Dr. Rifat Latifi: Mjekësia kosovare, plaga më kronike e trupit tonë

Intervistoi: Sahadete Krasniqi
Fama që ai ka, në fakt nuk është tjetër veçse një grimcë e vogël e gjenialitetit të tij. Është Laureat i Çmimit Prestigjioz dhënë nga “IDG’s Computerworld Honors Program”, më 2011. Dr. Latifi ka botuar 9 libra për mjekësinë dhe është autor i mbi 100 artikujve shkencor.
Kam shkuar në Amerikë për një kohë të shkurtër dhe për t’u kthyer sërish, derisa të përmirësohen kushtet në klinikën ortopedike, ku unë isha në specializim. Por, kjo kohë e shkurtër zgjati që prej 28 vitesh. Mbaj mend që më thotë një malësor shqiptar: “Të marrtë Amerika me të mirë” dhe, ne shqiptarëve, na merr me të mirë dhe na mban për një kohë të gjatë atje. Fillova dhe mbarova specializimin në Kirurgji të Përgjithshme, një vit në Klinikën e Klivelandit, e pastaj në Universitetin Yale, që të dy këto institucione, nga më të mirat në botë. Subspecializimin në Traumatologji të përgjithshme dhe kujdes intensiv ose reanimacion, e mbarova në New York College of Medicine. Pas specializimeve shkova në Richmond, Virxhinia për një kohë dhe për 13 vitet e fundit, jam vendosur në Tucson, Arizona, në Universitetin e Arizonës, ku jam profesor i Kirurgjisë. U bëra profesor i Kirurgjisë, për pesë vite nga dita kur mbarova specializimin. Puna shkencore dhe hulumtimet para, por edhe gjatë specializimeve, u shpaguan. Unë jam anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe pata fatin që këto 7 vitet e fundit të jem president i Kolegjit të Kirurgëve Amerikan për shtetin e Arizonës. Në këtë kolegj, jam anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Duket se ishit me fat kur morët një guxim dhe pse jo, vetëbesim, për të kaluar Atlantikun me synimet për të arritur aty ku jeni sot?Dr. R. Latifi: Vendimi për t’u larguar nga Kosova, ishte shumë i vështirë, ishte një vendim i rëndë, që e mora pas shumë netëve pagjumë! Ajo që më ndihmoi të marrë këtë vendim nuk ishte vetëm shpirti aventuresk, ai shpirti i ushqyer nga librat e Xhek Londonit dhe Heminguejt, por shumë elemente që përmenda më parë. Kërkesa ime shpirtërore për liri krijimi klinik shkencor dhe kreativ, të shkruaj, të redaktoj dhe krijoj libra, të pushtoj horizonte të reja të mjekësisë dhe ta vë këtë pasuri në shërbim tonin, të Kosovës, të mjekut dhe pacientit shqiptar dhe jo vetëm atij, ishin qëllimi im i vetëm. Me këtë qëllim si busulle, atëherë sikur fiton guxim të paparë, nuk ke frikë, as shpirtërore, as fizike dhe rrugët sikur hapen. Por, shkuarja në Amerikë, sikur edhe në vendet tjera, ka disa rreziqe të mundshme. Është rrezik i madh që të “merren mendtë” kur të shkosh atje dhe të mendosh se më me rëndësi është që të bësh një shtëpi të mirë, një automobil të mirë, të bësh pasuri, të bindësh të tjerët se je “gjetur mirë” dhe të mos ndjekësh edukimin, shkollimin e sërishëm, profesionin tënd dhe të mos ndjekësh ëndrrat tuaja. Unë nuk e pata këtë rrezik, asnjëherë. Gjithmonë e kam pyetur veten, çka do të ndodh nëse e bëjë këtë, por çfarë do të ngjajë nëse nuk e bëjë këtë. Miku im Milazim Krasniqi, tash shkrimtar i njohur, më shkroi letrën e parë në “kurbet” (atëherë kur ende shkruheshin letrat) dhe më thoshte se kam bërë një sakrificë të madhe. Ishte kjo sakrifica e madhe që më udhëhiqte për çdo ditë, për çdo natë, për çdo moment të jetës dhe punës time në SHBA dhe jo vetëm atje. Edhe atëherë kur kisha suksese të mëdha, edhe atëherë kur nuk kisha suksese apo disfata personale, me zili kam ruajtur atë sakrificën e madhe!
