LAJMI I FUNDIT:

Dirigjenti kosovar merr nën drejtim orkestrën gjermane

Dirigjenti kosovar merr nën drejtim orkestrën gjermane

Dirigjenti kosovar, i cili jeton në Gjermani, Kushtrim Gashi, do të pranonte një bursë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në muzikë, nga qyteti ku jeton, Darmstadt.

Dukej si një paralajmërim se 2015-a, do të jetë viti i tij. Nderimi që iu bë në fund të vitit të kaluar do të bëhej shkas që ai të paraqitej në një koncert në qendër të qytetit me rreth 150 mijë banorë në pjesën jugore të Rhine-Main, ku do të dirigjonte dy vepra të tij. E kjo ngjarje do mbulohej gjerësisht nga mediet vendase. Pas një shkrimi në gazetë do të merrte një telefonatë.

“E kisha pritur prej kohësh që unë jam në Gjermani”, thotë ai për telefonatën që kishte të bënte me një mundësi dirigjimi të njërës prej orkestrave të qytetit.

“Në qoftë se paraqitja ime do t’i pëlqente kësaj orkestre, ata do të vendosnin që unë të vazhdoj tutje. Dhe kështu ndodhi”, tregon Gashi, transmeton Koha Ditore.


“Mora konfirmimin që kjo orkestër me dëshirë do vazhdojë bashkëpunimin me mua. Për mua ishte e papritur, por shumë e kërkuar dhe unë them pareshtur se çdo artist, çdo njeri që dëshiron diçka, duhet ta kërkojë pa u lodhur. Dikur vjen rezultati”, shton Gashi, i cili në Gjermani shkoi për të vazhduar studimet postdiplomike pasi kreu shkollimin në drejtimet Kompozim dhe Dirigjim në Prishtinë e Shkup.

Tash është dirigjent në Orkestrën Simfonike të Darmstadtit me grupmosha të ndryshme.

Përveç bashkëpunimeve me orkestrat e huaja, Gashi tregon se angazhimi i tij vazhdon edhe me orkestrën kamertale të Prishtinës, “Rexho Mulliqi”, e cila është e themeluar në vitin 2010. Kjo orkestër do të mbajë koncerte në Gjermani e Turqi.