LAJMI I FUNDIT:

Do ta them një fjalë…

Titulli i vënë në krye të këtij shkrimi është marrë nga një barsoletë me një poet të dobët, i cili kishte filluar kështu vargjet e tij në një orë letrare diku në fshatrat e Kosovës në një kohë kur fjala e lirë nuk ishte e garantuar me kushtetutë. Poeti filloi me vargun sugjestiv: “Do ta them një fjalë”… Pasi pushoi pak dhe përpiu kureshtjen e publikut, ai vazhdoi: …dhe kur ta them atë fjalë… Pastaj pushoi së foluri. Të pranishmit u ngritën në këmbë dhe klithën gati të gatshëm për ta mbrojtur edhe fizikisht lirinë e poetit të tyre. “Nxirre të shkretën!” – thanë disa nga turma. “Hë më, po thuaje atë fjalë…” – prisnin me padurim të tjerët. Por poeti vetëm përsëriti dy a tri herë të njëjtat vargje: “Do ta them një fjalë/Dhe kur ta them atë fjalë…” duke përfunduar kështu “poezinë” e tij pa nxjerr sekretin aq shumë të pritur. E vërteta ishte se poeti nuk kishte çfarë të thoshte, porse dëshironte të dukej si i rrezikshëm për pushtetin duke paralajmëruar një fjalë të tij që nuk do ta thoshte kurrë.

Gjin Bue Shpata VS Xhorxh Vashingtoni!

Barsoleta me poetin i shkon përshtati premtimit të Adrian Gjinit, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili për më shumë se një javë rresht bëri një luftë psikologjike kundër qeverisë dhe pse jo edhe ndaj qytetarëve të Kosovës. Ardian Gjini nuk u bë interesant me zbrazësinë poetike, sepse nuk është poet, por me shterpësinë e tij politike, sepse është politikan. Më shumë i zënë ngushtë për fjalëve të veta sesa për ta zbardhur ndonjë të vërtetë, më në fund Gjini (Gjin Bue Shpata) polli miun nga bualli i tij i fryrë prej kohësh. Na doli se dikush me dike qenka takuar ne Budvë dhe se qenka e mundur që takime kosovaro-serbe të ketë patur edhe në dy-tri shtete tjera! E tërë kjo nuk mbeti më shumë se sa një dyshim i bazuar në spekulime.


AAK, ose më mirë të thuhet nënkryetari i saj që nuk duket të jetë shumë serioz, duke mos realizuar premtimin as 10 për qind të asaj që kishte paralajmëruar ditë më parë për publikimin e fakteve komprometuese për qeverinë, zhgënjeu edhe njëherë opinionin dhe e bindi atë (mua po se po) se alternativa që opozita ofron për të ardhmen e vendit është hiç më pak se baras me zero. (Them opozita, sepse po e heqë AAK-në partitë tjera më shumë mbesin si shoqata sesa si parti politike). Zoti Gjini tha se do të sillte fakte dhe nuk e solli asnjë për be. E tëra mbeti në suaza të spekulimeve, madje edhe më keq, u promovua lansimi i gënjeshtrës që do ta vinte në dyshim edhe një të vërtetë të mundshme që një ditë ky subjekt mund t’ia ofrojë opinionit. Të mos u mbetemi borxh as kolegëve të tij, Blerim Shalës dhe Ahmet Isufit , të cilët me mbështetjen e pohimeve të zotit Gjini, e vunë veten në të njëjtën shkallë të përgjegjësisë publike. Duhej mbrojtur shoku i mirë në ditë të vështirë!

Përderisa “argumentet” e Zotit Gjini ishin joserioze, përgjigja e kryeministrit të Kosovës ishte po ashtu e nivelit shpotitës. Nënkryetari i AAK-së nuk debatonte në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ku doemos se do të pritej një replikë e të njëjtit stil dhe intensitet nga krahu i kundërt, por ai po iu drejtohej medieve në një konference gati se urgjente të thirrur për një çështje shumë të ndjeshme, siç do të ishte akuza për bisedime të fshehta me Serbinë. Në këtë rast mbase përgjigja e kryeministrit duhej të ishte e prerë dhe e argumentuar. Mirëpo, përgjigje të tilla të tërthorta, ku shpotitet subjekti e injorohet “argumenti” gjejmë përditë në komunikimet politike. Rasti më i freskët ishte ai i Bernard Kushner, i cili nuk ngurroi ta quante të çmendur gazetarin serb që pyeste për shtëpinë e verdhë ku sipas tij UÇK-ja kishte kontrabanduar organet e serbeve të kidnapuar!