Nuk mjaftoi se unë mbarova pastaj specializimin në Universitetin e Yale. Për të pasur sukses, duhet rindërtuar atë që mësuan mësuesit tuaj. Ushqimin parenteral kirurgjik, telemjekësinë, mësimin virtual, rekonstruktimin e defekteve të mëdha në abdomen, ndërtimin e sistemeve të mjekësisë nëpër vende në zhvillim duke e përdorur teknologjinë e zhvilluar dhe të avancuar- asnjërin nga këto, përveç këtyre dy të fundit, unë nuk i kam zbuluar. Por, i kam bërë më të pasura për njerëzimin, me studime, me kreativitet, që Amerika më lejonte. Ajo, liria e kreativitetit, nuk është vetëm fakti se të lejohet të bezdisësh nëpër rrugë lirisht, pa të ndaluar ndonjë polic serb, e as ngase unë kam pasaportën amerikane. Ajo do të thotë, se ke mundësi të krijosh një platformë që të mundësohet të krijosh. Por, edhe kjo kërkon sakrifica të mëdha. Nëse dëshiron të bësh shkencë, asnjë spital në Amerikë nuk të thotë, se ti mund të shkosh në laborator dhe të krijosh diçka të re, pa punuar klinikisht, njëjtë si të gjithë kolegët tuaj. Pra, duhet të mungosh në lojërat e fëmijëve tuaj, në darkat e familjes, në mbrëmjen e teatrit që shumë e do. Duhet të sakrifikosh. Dhe, nëse do të bësh edhe më shumë nga jeta shkencore dhe ta zëmë, duhet të prezantosh në tubime shkencore nëpër botë, apo sikur në rastin tim, edhe do të “kthehesh në shtëpi”, të bësh ndonjë punë ose projekt tjetër, mos të të thotë mendja se koleget tuaj amerikan, apo të tjerë, do të thonë, “shko Ti në Kosovë e puno, se ne i bëjmë punët tua këtu, kujdesemi për pacientët tuaj dhe ua mbajmë ligjëratat studentëve tuaj”. Jo, jo! Ti duhet të krijosh një hapësirë që në fakt, të lejon të punosh 26 orë në ditë. Me një fjalë, dita ia vjedh ditës, disa orë. Këto janë orët tua të vjedhura nga dita e re. Haraçi i suksesit është i madh. Nëse ke fat si unë që fëmijët dhe gruaja (ose burri) të të mbështesin 100%, atëherë, ajo që mund të bësh nuk ka kufi. Lumturia që vie nga stimulimi intelektual dhe suksesi intelektual është afrodiziaku më i fuqishëm për trurin dhe qenien njerëzore.
Në këtë kontekst, Amerika a iu ka ‘dalë hakut’, apo ju me punën tuaj jeni imponuar në këtë profesion?Dr. R. Latifi: Amerika, si përmbajtje, si koncept respekton dhe mban mend “hakun”, dhe ajo më ka dalë hakut. Ajo që unë kam bërë për Amerikën, shpjegohet me jetët, që si kirurg traumatolog, kam arritur t’i shpëtoj dhe njerëzit që kam ndihmuar. Nëse e kam shpëtuar edhe vetëm një jetë, nëse vihem shpesh në pozitë të ndihmoj një njeri të lënduar, një njeri që ballafaqohet me vdekjen para syve tuaj, ndërsa ti ia ndërron fatin në tavolinën e operacionit, atëherë edhe unë ia kam paguar “borxhin” asaj. Ngase edhe jeta e një njeriu në Amerikë çmohet shumë, atëherë me gjasë, jemi baras. Me fjalë tjera, për mua, jeta në Amerikë dhe marrëdhënia ime me Amerikën, është simbolikë e bashkëshortësisë. Secili e bën punën e vet dhe jeta vazhdon. Nuk është ideale në çdo lëmi, në çdo kohë. Sot të pëlqen, nesër është ndryshe, por bashkëshortësia është një simbiozë sinergjike e ndërtuar rreth qëllimit të përbashkët.
