LAJMI I FUNDIT:

Dija, bukuria, trimëria, drejtësia dhe ryshfeti në anekdota

Nuk duhet shumë dije, harxhim as mund për të dëshmuar korrektësinë ndaj auditorit i cili voton dhe dëshiron ndryshim pozitiv të shoqërisë. Nuk duhet shumë mend për vepruar drejt. Vetëm pyeteni veten: A jam duke vepruar drejt? Si të duket kur dikush ta bënë një padrejtësi?

Xhemail Abria, të Pasha në Vushtrri


Kur ndërroheshin pashallarët e Vilajetit të Kosovës, secili prej tyre, posa merrte postin interesohej të mësojë shumë gjera për popullin e atij rajoni ku po shkonte të sundojë.

Një herë sulltani emëron një Pasha shumë të rreptë në Kosovë. Pashai posa u vendos në Vushtrri porositi shërbëtorët që të interesoheshin për te mësuar se cili njeri konsiderohet më i mençuri në Kosovë. Pas disa ditësh sejmenët e njoftuan pashain se Xhemail Abria konsiderohet dhe respektohet më së shumti në këtë vilajet. Pashai urdhëroi akinxhinjtë e tij që të shkojnë në katund e ta sjellin Xhemail Abrinë para Pashës.

Xhemaili, siç kanë rrëfyer pleqtë, e dinte edhe pse ka pyetur Pasha për të, pse e ka thirrë, dhe cili është pretendimi i tij.

Pasi u përgatitë mirë e mirë, pasi ngarkoi mbi kalë edhe një cjap të bukur, shaloi atin dhe shkoi në Vushtrri. Atin e lidhi para dere, por edhe cjapin që kishte sjell me veti. Pashai e priti brenda dhe posa e pa Xhemailin, ashtu çfarë ishte, i hajthshëm, jo fort i zhvilluar dhe pa mjekër fare, u befasua . Pashai e kishte menduar Xhemailin një burrë të madh, të majmë e me mjekër sa të cjapit, por imagjinata e tij kishte dështuar fare.

– Të kanë lëvduar shumë njerëz – tha Pasha!

E kuptoi krejt meselenë Xhemaili.

– E di se ke menduar se unë jam një plak me mjekër të bardhë , i madh e i zoti, por ky që po më sheh jam Xhemail Abria. Nëse donë me pa mjekër të bukur, ta sjell cjapin që e kam para dere. Nuk ka pasha në Stamboll që mund ta masë mjekrën e tij me atë të cjapit tim. Nëse ke menduar se jam i madh e i pashëm, tu ngjatë jeta Pasha, dil një herë para dere e ke për ta parë atin tim, me të cilin nuk mund të krahasohet asnjë kalë i vet Padishahut. Nëse donë të mësosh nga unë ndonjë gjë të urtë për këtë popull e për ketë vend, dhe nëse donë të sundosh pa probleme të mëdha, duhet të respektosh traditat themelore të shqiptarëve – i tha Xhemaili Pashait.

Xhemaili i tregoi për disa tradita të popullit. Pashai dëgjoi me vëmendje dhe thuhet se nuk sundoi më shumë se disa muaj dhe iku prej nga kishte ardhur, ngase e dinte se po të mos respektonte traditat e popullit shqiptar, do të ballafaqohej me revolta.

Dervish Goxhuli, xhandar i Krajlit

– Do ta provoj veten edhe në detyrën e xhandarit – i tha vetes një herë Drevishi dhe ashtu bëri.

Mendimtari, guximtari e punëtori Dervish Goxhuli, është vlerësuar si një ndër njerëzit më të mençur në Kosovë. Ai gjatë jetë së tij kishte punuar shumë profesione. U dallua si mullis, këngëtar e pleqnar, por edhe xhandar. Megjithëse kishte kaluar nëpër duar të xhandarmerisë serbe për shkak se kishte kënduar i pari këngën e Azem Bejtës, një herë Dervishi kishte vendosur të vesh edhe uniformën e xhandarit.

