Dhimbja e gjoksit nuk është gjithmonë një atak në zemër: Si ta dalloni nëse vjen nga zemra, mushkëritë apo lukthi?

Kur bëhet fjalë për dhimbjen e gjoksit, metoda e trajtimit varet nga shkaku – dhe mund të lidhet me lukthin, tretjen, zemrën ose mushkëritë
Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të dini se si të dalloni ndryshimin.
Dhimbja e gjoksit është një nga shqetësimet më të zakonshme. Arsyeja është se pas saj mund të fshihen një sërë problemesh shëndetësore – nga problemet e tretjes, nëpërmjet sëmundjeve të zemrës e deri te problemet me infeksionet e mushkërive. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që të dini saktësisht se çfarë e shkakton dhimbjen, pasi kjo mundëson terapinë në kohë dhe të përshtatshme. Ndonjëherë, injorimi i kësaj simptome ose vlerësimi i gabuar i shkakut të saj mund të ketë pasoja serioze, madje edhe kërcënuese për jetën, thotë dr. Virbhan Balai, transmeton Telegrafi.
Tretja apo zemra: Çfarë e shkakton dhimbjen e gjoksit?
Si problemet e tretjes ashtu edhe sëmundjet e zemrës mund të shkaktojnë dhimbje gjoksi, e cila shpesh çon në konfuzion – njerëzit lehtë mund t’i ngatërrojnë njërën me tjetrën.
– Dhimbja e zemrës më së shpeshti shfaqet në mes të koshit të kraharorit, ka karakter shtrëngues dhe mund të përhapet në krahun e majtë, qafë, shpinë ose nofull. Në të kundërt, dhimbja e shkaktuar nga tretja më së shumti lokalizohet në pjesën e sipërme të stomakut dhe nuk përhapet – shpjegon doktor Balai.
Ai shton gjithashtu se problemet e zemrës shpesh ndodhin me djersitje të shtuar ose të përziera, përkeqësohen me sforcimet fizike dhe mund të lehtësohen duke pushuar ose duke marrë tableta nitroglicerine. Nga ana tjetër, problemet me tretjen mund të shoqërohen me gogësitje dhe të përziera, të përkeqësohen pas vakteve pikante ose të yndyrshme dhe shpesh lehtësohen me antacide.
Kur mushkëritë shkaktojnë dhimbje gjoksi?
Sipas doktor Balai, edhe infeksionet e mushkërive si pneumonia dhe pleuriti (inflamacion i pleurës) mund të shkaktojnë dhimbje gjoksi. Këto gjendje shkaktojnë inflamacion të indit të mushkërive dhe grumbullim të lëngjeve në qeset e ajrit të mushkërive (alveola), gjë që shkakton kollë dhe dhimbje.
– Pneumonia dhe infeksione të tjera virale ose bakteriale çojnë në trashje dhe inflamacion të indeve të mushkërive. Pacienti mund të ndiejë dhimbje kur kollitet ose merr frymë thellë, sepse ka fërkim mes dy membranave (pleurit) që rreshtojnë mushkëritë – shpjegon doktori.
Dhimbja e pleurit është zakonisht e mprehtë dhe therëse, që shfaqet pas një infeksioni ose ethe. Ajo rritet me kollitjen, frymëmarrjen e thellë ose lëvizjen dhe mund të lehtësohet duke u ulur ose duke u përkulur pak përpara.
Kur dhimbja e gjoksit është pasojë e panikut apo ankthit?
Disa njerëz që vuajnë nga ankthi dhe sulmet e panikut mund të përjetojnë dhimbje gjoksi që i ngjan një ataku në zemër. Megjithatë, me një bisedë të detajuar me pacientin, një ekzaminim klinik dhe testime shtesë, mjekët zakonisht mund të dallojnë dhimbjen e shkaktuar nga ankthi nga ajo që lidhet me zemrën.
Një studim i vitit 2002, i botuar në The Primary Care Companion to The Journal of Clinical Psychiatry, tregoi se dhimbja në gjoks është një simptomë e zakonshme e sulmeve të panikut – ajo u regjistrua në një gamë prej 22 deri në mbi 70 përqind të rasteve. Gjithashtu, midis 18-25 për qind e njerëzve që vijnë në dhomën e urgjencës me dhimbje gjoksi në fakt kanë çrregullime paniku.
Dhimbja e gjoksit e shkaktuar nga paniku shoqërohet shpesh me ndjenjën e frikës, dridhjes dhe mungesës së faktorëve të tjerë të rrezikut për sëmundjet e zemrës.
Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore?
Mjeku Balai paralajmëron se dhimbja në gjoks duhet të konsiderohet menjëherë si emergjencë kur është e fortë, shtrënguese dhe e shoqëruar me ndjenjën e rëndimit në gjoks, sikur dikush t’ju kishte vendosur një gur në gjoks.
– Nëse dhimbja përhapet në krahun e majtë, qafën ose nofullën – ka shumë të ngjarë të jetë me origjinë kardiake dhe nuk duhet të injorohet, veçanërisht nëse shoqërohet me djersitje, vështirësi në frymëmarrje ose të fikët. Është edhe më i rrezikshëm te njerëzit që tashmë kanë faktorë rreziku si diabeti, presioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit ose obeziteti.
Trajtimi për dhimbjen e gjoksit varet nga shkaku – nëse është zemra, mushkëritë, tretja apo muskuloskeletore – dhe kjo zakonisht mund të përcaktohet bazuar në një histori të detajuar dhe ekzaminim klinik. Ja se si bëhet diagnostikimi:
Dhimbje në zemër: zbulohet duke përdorur një EKG, ekografi të zemrës, test ushtrimesh (test rutine) ose analiza gjaku si troponina I ose troponina T. Në disa raste kryhet edhe angiografia koronare.
Dhimbje në mushkëri: diagnostikuar me një radiografi të gjoksit, skanim CT të mushkërive ose analiza gjaku si D-dimer.
Dhimbje tretëse: shpesh kërkon gastroskopi (endoskopi e sistemit të sipërm të tretjes).
Dhimbje muskuloskeletore: zbulohet me rreze X, CT ose rezonancë magnetike (MRI) të pjesës së prekur të trupit.
Sa herë që ndjeni dhimbje ose siklet, trupi juaj po ju dërgon një mesazh se diçka nuk është në rregull. Pavarësisht se sa e fortë është dhimbja, është e rëndësishme të zbuloni shkakun dhe të kontrolloni shëndetin tuaj të përgjithshëm, thotë mjeku. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Publikohet momenti i gjuajtjes me breshëri plumbash ndaj terroristëve serbë në Banjskë

Kush do të jetë Papa i ardhshëm? Kandidatët kryesorë në një garë të paparashikueshme

La Liga i jep Barcelonës lajmin fantastik për sezonin e ri

Avokatja e Diamant Gashit: Babai i tij ishte i tronditur nga përfshirja e të birit në rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika

Flick projekton transferimin e ish-lojtarit të Real Madridit te Barcelona

Haradinaj: Nëse Limaj i vazhdon pushtetin Kurtit, është dorë e zgjatur e Serbisë