LAJMI I FUNDIT:

Dorëheqja e Presidentit dhe zgjedhjet e parakohshme

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, se Kryetari i Republikës së Kosovës dr. Fatmir Sejdiu për shkak të mbajtjes së dy posteve publike,ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, pasoi dorëheqja e tij. Dorëheqja e Sejdiut qiti në pah dy çështje: e para, u vërtetua se përkundër shkeljes së vazhdueshme të kushtetutës dhe ligjeve nga ana e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore ngadhënjeu drejtësia e vonuar. Në anën tjetër presidenti i Republikës më të marrë vesh për vendimin e gjykatës, përdori urtësinë, ku në konsultim edhe me miqtë ndërkombëtar dha dorëheqje duke mos pritur që për këtë vendim të votohet edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Dorëheqja e tij provokoi apetitet e partive politike dhe formave të tjera të organizimit dhe bashkimit politik për zhvillimet e ardhshme politike. Partnerët e koalicionit të cilët deri në vitin 2007 ishin kundërshtar të përbetuar jo vetëm politik, sakaq u bashkuan dhe në momentet kyçe të historisë më të re të Kosovës bashkërisht hartuan (lexo përkthyen nga anglishtja) Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me 17 shkurt 2008 shpallën pavarësinë e saj. Koalicioni shpeshherë u përcoll me fërkime dhe tone të nxehta sidomos gjatë emërimeve të përfaqësuesve të partive politike në poste të larta politike, ekzekutive dhe administrative. Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese hapi dilema të reja se si do të veprohet politikisht dhe si do të procedohet juridikisht.

Menjëherë pas kësaj dorëheqje kemi edhe deklaratat e para të zyrtarëve të lartë të të gjitha partive politike. Së pari u prononcuan përfaqësuesit e partnerëve të koalicionit dhe pastaj përfaqësuesit e partive politike dhe shoqërisë civile. PDK e ngazëllyer për këtë situatë të krijuar për të mjaftë e favorshme, menjëherë u deklarua se vendi mund të shkojë në organizim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ndërsa përfaqësuesi i koalicionit qeverisës përkundër dilemave për përshpejtim të zgjedhjeve deklaroi se: ne jemi të gatshëm qoftë për zgjedhje të jashtëzakonshme, qoftë për zgjedhje të parakohshme. Për zgjedhje të parakohshme u deklaruan edhe partitë opozitare sepse, fundja ato nuk kanë çka të humbin, pos që pas zgjedhjeve eventualisht mund të përfitojnë ndonjë mundësi për të hyrë në qeveri me fituesin eventual të tyre.


Përcaktimet kushtetuese dhe ligjore për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës

Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është hartuar në mënyrë burimore, prandaj posa ka filluar të implementohet në praktikë janë paraqitur vakuume dhe situate të pa definuara. Duke mos hyrë në interpretim të përgjithshëm të saj, ne po ndalemi vetëm në kapitullin e V i cili rregullon statusin e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës neni 88 paragrafin 1 Shkruan “Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik”. Përmes këtij paragrafi është sqaruar definitivisht se Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik, përveç funksionit të Kryetarit të Republikës së Kosovës. Atëherë çfarë kuptimi ka paragrafi 2 i këtij neni i cili thotë: “Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”.

Ky paragraf, jo vetëm që nuk ka qartësuar funksionin e Presidentit të Republikës së Kosovës, por edhe më shumë ka hapur dilema dhe paqartësi. Edhe më i paqartë bëhet kuptimi i këtij paragrafi ku thotë: “Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”. Shtrohet pyetja, cfarë kuptimi kanë fjalët pas zgjedhjes? A është ai President para se të zgjedhet?!

Propozimet për zgjedhje të jashtëzakonshme

Në kushtetutën e Republikës së Kosovës me asnjë paragraf nuk është përcaktuar organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Për këto zgjedhje aludohet në nenin 86, paragrafi 6 ku thotë: “Kur në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”.

