LAJMI I FUNDIT:

Dështimet në procesin e reformave, në administratën publike të Kosovës

Dështimet në procesin e reformave, në administratën publike të Kosovës

Disa ditë më parë, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, paralajmëroi se Zyra e BE-së në Kosovë do të fillojë me publikimin e projekteve madhore të BE-së, të cilat nuk do (mund) të realizohen për shkak të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës. Kur Apostolova thotë “për shkak të udhëheqësve”, lë të kuptohet se fjala është te qeverisja e keqe dhe pa vizion e udhëheqësve të institucioneve të Republikës së Kosovë.

Ngjashëm me këto projekte, edhe reforma në administratën publike të Kosovës paraqet projekt madhor për funksionimin e mirëfilltë të shtetit. Madje, sot, një shtet funksional konsiderohet sinonim i një administrate të reformuar mirë dhe anasjelltas.

Procesi i reformave administrative paraqet po ashtu një projekt për të cilin janë investuar shumë miliona euro, jo vetëm nga projektet e BE-së, por edhe nga vet buxheti i Republikës së Kosovës. Reformat administrative për Kosovën kanë rëndësi të dyfishtë. Fillimisht, reformat administrative janë të rëndësishme për funksionimin gjithmbarshëm të shtetit, dhe, gjithashtu, ato paraqesin standarde që duhet arritur në rrugën drejt BE-së. Ajo që e dallon procesin e reformave administrative nga projektet tjera (të cilat nuk do të realizohen) është se procesi i reformave administrative ka filluar dhe po vazhdon, por i mungojnë rezultatet. Si një proces në të cilin janë derdhur miliona euro, me rezultate minimale dhe shpeshherë pa vizion, procesi meriton të quhet dështim. Pra, dështim në arritjen e objektivave të përcaktuara brenda kohës së përcaktuar.


Procesi i reformave në administratën publike të Kosovës ka filluar që me mbarimin e luftës dhe vendosjen e UNMIK-ut, dhe kjo periudhë ka vazhduar deri në shpalljen e pavarësisë me 2008. Nuk dua të flas për këtë periudhë, sepse çfarëdo që të jetë rezultati, shfajësimi është i njëjtë: “Ka qenë UNMIK-uM kemi qenë të kufizuar”! Pas shpalljes së pavarësisë më 2008, kompetencat dhe përgjegjësitë për shtyrjen e reformave administrative bien drejtpërdrejtë mbi institucionet e Republikës, gjegjësisht mbi Qeverinë, Ministrinë e Administratës Publike dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Pas shpalljes së pavarësisë, institucionet ndërmorën një valë të hartimit dhe miratimit të strategjive për reformën në administratën publike. Këto dokumente strategjike përfshinin fushat, si: burimet njerëzore, strukturën institucionale, menaxhimin e administratës publike, komunikimin me qytetarë, e-qeverisjen, menaxhimin e financave publike, politikat kundër-korrupsion, si dhe politikat dhe legjislacionin. Pas rezultateve tejet të dobëta, ku përmbushja e objektivave të secilës fushë nuk arrinte më shumë se 25 për qind, “Strategjia për Reformën në Administratën Publike 2007-2012”, e miratuar në shtator 2007, u rishikua në vitin 2009 dhe u zëvendësua me “Strategjinë e re 2010-2013”, ndërsa plani i veprimit për këtë strategji u hartua me dy vite vonesë, më 2012. Mund të mendojmë për rezultatet e strategjisë së re, nëse vetëm plani i veprimit është vonuar për dy vite.

