LAJMI I FUNDIT:

Dënohet Sigal Prishtina

Dënohet Sigal Prishtina

Për incidentin e fundit të ndeshjes mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës, skuadra nga kryeqyteti është dënuar me dy ndeshje mos lojë në fushë të saj dhe një ndeshje pa shikues. Janë shqiptuar edhe dënime tjera në të holla, teksa Sigal Prishtinës përpos që i është regjistruar një humbje me rezultat 20:0, atyre iu është hequr edhe një pikë.

Komisari i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Tajar Rifati, ka marrë vendimet për takimet e javës së 18-të, ku kishte shumë punë sidomos për ndeshjen e ndërprerë Sigal Prishtina-Trepça.

Kjo përballje ishte ndërprerë në çerekun e tretë pas përleshjes ndërmjet tifozëve të dy skuadrave, ku kjo u bartë edhe në fushë, me sulme ndaj lojtarëve mysafirë. Kështu sipas KG, ndeshja është cilësuar si jo mirë e organizuar dhe për këtë Sigal Prishtina është dënuar me 100 euro.

Pas përfshirjes së Safet Mustafës në rrahje me tifozët, ku shihet duke goditur me karrige një tifoz, hapet procedurë disiplinore ndaj tij. Për shkak të ofendimeve të tifozëve ndaj Drilon Hajrizit, skuadra prishtinase dënohet me 100 euro, ndërsa me 100 euro është dënuar edhe për shkak të hedhjes së gjësendeve në parket.


Për shkak të hyrjes së tifozëve në fushën e lojës, duke sulmuar edhe skuadrën mysafire, Prishtina dënohet me 500 euro ose një ndeshje pa shikues.

Pasi u sulmuan dy basketbollistët mysafirë, Drilon Hajrizi dhe Denis Mimms, gjyqtari kryesor vendosi që të zbrazë sallën e më pas edhe të ndërpresë për çka Prishtina dënohet me një ndeshje pa shikues dhe dy ndeshje jashtë fushës së saj.

Takimi është regjistruar me rezultat 20:0 në të mirë të Trepçës dhe Prishtinës nuk do t’i takojë asnjë pikë, raporton SportPlus.

Takimi ndërmjet Kosovës së Vushtrrisë dhe Vëllaznimit që nuk u zhvillua për shkaqe teknike, do të zhvillohet me 15 mars. /Telegrafi/