Në këtë paragraf nuk përmenden as zgjedhjet e parakohshme as të jashtëzakonshme. Deklaratat e para për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme i kanë bërë fatkeqësisht bartësit e funksioneve më të larta shtetërore të Republikës së Kosovës dhe liderët e partive politike, duke i interpretuar dispozitat e kushtetutës në mënyrë tepër amatore.

Nëse në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës propozohet kandidati për President dhe nuk arrin të fitoj as në raundin e tretë të votimit atëherë sipas nenit 86 paragrafi 6 duhet të shpërndahet Kuvendi i Kosovës dhe të shpallën zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh. Shtrohet pyetja a ka mundësi të bëhet organizimi i zgjedhjeve brenda 45 ditëve? Sipas Kushtetutës po, por sipas Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, jo. Arsyeja është e thjeshtë. Sipas ligjit të sipërpërmendur prej datës së shpalljes së zgjedhjeve e deri në ditën e zgjedhjeve duhet të përmbushen një varg procedurash formale të cilat kërkojnë një afat kohor prej 4 deri në 6 muaj për organizimin dhe zbatimin e tyre.

Sa për ilustrim po komentojmë disa nga nenet e këtij ligji

Neni 15, paragrafi 1 thotë “Me qëllim të pjesëmarrjes në zgjedhje, subjekti politik duhet të certifikohet për atë qëllim nga KQZ-ja”. Ndërsa paragrafi 2 i këtij neni vazhdon. “Aplikimet për certifikim mund të dorëzohen në çdo kohë gjatë orëve të rregullta të punës deri gjashtëdhjetë (60) ditë para zgjedhjeve. Kjo procedurë formale kërkon 60 ditë!.
Neni 3 paragrafi 30 thotë “Periudha e fushatës” do të thotë periudha prej tridhjetë (30) ditëve për fushatën zgjedhore të subjekteve politike e cila përfundon një (1) ditë para ditës së zgjedhjeve; Kjo procedurë formale kërkon 30 ditë!
Vetëm këta dy paragrafe të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme automatikisht tregojnë se zgjedhje nuk mund të mbahen jo vetëm brenda afatit prej 45 ditësh por as brenda afatit prej dy muajve siç trumbetojnë disa të ashtuquajtur analistë politikë.

Neni 15, paragrafi 4 thotë: “Brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga shpallja e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Kosovës, partia politike e regjistruar e cila nuk dëshiron të certifikohet për zgjedhje duhet të njoftojë Zyrën për regjistrimin e partive politike, që nuk garon në zgjedhje, apo që partia politike do të kërkojë certifikim përmes koalicionit në përputhje me këtë ligj”. Kjo procedurë formale kërkon 15 ditë!

Neni 16 Shqyrtimi i Aplikimeve nga Zyra për certifikim të partive politike dhe subjekteve tjera për të marrë pjesë në zgjedhje:
Neni 16 paragrafi 1 Zyra shqyrton të gjitha aplikimet për certifikim dhe nëse përcakton se subjekti politik nuk ka plotësuar të gjitha kërkesat e përcaktuara në nenin 15, atëherë Zyra brenda dhjetë (10) ditëve pas pranimit të aplikimit për certifikim dërgon një njoftim me të cilin e informon subjektin politik për arsyen ose arsyet pse aplikimi i tij nuk është i mjaftueshëm. Kjo procedurë formale kërkon 10 ditë!
Neni 16 paragrafi 2 Aplikuesi i cili pranon njoftimin se duhet bërë korrigjimin e dokumentacionit të tij ka pesë (5) ditë punë për të dorëzuar aplikimin e korrigjuar apo një shpjegim që adreson brengat e identifikuar në njoftim. Kjo procedurë formale kërkon edhe 5 ditë!