Megjithatë, në Kosovë diçka po ndodhë

Mirëpo, pas tërë kësaj rrëmuje, a mundet qeveria e Kosovës të ndihet e relaksuar? Për mua nuk është shumë e rëndësishme nëse kjo qeveri ka biseduar me këtë apo atë shtet e me këtë apo atë person. Në momentin kur ajo e ka marrë mandatin për ta udhëhequr vendin, ajo duhet t’i dijë detyrat e veta dhe është çështje e saj se çfarë strategjish do të hartojë dhe implementojë për t’i arritur objektivat e caktuara. Ajo që dihet është se me 17 shkurt të vitit 2008 Kosova ka shpallur pavarësinë dhe deklaratën e pavarësisë më shumë entuziazëm e ka lexuar vetë kryeministri Hashim Thaçi. Një mendje e kthjellët nuk do të dyshonte se pikërisht ky person, pas mbi dy vitesh pavarësie dhe pas një momenti shumë favorizues për Kosovën, siç ishte mendimi pozitiv i GjND-së, do ta fuste veten llugave me bisedime shtesë për statusin politik të Kosovës. Aq më tepër, kur një gjë të tillë nuk e përkrahë as bota demokratike, e cila është sponsori kryesor i pavarësisë sonë. Jo vetëm Hashim Thaçi, prej të cilit pritet më së pakut, po as edhe politikani më “kozmopolit” kosovar nuk do ta bënte ndonjë gjë të tillë, kur dihet se nuk do ta kishte mbështetjen e askujt nga brenda dhe të askujt nga miqtë ndërkombëtarë. Asnjë përfitim për vetën e as një përfitim për vendin dhe popullin e vet! Prandaj, akuzat se ky apo ai politikan po don ta shesë Kosovën te Serbia etj, janë jo qesharake, por paranoike dhe nuk ia vlen as të debatohet për to.

Ajo që vlen të debatohet ende është çështja e idesë së përfolur nga zoti Dell dhe të intervistës së këshilltarit të kryeministrit Thaçi, zotit Dukagjin Gorani dhënë gazetës Blic të Beogradit ku shihet gjenoreziteti i qeverisë për ta rrumbullakuar tani çështjen serbe në Kosovë me autonomi e staus special brenda federatës kosovare! Të paktën, z. Gorani, nuk ka arritur as për së afërmi ta demantojë gazetën në fjalë. Lexuesve shqiptarë ai iu ka thënë çfarë ka dashur, por ne nuk kemi parë ndonjë polemikë mes tij dhe intervistuesit të tij dhe nuk e kemi parë z.Gorani të thotë shkoqur se cila ishte ajo që ai në të vërtetë i kishte thënë gazetës Blic. Vetë fakti se ai kishte pranuar të fliste për këtë gazetë në një moment tepër delikat dhe për një temë po aq të ndjeshme është indikativ se qeveria, apo segmente të qeverisë aktuale kanë rënë në ndikim të testeve të “miqve” ndërkombëtarë, në këtë rast të miqve amerikanë, të cilët nuk ngurrojnë ta vënë në sprovë cilindo politikan, qoftë nga pozita qoftë nga opozita për ta matur pulsin e klasës politike e sidomos të masës publike për çështje të caktuara e problematike për të ndërtuar pastaj projekte në bazë të këtij pulsi.

Prandaj, edhe pas zhurmës që polli miun, qeveria e Kosovës dhe kreu i saj nuk mund të pushojnë të shkujdesur sikur asgjë nuk ka ndodhur. Në Kosovë diçka po ndodhë dhe kjo po shihet mirë nga lëvizjet e politikanëve serbë, nga ndërrimi i gjuhës së tyre dhe kapërcimi nga ekstremi i gatishmërisë për përqafim e deri te ekstremi tjetër i shantazheve për autonomi të veriut dhe ndarje të Kosovës. Ata që ne i quajmë miq ndërkombëtarë, nuk bën t’i shohim me naivitet si miqtë tanë privat, por para së gjithash do të duhej të quheshin miqtë e demokracisë. Si të tillë ata janë edhe miq tanët e edhe miq të serbëve. Por, politika jonë duhet të jetë e kujdesshme që të mos pranojë iniciativa të tilla që bien ndesh me të gjitha faktet relevante në bazë të së cilave është shpallur pavarësia e Kosovës. Pranimi i këtyre iniciativave për botën tjetër dukën simpatike e për ne mund të dalin problematike e mbase edhe fatale. Ambasadori Dell mund te thotë çfarë të dojë, por Thaçi dhe vartësit e tij duhet të jenë të kujdesshëm çfarë thonë e si sillen me çështjen serbe në Kosovë.

