LAJMI I FUNDIT:

Drama jonë e vogël

Drama jonë e vogël

Nuk do të flasim për Tribunalin ndërkombëtar për krime lufte. Kjo nuk është më dramë! Populli tashmë i di gjërat. Gjithnjë i ka ditur. Nuk ka dramë pra. Është bërë komedi! Tragjikomedi! Zyrtarët e lartë po shpurdhin! Ndërgjegjja është zgjuar nga gjumi, pasi përkundjet ndërkombëtare në funksion të paqes në rajon tashmë janë ndalur. E këta tonët me inercion, po e përkundin djepin, e popullin po e qesin në gjumë! Mundësisht deri pas zgjedhjeve.

Tema e sotme ka të bëjë me taktikën e qeverisë! Edhe fushatën!

Kështu, një ngjarje dramatike ndodhi këto ditë në sheshin qendror të kryeqytetit. Sheshet, përndryshe, janë bërë mediume ku ke publik më shumë se ne disa media tona të printuara. Ulesh me pi një kafe në publik dhe len pazarin e ditës! Sikur në kazino! Kështu, lokalet, edhe Qeveria, del se e kanë të njëjtin biznes. Me t’i marrë paret prej xhepi! Kur është për me marrë, Qeveria i merr shumicës, pra është Qeveri e shumicës; e kur jep është e pakicës. U jep veç të vetëve!


Por, të kthehemi te ngjarja e të lëmë pak anash lokalet të cilat edhe ashtu paguajnë rentë astronomike, për dallim prej qeverisë e cila krejt infrastrukturën e shfrytëzon gratis. Qoftë për nevoja personale, partiake, e nganjëherë edhe shtetërore. E ditëve të fundit edhe për fushatë! Prapë nga xhepi ynë!

Nejse, dy punëtorë arsimi, burrë dhe grua, me xhepat plot vrima, po ecnin këto ditë sheshit kryesor. Burri, papritmas, i mallëngjyer me skenën, nxori një 50-she dhe deshi me ia lëshua në dorë një lypëseje të vogël e cila nuk po i shqitej çiftit akademik. Një 50-centëshe, kuptohet. Gruaja e alarmuar e kapi për dore pa troh takti. “Jo more burrë”, i tha, “se kemi për pazaret e ditës”! Pesëdhjetë centë është gati një bukë! Lypësja e vogël u largua e dëshpëruar, derisa mësuesja dha prova se nuk kishte sens për politikë!

Çka mendoni ju, të dashur lexues, në cilin u zemërua lypësja e vogël e bashkë me të edhe gjysma e sheshit që po e përfliste këtë dramë sociale? Në mësuesin, apo në mësuesen? Me mësuesen pra!

Pas kësaj, ata vazhduan të ecnin derisa mësuesja po fliste për gjendjen e mjerë të buxhetit të tyre familjar, i cili nuk i përballon dot kërkesat e familjarëve e lëre më të gjithë lypësve të sheshit! Lypësit, po thoshte ajo, kanë një sistem efektiv koordinimi. Analiza e saj i kalonte nivelet e analitikës në Ministrinë e Brendshme. Nëse i jep njërit 50-centë, po thoshte ajo, të jesh i sigurt se shumë shpejt do të bëhet radhë deri te selia e qeverisë. Është biznes. Kështu e kupton se tashmë ka filluar fushata elektorale!

Por, mësuesja e kuptoi për herë të parë se sa e thjesht ishte taktika qeveritare me rritjen e pagave dhe benefitet e tjera të cilat kohëve të fundit po i shpërndan me të madhe dhe në mënyrë selektive! Për votuesit e vet potencialë, kuptohet. Po i shpërndan “poshtë e përpjetë”, si do të thoshte baca Adem! Qeveria e lëshon dorën të japë “lëmosha” nga buxheti, pra nga paratë tona, e opozita nuk e lë! Krejt zemërimi bie mbi opozitën, natyrisht! Populli i cili mezi e lidh muajin me muaj, zemërohet në opozitën!