Neni 16 paragrafi 3 Zyra i bën rekomandim me shkrim KQZ-së për apo kundër miratimit të secilit aplikim që pranon brenda pesë (5) ditëve nga pranimi i dokumentacionit të plotë. Rekomandimet përmbajnë shpjegim të shkruar për secilin kriter. Asnjë parti nuk certifikohet nëse nuk i plotëson kriteret e përcaktuara më tutje. Kjo procedurë formale kërkon edhe 5 ditë!
Neni 16 paragrafi 4 Pas pranimit të rekomandimit nga Zyra, KQZ-ja e miraton ose refuzon aplikimin për certifikim brenda shtatë (7) ditëve të punës. Kjo procedurë formale kërkon edhe 7 ditë!
Neni 16 paragrafi 5 Pas vendimit të KQZ-së, Zyra e njofton menjëherë aplikuesin me shkrim rreth statusit të aplikimit dhe në rast të refuzimit, ofron arsyetimin për refuzim dhe e këshillon aplikuesin për të drejtën e tij për t’u ankuar në KZAP brenda pesë (5) ditëve. Kjo procedurë formale kërkon edhe 5 ditë!
Neni 26 Shqyrtimi i Listës së Kandidatëve të partive politike ose kandidatëve të pavarur për pjesëmarrje në zgjedhje:

Neni 26 paragrafi 1 Zyra i bën një rekomandim të shkruar KQZ-së për ose kundër certifikimit të secilës listë të kandidatëve të pranuar jo më vonë se pesë (5) ditë pune pas afatit për dorëzim të listave. Kjo procedurë formale kërkon edhe 5 ditë!
Neni 26 paragrafi 2 Zyra i shqyrton të gjitha listat e kandidatëve dhe, në rast të përfundimit se subjekti politik i është përgjigjur kërkesave të Kapitullit III dhe IV të këtij ligji, atëherë i rekomandon KQZ-së certifikimin e listës brenda dhjetë (10) ditëve pas pranimit të listës. Kjo procedurë formale kërkon edhe 10 ditë!
Neni 26 paragrafi 3 Nëse Zyra vendos që lista e kandidatëve nuk përmbush dispozitën e mësipërme, në atë rast e njofton subjektin politik në fjalë që të korrigjojë listën e kandidatëve në periudhën brenda pesë (5) ditëve të punës, duke dhënë arsyetimin/et/ se përse lista e tyre duhet korrigjuar. Kjo procedurë formale kërkon edhe 5 ditë!

Neni 26 paragrafi 4 Subjekti politik i cili e pranon njoftimin e përcaktuar sipas paragrafit 3 të këtij neni i ka tre (3) ditë pune pas pranimit të njoftimit për të dorëzuar aplikimin e korrigjuar ose një arsyetim që adreson shqetësimet në çështjet e identifikuara në njoftim, ose të dyja bashkë. Kjo procedurë formale kërkon edhe 3 ditë!
Neni 26 paragrafi 5 Zyra i paraqet rekomandimin me shkrim KQZ-së për ose kundër certifikimit të listës së kandidatëve brenda dhjetë (10) ditëve të punës pas dorëzimit të njoftimit sipas nenit 26.3. Kjo procedurë formale kërkon edhe 10 ditë!
Neni 26 paragrafi 6 Ankesa e cilitdo subjekt politik ndaj vendimit të KQZ–së për të refuzuar certifikimin e listës së kandidatëve tek KZAP-i bëhet brenda afatit prej pesë (5) ditë pune pas njoftimit të atij subjekti politik me vendimin. Kjo procedurë formale kërkon edhe 5 ditë!

Këto dispozita përcaktojnë procedurat zgjedhore për zgjedhje të përgjithshme e të rregullta të cilat marrin kohë jo më pak se gjashtë muaj. Ndërsa i njëjti ligj, neni 4, paragrafi 5 përcakton se: Zgjedhjet e parakohshme rregullohen nga ligjet dhe rregullat e njëjta të KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore sipas nevojës në pajtim me rrethanat. Pra, sipas këtij paragrafi, KQZ-ja ka të drejtë kushtetuese dhe ligjore që të organizoj zgjedhje të parakohshme në afatin brenda 45 ditësh.