Dy dokumentet tjera në lidhje me reformat administrative janë “Strategjia e Qeverisjes Elektronike 2009-2015” dhe “Strategjia për Trajnimin e Nëpunësve Civil 2011-2013”. Edhe objektivat e “Strategjisë për E-qeverisje 2009-2015” – e cilësuar si një plan strategjik shumë ambicioz, duke përfshirë në vete objektiva përtej mundësive dhe kushteve aktuale – janë vonuar dhe arritjet kanë qenë të vogla. Si arritje e kësaj strategjie konsiderohet themelimi i portalit shtetëror, ku qytetarët dhe bizneset mund të shërbehen me shërbime dhe informata të ndryshme që atyre u interesojnë, e që në rrethanat e një shteti të zhvilluar do të shihej si sukses i papërfillshëm.

Ngjarje mossuksesi paraqet edhe gjendja në shërbimin civil: një sistem shërbyesish civil joprofesional, punësime në baza familjare e miqësore dhe larg meritokracisë. “Strategjia për Trajnimin e Nëpunësve Civil 2011-2013”, e cila nuk është hartuar në bazë të analizave paraprake për nevojat dhe prioritetet e trajnimeve në shërbimin civil, karakterizohej nga mungesa e theksuar e ekspertëve të trajnimit dhe qasja gjithëpërfshirëse e organizimit të trajnimeve. Pjesëmarrja e nëpunësve në trajnime nuk ka qenë obligative dhe pjesëmarrja në to nuk është shpërblyer me zhvillim të karrierës dhe ngritje në detyrë. Madje, në lidhje me këtë dokument nuk ekziston asnjë raport vlerësues nga institucionet gjegjëse.

Përveç mungesës së zbatimit praktik, veprimet e institucioneve shtetërore, në lidhje me procesin e reformave administrative për periudhën 2008-2015, karakterizohen edhe nga mungesa themelore e profesionalizimit në hartimin e dokumenteve dhe planeve të punës. Huqja e madhe në përcaktimin e prioriteteve, mungesa e analizave paraprake, shpërputhja e objektivave në raport me rrethanat dhe kushtet në terren, mungesa e theksuar e bashkërendimit të aktiviteteve etj., të bëjnë të mendosh se dokumentet e tilla janë hartuar për ndonjë vend tjetër dhe se veç janë përkthyer në shqip.

Për dallim nga dokumentet paraprake, nga viti 2015 e tutje vërehet një përmirësim dhe ngritje e profesionalizmit në hartimin e dokumenteve strategjike. Edhe pse në letër reforma në administratën publike ka fituar statusin e prioritetit kyç, përsëri, zbatimi dhe jetësimi i objektivave të përcaktuara vazhdon të mbetet i zbehtë dhe jashtë kohës së përcaktuar. Shohim veprime të ndërmarra, por jo rezultate.

Procesi i reformave në administratën publike të Kosovës vazhdon të jetë projekt për të cilin shpenzohet, dhe rezultatet e të cilit janë të ngadalta e minimale. Trajtimi i çështjeve të reformës në administratën publike, më shumë si përgjigje ndaj kërkesave të shpeshta dhe presionit të Komisionit Evropian sesa si vullnet dhe vetëdije e qeverive dhe liderëve shtetërorë të Kosovës; monitorimi i performancës dhe i objektivave të përcaktuara i përqendruar në proces e jo në rezultate; mungesa e vullnetit politik dhe rezistenca burokratike ndaj ndryshimit; si dhe, mungesa e vizionit për reformat administrative në përgjithësi, janë disa nga shkaqet të cilat e kanë shndërruar procesin e reformave administrative në një projekt të pafund, që gëlltit miliona euro të buxhetit çdo vit dhe që nuk jep rezultate.

Për ilustrim, procesi i reformave administrative në Kosovë i ngjan një peme që jep pak fruta, një herë në tre-katër vite. Ndaj, si shoqëri, duhet të vetëdijesohemi më shumë! Është e domosdoshme të kuptojmë se cilësia e institucioneve shtetërore dhe reforma e tyre varet nga cilësia dhe fuqia e kërkesës së brendshme shoqërore për to. Mbase ky është mjeti i vetëm, momentalisht, për ndryshim të gjendjes.