LAJMI I FUNDIT:

Dresniku me sarkofagun prej plumbi rreth 1.700 vjet të vjetër

Dresniku me sarkofagun prej plumbi rreth 1.700 vjet të vjetër

Është dashur të bëhen bashkë katër punonjës të Muzeut të Kosovës që të premten të arrijnë ta ngarkojnë dhe ta zbresin nga makina sarkofagun e gjetur në Kosovë. Peshon goxha e më shumë edhe në historinë e kësaj ane e më gjerë.

Artefakti unik jo vetëm në Kosovë është gjetur para katër ditësh në Dresnik të Klinës. Sarkofagu apo arka prej plumbi me kapak, numëron 20 figura të Merkurit siç njihej në periudhën romake apo atë të Hermesit që njihej në Greqinë Antike. Figurat në ballë të sarkofagut që daton nga fundi i shekullit II dhe fillimi i shekullit III janë punuar midis dy rretheve. Ato anash rrethohen një herë. Është 180 centimetra i gjatë, 54 i gjerë dhe 42 i lartë.

Anash ka 3 portrete të Merkurit të punuar me finesë, po aq sa ka edhe në ballë dhe në fund të tij. Në kapak numëron 8 sosh. Arkeologët që aktualisht po bëjnë gërmime arkeologjike në Municipumin e Dresnikut afër Klinës, gjetjen e kanë cilësuar si sensacionale.


“Kjo është gjetje sensacionale sa i takon territorit të Kosovës. Sarkofagë nga plumbi kemi shumë pak. Kemi me dimensione më të vogla. Për shembull ato të Ulpianës”, ka thënë arkeologu Masar Valla. Sipas tij, në gjetje të tillë me relief impozant më nuk është hasur ende. Ka thënë se figura e mashkullit që është e punuar gjithandej paraqet figurën mitologjike greko-romake, Merkurin.

Kolegu i tij, Elvis Shala, ka thënë se jo rastësisht kjo figurë është gdhendur në sarkofagun e plumbit, shkruan Koha Ditore.