Pasi u pranua në detyrë, ai ashtu siç ishte me uniformë dhe pushkë, po shëtiste një ditë pazari. Një njeri ndalet dhe po i thotë Dervishit:

– I lumi ti Dervish me pushkë në krah! Ta kisha pas një pushkë si ti e kisha ba një nam.

Kur e pa Dervishi se si po krekosej, i tha:

– Ta shes ketë pushkë që kam, por t’i nuk mund ta mbash.

– Veç a guxon me ma shitë pushkën që e ke në krah, se ke për ta parë – i tha “trimi”.

Dervishi ia shiti pushkën dhe u kthye në stacionin e xhandarmerisë ku punonte. Kur e pyetën ku e ka pushkën, u përgjigj shkurt se e kishte shitur. Të gjithë xhandarët mbeten të befasuar, e bile edhe qeshën se si mund ta ketë shitur pushkë e shtetit. Por, pasi dihej edhe kujt ia ka shitur, nuk e bënë fort problem.

Një grup xhandarësh shkuan tek njeriu që kishte blerë pushkën nga Dervishi. Pasi ia dhanë ca dajak, ai e dorëzoi. Një ditë më vonë, Dervishi e sheh atë njeriun të cilit ia kish shitur pushkën, e po i thotë:

– Të kam pas thanë se nuk mund ta mbash pushkën.

Drejtësia dhe Kadiu

Shumë herë imamët apo hoxhallarët që kryenin ritet e nevojshme nëpër xhamitë e fshatrave të Kosovës, kishin fare pak shkollim. Madje shumë porosi apo urdhra që vinin nga shërbimi i drejtësisë nuk dinin as t’i lexojnë fare. Kështu, një drenicak shkon nga Kosterci në Vushtrri te Kadiu për të ndarë një drejtësi jo fort të thjeshtë.

Kur flitet për trashëgimin e femrës, edhe në ditët e sotme shumë kush ia futë kot. Femra shqiptare përherë është trajtuar trashëgimtare në të gjitha etapat e historisë sonë. Bile, ka shumë shembuj konkret për këtë. Ky opinion ka shembull ndarjen konkrete të drejtësisë gjatë kohës së pushtimit osman.

Një imam fshati, i korruptuar, gati sa nuk i futi në bela gjithë fshatin Kosterc. Fshatari i interesuar për drejtësi , nga Kosterci shkoi në Vushtrri, te Kadiu.

Fshatari ia rrëfeu kadiut lëndën e ankesës në hollësi.

– I zoti i pronës për të cilën kam ardhur ka vdekur, por ka lënë një pasuri të mirë, disa hektarë tokë, shtëpi me oborr, dy gra vejusha dhe katër vajza të martuara. Ai ka edhe një vëlla të ndarë më herët dhe i cili ka marrë hisen me kohë – i tha fshatari Kadiut.

Pasi e vlerësoi pasurinë, Kadiu i thotë fshatarit:

– Pasuria e mbetur e të vdekurit vlen 125 lira të kohës. 100 lira pasuri u takojnë vajzave, krejt pasuria brenda avllisë (rrethojës së oborrit) me gjithë shtëpi, kosha e hambar dhe gjëja e gjallë u takojnë dy vejushave. Meqenëse ato nuk dashkan të rrinë, vëllait të ndarë i takon hise me vlerë sa një vajze, pra 25 lira, ndërsa nëse vajzat e martuara shesin pronën që u takon, askush tjetër nuk mund ta blej para të vëllait.

Të gjitha këto të dhëna Kadiu i shkroi në letër dhe i tha fshatarit që t’ia dorëzoi në dorë imamit të fshatit. Fshatari ia dorëzoi letrën imamit, bashkë me selamin e Kadiut. Imami vetëm sa nuk u çmend kur pa letrën, pasi nuk dinte ta lexonte dhe për këtë i duhej të shkonte menjëherë në Vushtrri, për të mësuar nga goja e Kadiut për atë drejtësi. Kadiu ia shpjegoi imamit ndarjen e kësaj drejtësie. Imami u detyrua ta zbatojë pikë për pikë vendimin.