“Por”, si do të thoshte kryeministri, kjo qeveri ka kontribuar shumë në zhdukjen e varfërisë! E ka zhduk krejtësisht! S’ka më të varfër! Lëmoshëkërkuesit nuk janë të tillë! Prandaj, e ka zgjeruar shumë shtresën e lypësve! E ka ba profesion! Biznes i cili nuk paguan tatim. Edhe ata janë votues. Edhe ata janë Kosovë!

Për herë të parë gjatë kësaj qeverisjeje, njerëz të varfër kontrollojnë kontejnerët para banesave pa u fshehur fare, pra me identitet të plot. Pra, është profesion i ndershëm! Qeveria ia ka kthyer dinjitetin lypësisë dhe mbledhjes së plehrave nëpër kontejnerë. E tjerët të cilët nuk janë në këtë nivel social, u janë falënderues qeverisë për këtë. Qeveria e ka krijuar pikën referuese. Nuk mbledh në kontejnerë? Mirë i ke punët!

Pra, të kthehemi te taktika dhe fushata qeveritare. Hidhërimi i atyre punonjësve të cilëve nuk u rriten rrogat, bie mbi opozitën. Duhet menaxhuar fondet me nikoqirllëk, thotë opozita! Ndërkohë që Fondi i Privatizimeve ka filluar të shpenzohet. Kur bëhet tollovi askush nuk i mban dot financat! Kur të gjithë të marrin ngapak, edhe luani në mënyrë legjitime e merr pjesën e vet! E kemi shitë vendin, ka për të gjithë! Një miliard!

Pra, fushata ka filluar. Fushata partiake e cila bëhet me fonde të qeverisë. E opozita thotë me zërin e arsyes: jo mos i falni paratë e dedikuara për zhvillim! Po kujt i duhet zhvillimi i cili mund të zgjas shumë, mbase një dekadë apo dy, kur njerëzit i duan paratë tani. Për bukë! Mos jep, thotë mësuesja! Mos jep thotë opozita! E qeveria premton!

Çuditërisht, qytetarët janë pak ma të relaksuar kohëve të fundit. Ngjanë me një lojë tipike dashurie e cila synon që orgazmën me e mbërri diku kah qershori. Ju dua të gjithëve, na shpalli dashuri kryeministri ynë, në një emision me emrin “Oksigjen”! U gëzuam të gjithë. Morëm frymë thellë! Sepse kishim frikë se nuk na donë. Na shkoi mendja se paratë po i shpërndan për motive të tjera. Të dyshimta. Por, pastaj thamë me vete: jo, jo!

Në prag të fushatës ai nuk ka mendime të këqija as për kundërshtarët. Pastaj edhe komisioni i “Nobelit” e besa edhe ai i Hagës i përcjellin deklaratat e tyre me vëmendje. Ai na do! I do edhe paratë publike! Për me i pasë paratë tona i duhet njëfarë aprovimi sado formal. Prandaj jep, premton! Han bukë në mensë të studentëve! Me paratë e buxhetit ai po bën veç fushatë, ende pa filluar fushata! Ai është…!

Pra, e ka qelë zemrën! Zemrën e vet, e xhepat e shtetit! Krejt çka ka në xhepat e cektë të shtetit, e ka ndërmend me e shpërnda falas. As dhjetë përqindëshi i zakonshëm për çdo tender nuk po na kërkohet! Falë është o njerëz. Rrogat 25 për qind, edhe benefite të tjera. Studentë mos paguani! Veteranë mos paguani! Krejt çka të doni u jep kjo qeveri, veç edhe për një mandat.

Veç me KEK (KED-s) s’po guxon me u krue! S’po guxon me thanë mos paguani dhe askush nuk po e kupton pse? Mos e prishni idilën! Mos e përmendni korrupsionin! Është veç fillimi i fushatës…!