Ju keni realizuar një projekt madhështor në Kosovë, Telemjekësinë. Ç'farë do të thotë projekti praktikisht për pacientët në Kosovë dhe në vendet tjera?Dr. R. Latifi: Telemjekësia është dhënia e kujdesit mjekësor në largësi. Nëse pacienti është në një vend dhe mjeku është në një vend tjetër, atëherë përmes telemjekësisë bëhet e mundur që pacienti të marrë shërbimin mjekësor. Pra, ne dërgojmë mjekun virtualisht tek i sëmuri. Kjo është esenca e kësaj metodologjie. Mund të aplikohet në çdo lëmi. Për shembull, në qoftë se infermierja ose mjeku i përgjithshëm e ka vënë stetoskopin në kraharorin e pacientit, ne mund ta dëgjojmë në çfarëdo distance, njëlloj sikur të ishim prezent aty.
Në programin e Telemjekësisë së Kosovës, që tashmë janë bërë shembull për botën, ne kemi katër pika kryesore. Krijimin e infrastrukturës, kapacitetin njerëzor, edukimin virtual dhe konsultat mjekësore në distancë. Këtë model tash po e përdorim në vendet tjera nëpër botë. Sapo filluam edhe me implementimin e saj edhe në Shqipëri.
Telemjekësia, a është duke u aplikuar dhe zhvilluar ashtu siç e keni menduar ju? Dr. R. Latifi: Në muajin maj të vitit 2000, unë pata fatin të riprezantoja SHBA-të në takimin e G8-shit në Berlin, në Konferencën finale të shëndetësisë. Unë fola për “Anatominë e vdekjes dhe shkatërrimit të Kosovës: Si mund të rindërtojmë Sistemin e Shëndetësisë së Kosovës”. Më 10 dhjetor, 2002, ne hapëm Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës, qendrën më moderne të telemjekësisë në vendet në zhvillim në botë. Në tetor të vitit 2007, ne lidhëm të gjitha spitalet rajonale të Kosovës dhe u bëmë, de-facto, i vetmi shtet në botë që kemi të gjitha spitalet kryesore të lidhura me rrjetin e telemjekësisë. Më 10 dhjetor 2010, nga Qendra e Telemjekësisë së Shqipërisë, për herë të parë lidhëm gjashtë spitale të Shqipërisë: Tiranën, Kukësin, Shkodrën, Durrësin, Vlorën dhe Korçën.
Ndryshimet e mëdha në mjekësi janë pjesë e politikës shëndetësore, sociale, ekonomike, kapacitetit të vendit dhe sfidave që kemi para nesh. Andaj, ndonëse kemi disa vite që kemi filluar, në të vërtet ne jemi në fazën hulumtuese, sepse sapo kemi filluar. Na duhen disa vite për ta bërë këtë ashtu siç e kemi menduar. Mundësitë e programit të telemjekësisë janë thjeshtë, shumë të mëdha. Më 10 dhjetor, 2012, festuam “Një dekadë të Telemjekësisë në Ballkan”. Nëse mjekët tanë nuk e shfrytëzojnë për pacientët e vet, u hynë në borxh atyre. Ne duhet të krijojmë platformë që ata (mjekët dhe infermieret) ta përdorin për të mirën e pacientit. Edhe praktikisht, por edhe me ligj.
Nga opinioni i kualifikuar jeni cilësuar si shkencëtar në kirurgji. Cili është aktiviteti juaj shkencor?Dr. R. Latifi: Unë, jam profesor i kirurgjisë në Universitetin e Arizonës, ndërsa në Doha, Katar, drejtoj krijimin e sistemit të traumës në këtë shtet. Intelektualisht jam duke e mbaruar një libër të kirurgjisë. Në të njëjtën kohë po punoj të përhapim telemjekësinë në Afrikën Lindore si dhe në xhunglën e Amazonës.
Çka do të këshillonit për të qenë një mjek i suksesshëm?Dr. R. Latifi: Përkushtimi dhe mësimi i përjetshëm e bëjnë mjekun e mirë. Suksesi vjen më pastaj.
Faleminderit që ndatë kohën për të biseduar me ne.Dr. R. Latifi: Ju faleminderit për mundësinë që ta ndaj këtë pjesë të jetës time me lexuesit tuaj. /Telegrafi/











