Mbase është koha të ulemi dhe të bisedojmë me serbët e Kosovës dhe t’ua themi planin tonë për ardhmërinë e përbashkët dhe t’u themi se as ne e as pala ndërkombëtare nuk përkrah asgjë më shumë sesa plani i Ahtisarit. Nëse ne tregohemi të hapur ndaj propozimeve të reja, presioni i botës demokratike nuk do të pushojë edhe kur serbët ta arrinin autonominë, madje as më vonë. Konflikti vazhdon aq sa dy palë duan të jenë në konflikt. Kurse botës demokratike nuk i prishet qejfi nëse dikush kërkon negociata e tjetri i pranon ato. Negociatat shihen si mjet demokratik dhe bazuar në këtë parim ne mund të flasim për çfarëdo qoftë përderisa nuk përdorim dhunën. Por, e keqja qëndron në atë se kur këtyre bisedimeve iu vije fundi dikush do të ndahet me dhëmbë të mpirë. Ky dikushi ka gjasa reale të jemi ne. Kjo padyshim nuk i konvenon Kosovës, e cila nuk sheh çështje që ka mbetur e pazgjidhur me planin e Ahtisaarit që në fakt është plan i bashkësisë ndërkombëtare. Nuk duhet harruar se në emër të përfitimit të të gjithëve, siç ka llogaritur bashkësia ndërkombëtare, shqiptarët kane dhënë shumë nga vetja për ta pranuar këtë plan.

Tensioni dhe atencioni i opozitës

Për mua është e pafalshme që një pjesë e opozitës, siç është tani AAK është marrë me një çështje aq pak të rëndësishme siç është dyshimi i pabazuar për takime të mundshme mes qeverisë sonë dhe asaj të Serbisë, në një kohë kur kjo shoqëri e sidomos njerëzit e sojit të politikës kanë aq shumë për të bërë. Pra, është zhvendosur vëmendja e publikut në një gjë fare të parëndësishme sa njeriu i sinqertë e ka të vështirë të kuptojë se AAK punon për t’ia zbuluar të metat qeverisë, apo për t’ia mbuluar ato! Gjatë kohës sa qeveria e Kosovës ka mundur të monitorohet e të kritikohet për dështimet eventuale në dikastere të ndryshëm, AAK ka mbajtur në tension dhe ka zhvendosur vëmendjen e opinionit nga problemet reale me të cilat ballafaqohet vendi.

Kosova me gjithë progresin e arritur, përballet me probleme të shumta, të cilat vinë si pasojë e qeverisjes së dobët. Qeverisje të përkryer nuk ka askund në botë, por qeveria e Kosovës është shumë larg perfeksionit performues. Megjithatë, nëse partitë opozitare nuk e ndërrojnë mënyrën e punës së tyre, pra të identifikojnë problemet reale dhe të ofrojnë zgjidhje alternative për to, Kosova do të mbetet pa alternativë politike. Të bërit e numrave për ta marrë në dorë pushtetin, nuk është kurrfarë garancie për ndryshimin e praktikave qeverisëse dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Kosova nuk ka nevojë vetëm për qeverisje më të mirë, por edhe për opozitë më të mirë dhe më të dinjitetetshme. Vendi do të kishte dobi nga një opozitë e mirë dhe korrekte aq sa do të kishte dobi nga një qeverisje e mirë. Kurse, politikanët tanë nuk lodhen për këtë. Mjafton që ata të kenë partinë e tyre qoftë edhe të vogël, t’i bëjnë numrat mundësisht për të hyrë në qeverisje partneriteti, apo edhe qeverisje “kolektive”, ose në rastin më të keq, të kenë aq numra sa figurat e njëjta të shkojnë çdoherë në parlament, prej ku mund t’i gëzojnë benificionet e ndryshme dhe të keqpërdorin aq sa ua lejon pozita dhe kompetenca aktuale për të keqpërdorë.

Kjo është një situatë pa alternativë që qytetarin e Kosovës e sjell para një akti të kryer, kur nuk ka kurrfarë motivi për të votuar mandatorët e rinj në politikë. Përderisa të gjithë politikanët e të gjitha grupeve merren me vetveten dhe interesat e tyre personale, familjare e klanore edhe qytetari i rëndomtë do të duhej të merrej strikt me punët e veta. Por, kjo nuk është reale, meqë injorimi i së keqes nuk do të thotë edhe evitim i saj. Është vetëm një shmangie momentale nga realiteti tejet i disfavorshëm që vazhdon të ekzistojë me tërë vrazhdësinë e tij. Në këtë situatë, qytetari i Kosovës duhet të mendojë më shumë për fatin e tij dhe të krijojë mekanizma për ta ndryshuar atë fat. Kosovës i duhet tjetër klasë politike, tjerë njerëz dhe tjetër vizion. Partitë dhe individët aktualë për fat të keq nuk ofrojnë asnjë dritë në tunel për kahje të re të zhvillimeve politike.

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori