhvendosjen e linjave të energjisë elektrike dhe të telefonisë e gjëra të tilla të ngjashme ose edhe për shkaqe të kushteve të përkeqësuara të motit kur është e pamundur të punohet. Vetëm në këtë rast punëdhënësi ka të drejtë që për të shlyer fajin e tij, të afrojë zgjatje në kohë.

Nëse rezulton se kjo gjë do të ndodhë për shkak të punimeve në tunel, atëherë qeveria thjesht shkakton faullin e rradhës. Burimi konfindecial i MAPO-së në ministrinë e transporteve pretendon se sipas Librit të Kuq të kontratave, bibla e punimeve inxhinierike, kushtetuta ndërkombëtare e punimeve, që kodifikon mënyrën e punimeve të tilla, është shprehur qartë për këtë pikë dhe ndan pjesën e fajësisë mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Në rastin e parë penaliteti është i firmës, në të dytin i qeverisë. Dhe nëse shtyrja e afatit jepet për motivet e para, atëherë gafa do të konsiderohet plotësisht e konsumuar.

Kontrata që lë të gjithë zbuluar

Luksi për konsorciumin Bechtel-Enka ka filluar që me lidhjen e kontratës me Ministrinë e Transporteve ku asaj iu lejua të operonte nëpërmjet një modeli ndërtues të quajtur “çmim për njësi”. FIDIC, ose ndërtimi me çmime njësi pa projekt zbatimi, me volume të përafërta, nuk është parashikuar në ligjin “Për prokurimin publik”, si metodologji dhe procedurë e aplikueshme për prokurimin publik në Republikën e Shqipërisë.

Kjo mënyrë procedimi gjithashtu krijon konflikt me ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, pasi ky ligj nuk lejon zbatimin e punimeve të ndërtimit pa projekt zbatimi, si dhe në konflikt me vetë kushtet e kontratës FIDIC, pasi këto lloje kontratash nuk mund të zbatohen në kushtet e mungesës së projektit të zbatimit dhe të volumeve të punës. Kontratat e modelit FIDIC deri tani janë përdorur në Shqipëri për ato raste kur qeveria shqiptare është huamarrëse ndaj institucioneve ndërkombëtare, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të miratuara me ligj të posaçëm nga Kuvendi.

“As edhe kontratë FIDIC nuk është ajo që është aktualisht në zbatim me konsorciumin, është një shartim i saj me risi shqiptare”, këmbëngul burimi ynë në ministrinë e transporteve, por detajet e tjera teknike që vërtetojnë një pohim të tillë, përveçse janë bindëse, janë krejtësisht të karakterit teknik dhe mjaft të vështira për t´u shpjeguar me gjuhë të thjeshtuar.

Realizimi i kontratës së ndërtimit për këtë rrugë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë fushën e prokurimit publik dhe të punimeve të ndërtimit ka bërë që, disa kushte të kësaj kontrate të mos merren parasysh e të mos respektojnë bazën ligjore e nënligjore që rregullon fushën e ndërtimit dhe atë të sistemit fiskal në Shqipëri, pasi:

“Disa çmime për njësi të përcaktuara në kontratë janë më të larta se çmimet e tregut shqiptar, si dhe janë vendosur në kontratë disa çmime për njësi, jashtë strukturës së legjislacionit shqiptar që aplikohet për kontratat e ndërtimit. Disa volume pune në kontratë janë përcaktuar apriori e disa prej tyre të fryra, si pasojë e mungesës së projektit të zbatimit. Edhe pse kryen veprimtari fitimprurëse, kontraktori është përjashtuar pa ligj nga detyrimet fiskale në këtë kontratë”, shkruhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhur me këtë rrugë.

Po kështu në tabelën e paraqitur nga prokuroria e përgjithshme, në kërkesën për heqjen e imunitetit për deputetin Basha, është bërë një krahasim për zërat e veçantë të punimeve që në disa raste rezultojnë edhe tre herë më të larta se ato që dikton tregu shqiptar.

Kontrata

“Pretendohet se janë zbatuar procedurat e parashikuara nga modeli ndërkombëtar FIDIC (Internacional Federation of Consulting Engineers). Një gjë e tillë nuk është e vërtetë sepse procedurat e parashikuara nga modeli FIDIC parashikojnë dy faza. Fazën e parakualifikimit, në të cilën bëhet një përzgjedhje e shoqërive mbi bazën e eksperiencës dhe kapaciteteve të tyre, si dhe faza e tenderimit, në të cilën subjektet e kualifikuara nga faza e parë paraqesin ofertat e tyre financiare, bazuar në volumet e punës dhe projektin e veprës.

Ofertat e paraqitura në këtë rast vlersohen nga komisioni duke përcaktuar shoqërinë fituese. Në rastin objekt hetimi është zhvilluar vetëm faza e parë, parakualifikimi, dhe pastaj është negocuar dhe lidhur kontrata me shoqërinë Bechtel-Enka, pa patur projekt dhe volume pune. Pra rezulton se nuk janë zbatuar as procedurat e modelit ndërkombëtar FIDIC”, shkruhet në dosjen hetimore të prokurorisë, një dyshim që shkon në të njëjtin kah me pretendimin e burimit tonë në ministri.