Në Kosterc, ky rast është transmetuar gojë pas goje deri sot.

Thjeshtë, drejtësia nuk është kurrë aq e komplikuar sa të mos zgjidhet si duhet. Vetëm duhet me qenë pak korrekt.

Ramadan Shabani dhe ryshfeti (korrupsioni)

Pasi ishte plakur, Ramadan Shabani e dërgon djalin për të ndarë një drejtësi në fshatin Uçë të Istogut. Ramadani e këshilloi mirë djalin para nisjes.

– Shko në Uçë. Kur të shkosh atje ndodhë që të jetë aty edhe Rexhë Hyseni i këtij fshati dhe ta dish se ai është burrë i mençur. Kemi qenë shokë të mirë me të për shumë vjet. M’i dërgo të fala se ai mund të të pyes për mua – i tha djalit.

Burrat e atij takimi kishin vendosur që Djali i Ramadanit ta ndajë drejtësinë. Kishin kurdisur edhe kurthin e ryshfetit. Njëri nga burrat me këtë rast ia futë ngadalë në xhep tri lira djalit dhe i uron sukses në punë. Meqenëse ky nuk e kishte provuar asnjëherë më parë ndarjen e drejtësisë, e ndau me hile. Të gjitha i dëgjoi Rexhë Hyseni.

Pas ndarjes së drejtësisë, burrat që ishin prezent në odë e luten Rexhën të flas ndonjë fjalë. Rexha me këtë rast e tregoi anekdotën për lojën me pulla.

– Kur luanim me pulla dikur, vetëm po të qëllonim shtyllën drejtpërdrejt e pranonim shënimin dhe në rast se pulla godiste cakun duke u rrokullisur nuk e pranonim.

Të gjithë qeshen me plakun dhe askush nuk tha asgjë.

Kur u kthye djali i Ramadanit në shtëpi, i ati e pyet:

– A ishte aty Rexhë Hyseni?

– Po – tha djali !

– A foli diçka Rexha?

– Po! E tregoi meselenë e lojës së pullave.

Ramadani menjëherë e kuptoi se djali i tij ka marr ryshfet.

– Nxirre nga xhepi ryshfetin se Rexha nuk flet kurrë badihava.

Djali i turpëruar nxori nga xhepi tri lira që i kishin dhënë tinëz për ta ndarë drejtësinë me hile. Ramadani ia ktheu lirat atij që kish dhënë ryshfet dhe drejtësia e asaj nate u pleqërua përsëri si duhet. Thuhet se djali i Ramadanit më kurrë nuk ka hëngër ryshfet gjatë jetës së tij.

Në trend

Më shumë
Policia e Kosovës gjen kamera në rrugët malore në kufirin Kosovë-Serbi

Policia e Kosovës gjen kamera në rrugët malore në kufirin Kosovë-Serbi

Lajme
Nënshkrimi i Mbappes ka shkaktuar tension në zhveshtoren e Real Madridit

Nënshkrimi i Mbappes ka shkaktuar tension në zhveshtoren e Real Madridit

Ndërkombëtare
Shkencëtarët zbuluan se sa orë në ditë duhet të ulemi, të flemë, të qëndrojmë në këmbë dhe të ushtrohemi

Shkencëtarët zbuluan se sa orë në ditë duhet të ulemi, të flemë, të qëndrojmë në këmbë dhe të ushtrohemi

Shëndetësi Lajme
Një grua nga India u ankua se burri i saj po e detyronte të bënte

Një grua nga India u ankua se burri i saj po e detyronte të bënte "seks të panatyrshëm", gjykatësi: Nuk është krim në martesë

Azia
Tragjedia në Shkodër, prokuroria zbulon mesazhet ofenduese dhe tradhtinë në celularin e bashkëshortit të Alma Arrazit

Tragjedia në Shkodër, prokuroria zbulon mesazhet ofenduese dhe tradhtinë në celularin e bashkëshortit të Alma Arrazit

Lajme
FSK trajnohet për automjetet luftarake Vuran

FSK trajnohet për automjetet luftarake Vuran

Siguri
Kalo në kategori