Por, para institucioneve tona të brishta shtetërore dhe politike, shtrohen shumë dilema se a ka mundësi që zgjedhjet e përgjithshme të organizohen brenda 45 ditësh, duke pasur parasysh:
a) afatin e shkurtër kohor për realizimin e proceseve zgjedhore të cilat procese, në rrethana normale kërkojnë prej 4 deri në 6 muaj kohë për përgatitjen e tyre;
b) brishtësinë e institucioneve që bëjnë menaxhimin dhe administrimin e zgjedhjeve;
c) infrastrukturën ligjore jo adekuate e cila ka shumë vakuume dhe paqartësi, duke e lënë shtegun e hapur për partitë politike për manipulim të votave të qytetarëve sikurse në zgjedhjet e vitit 2007;
d) ndërprerja e reformave elektorale në gjysmë të rrugës të cilat kanë një rëndësi të veçantë, menjëherë pas reformave kushtetuese;
e) hartimin e listave të kandidatëve nëpër forumet politiko ekzekutive të partive politike për të marrë pjesë në zgjedhje, si dhe krijimin e mundësisë kohore për partitë politike dhe kandidatët e tyre që në afate optimale kohore të shpalosin përpara elektoratit orientimet e tyre politike dhe programore.
f) si dhe azhurnimin e listave të votuesve të cilat në zgjedhjet e kaluara, fatkeqësisht kanë qenë në kundërshtim më Parimet Bazë të Trashëgimisë Elektorale Evropiane

Nga përvoja e kaluar shumë e hidhur, përkundër afateve kohore disa muajshe për përgatitjen e tyre, zgjedhjet janë zhvilluar me shumë mangësi administrative, paaftësi organizative dhe veprime devijante. Besojmë që partnerët e koalicionit si dhe subjektet tjera relevante politike, të rezonojnë me mendje të shëndosh dhe të flasin me gjuhën e arsyes që brenda dispozitave kushtetuese, në afatin e caktuar kohor, të merren vesh për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, duke i dhënë mundësinë: KQZ-së të zbatojë me përpikëri proceset zgjedhore; partive politike të bëjnë përgatitjet adekuate për pjesëmarrje dinjitoze në zgjedhje si dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës dalje masive më qëllim të përzgjedhjes së përfaqësuesve më të mirë në legjislaturën e ardhshme.

(Autori është doktorant i shkencave juridike, ekspert i sistemeve elektorale)

Në trend

Më shumë
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
Banorët thyejnë rregullat duke folur për nominime: Planifikojnë që nëse iu bie Kutia e Pandorës të nominojnë Gjestin, Eglin dhe Rozanën

Banorët thyejnë rregullat duke folur për nominime: Planifikojnë që nëse iu bie Kutia e Pandorës të nominojnë Gjestin, Eglin dhe Rozanën

Magazina

"Babait i ra pika, më tha nuk ke përkrahje prej familjes", Arbër Bytyqi tregon se nuk ia miratuan dëshirën për t'u bërë grimer dhe u detyrua të studionte diçka tjetër

Magazina
Kaplohet nga zjarri ish-kinemaja në qendër të Prishtinës

Kaplohet nga zjarri ish-kinemaja në qendër të Prishtinës

Kronika e Zezë
Koreja e Veriut tërheq ushtarët nga vija e frontit në Ukrainë

Koreja e Veriut tërheq ushtarët nga vija e frontit në Ukrainë

Evropa
Paul Pogba pranon të heq dorë nga milionat për t’u transferuar tek klubi i njohur evropian

Paul Pogba pranon të heq dorë nga milionat për t’u transferuar tek klubi i njohur evropian

Ndërkombëtare
Kalo në kategori