LAJMI I FUNDIT:

Dialogu pa dramë dhe kushtet

Pas miratimit të rezolutës në Asamblenë e OKB-së nuk ka fituar askush, as nuk ka humbur askush, por vetëm se është krijuar një mundësi dalëse apo një lloj kompromisi që palët të ulen kokë më kokë në tryezë. Edhe pse rezoluta është zbutur nga ndikimi i politikës dhe diplomacisë evropiane ajo ende mbetet një mundësi të cilën Serbia e kërkonte vazhdimisht gjatë tërë kohës e ato ishin hyrja në lojë e palëve. Kur them një mundësi kjo ka të bëjë jo me atë se shteti serb dhe politika e saj destruktive do të hapin çështjen e statusit politik i cili është mbyllur dhe tani Kosova është e pavarur me mbikëqyrje ndërkombëtare, por se politika dhe diplomacia serbe dëshirojnë që nëpërmjet kësaj mundësie të fusin hundët edhe në punët e brendshme të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, dhe kjo sigurisht se do të ishte gjëja më e keqe që do të mund t’i ndodhte Kosovë gjatë këtij procesi.

Gjithashtu duhet nënvizuar se përderisa shtetit serb siç edhe kam potencuar shpesh në shkrimet e mia nuk e njeh Kosovën si shtet, pastaj nuk e heq nga kushtetuta e saj dhe nuk kërkon falje për gjenocidin e bërë në Kosovë, atëherë bisedimet do të jenë kundërproduktive të dëmshme dhe me pasoja për Kosovën dhe ardhmërinë e saj. Edhe pse tekstualisht në rezolutën që u miratua në Asamblenë e kombeve të bashkuara është pranuar mendimi i GJND-së, i cili e konsideron deklarimin e pavarësisë së Kosovës si të ligjshëm, Serbia ende nuk e ka ndryshuar politikën dhe diplomacinë e saj karshi këtij realiteti të ri në Ballkan. Ajo në njërën anë fletë me fytyrën e kompromisit në raport me Bashkimin Evropian, ndërsa në anën tjetër fletë me fytyrën e shovinizmit dhe mosshkëputjes nga politika e saj e mjerueshme ndaj Kosovës.

Prandaj në këtë proces është shumë e rëndësishme që së pari të ndryshoj rrënjësisht politika serbë duke pranuar realitetin dhe njohjen e Kosovës shtet, si dhe të gjunjëzohet para viktimave të gjenocidit të shkaktuara nga luftërat e ish-Jugosllavisë duke kërkuar falje për këtë akt barbar, pastaj kur të hiqen këto barrë të rënda që po e ngadalësojnë ecjen e Ballkanit në drejtim të paqes, demokracisë, stabilitetit dhe proceseve të integrimit në Unionin Evropian, atëherë shqiptarët e Kosovës mund të ulen në dialog dhe të flasin për çështjet jetike të palëve dhe përmirësimit të raporteve si fqinjë. Përndryshe dialogu do të ishte i padobishëm dhe që nuk do të sillte pajtim dhe hapje sysh ndaj epokës së re të Ballkanit në këtë fillim shekull.


Nuk mund t’i besohet politikës dhe diplomacisë serbe përderisa ajo nuk ndërron petkun e saj ideologjik dhe nuk i heq rrënjët e politikës së saj nga doktrinat e vjetërsuara dhe primitive, vetëm atëherë kur të shohim se si shteti serb fillon të zhvesh petkun ideologjike dhe rrënjët doktrinare të politikës së saj të errët, atëherë mund të merret në konsideratë ulja në tryezë e palëve dhe fillimit i rregullimit të marrëdhënieve fqinjësore si dhe të proceseve të integrimit në familjen evropiane.

Sidoqoftë hyrja në dialog e palëve pa një hartë udhëzuese dhe agjendë do të ishte një humbje kohe dhe dialogu do të zhvillohej por palët do të dilnin të njëjta nga po e njëjta derë ashtu siç hyjnë në fillim të dialogut dhe marrëveshja nuk do të arrihej kurrë. Gjithashtu hyrja në dialog pa e njohur ende shteti serb Kosovën si shtet, si dhe pa e hequr nga kushtetuta dhe politika e saj, do të ishte një gabim i rëndë, sepse dialogu duhet dhe mund të zhvillohet vetëm në mes të dy shteteve që njohin njëra tjetrën si palë të barabarta. Prandaj dialogu do të jetë i frytshëm dhe produktiv nëse palët hyjnë si të barabarta dhe kanë njohur njëra tjetrën si palë sovrane që matin fuqinë në peshoren e këtij dialogu dhe mundësit e kompromiseve.

Shteti i mbikëqyrur i Kosovës duhet të jetë i kujdesshëm dhe para se të hyj në dialog të vendos disa kushte kategorike të palëkundshme siç janë;shteti serb të njeh Kosovën shtet; të heq nga kushtetuta e saj Kosovën; të kërkojë falje publike për gjenocidin e bërë dhe të heqin dorë nga pretendimet tjera në raport me shqiptarët. Pa plotësimin e këtyre kushteve hyrja në dialog do të ishte një eksperiment i rrezikshëm si dhe do të mund të shndërrohej nga një dialog që do të prekte realitetin e palëve dhe të njihnin njëra tjetrën si palëve sovrane dhe që do të shkonin drejt pajtimit dhe marrëveshjeve të përbashkëta në një dialog platonik ku drama do të zhvillohej, por iluzionet dhe neglizhenca ndaj realitetit do të ishin pjesë e lojës së këtij procesi, si dhe një rënie e të gjitha mundësive për të hapur një kapitull të ri në mes të dy palëve dhe ecjes si fqinjë të barabartë dhe të pajtuar me realitetin e shekullit XXI në gadishullin ilirik drejtë proceseve integruese.

Me një fjalë vetëm nëse pala serbe arrin të pranoj kushtet e mësipërme dhe të hyj në dialog si palë që njeh në tërësinë e saj Kosovën si shtet, mund të flitet për një dialog pa dramë, pa teatër dhe që nuk do kishte nevojë të ndryshonte ndonjë skenë në këtë proces, ndërsa hyrja pa plotësimin e këtyre kushteve do të ishte një dramë me eksperimente të llojllojshme. Një teatër që do të ndryshonte skenat sipas shijes dhe modeleve që do të ziheshin në kazanin e këtij dialogu duke prodhuar kështu një lloj të dialogut ironik dhe pa asnjë marrëveshje dhe pajtim të palëve. Prandaj vetëm nëse shteti serb hynë në dialog me kushtet e plotësuar, atëherë dialogu do të kishte në vetvete qëllimin e paqes, stabilitetit, demokratizimit dhe të proceseve të integrimit euroatlantik, si dhe do të flitej për një avancim të qartë të bashkëpunimit si fqinjë brenda një gadishulli që dëshiron të ketë një të ardhme të përbashkët evropiane dhe që punon në ndërtimin e urave të paqes dhe lirisë për të gjithë në rajon.