LAJMI I FUNDIT:

Demantet konfuze dhe qesharake

Më duhet të them se fjalën qesharake në titull e shtova imponueshëm nga fakti se qeveritarët tanë e kanë përdorur pakursyeshëm këto ditë, kështu që padashur kam marrë diçka nga gjuha e tyre!

Është hera e dytë brenda një kohe relativisht të shkurtër që më bie të dëgjojë dofarë demantesh, apo më mirë të them dofarë ankesash qyqare të njerëzve të qeverisë sonë që duke dashur të mbulojnë gafet e tyre e bëjnë edhe më të dukshëm diletantizmin e tyre politik. I pari ishte ai i Dukagjin Goranit, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, i dyti është demanti i Bajram Rexhepit, ministër i punëve të brendshme në qeverinë e Kosovës.

Mashtrimi i qëllimshëm i opinionit për t’i mbuluar gafet personale


Zoti Gorani ishte ankuar para lexuesve se një gazetar serb, që unë do ta quaja një mik i tij gazetar serb (mund të jetë edhe imi, pse jo) e kishte marrë në qafë duke e (keq)përdorur atë për interesa të gazetës së vet, apo edhe më tutje, për interesa të politikës së shtetit të vet! Përderisa serbi e ka kryer me përpikëri detyrën e tij, për Dukagjin Goranin nuk jam hiç i sigurt se e ka kryer me nder punën e vet. Të paktën, siç e kemi thënë edhe më parë ai jo që e ka demantuar gazetën Blic, por e ka verifikuar atë që pikërisht e ka thënë me një lojë fjalësh në reagimin e tij në versionin në serbisht, ku ajo që kishte thënë për autonominë e mundshme serbe shndërrohet në mundësinë e hapur të bisedave me qeverinë për zgjidhjen e statusit të bashkësisë serbe në kuadër të Kosovës brenda kufijve të vizatuar në simbolin tonë valëvitës. Pra, buka e intervistës së tij u bë kulaç në reagimin që ai as vetë nuk mendonte se ishte demant. Z. Gorani ishte finok për ta mashtruar publikun, por jo aq naiv për ta gënjyer vetveten.

Reagimet e tilla janë konfuze dhe vërtet tejet qesharake. Megjithatë, ato vijnë nga dikasterë të ndryshëm dhe nga individë me përgjegjësi politike dhe përgatitje profesioanle të ndryshme. Zoti Gorani si profesionist me eksperiencë të pasur në media, ka arritur në njëfarë mënyre që mungesën e faktit përmbajtjesor ta zëvendësojë me faktografi formale duke dribluar me finokëri në terrenin e tij dhe nuk është çudi nëse ka trullosur ndonjë nga spektatorët e shumtë. Kurse, ministri i punëve të brendshme, që si mjek dhe politikan i dëshmuar, por pa eksperiencën e Goranit në fushën e fjalëve, nuk ka arritur ta bindë as spektatorin më të dobët se ajo çfarë ai ka bërë kësaj radhe i ngjan të paktën një loje serioze në terrenin e politikës apo të informimit ordinar.

Krejt ajo çka pohon ministri Rexhepi është konstatimi se deklarata e tij është keqinterpretuar. Me asnjë fjalë nuk është provuar të argumentohet një pohimi tillë. Një lexues krejt i paanshëm që nuk është as pro serb e as pro shqiptar e ka të vështirë ta gjejë të vërtetën në rastin kur demanti nuk përmban dy elementet kryesore të tij e ato janë: një, deklarata fije për pe se si është thënë dhe dy, vënia përballë e asaj çfarë x- media ka keqinterpretuar.

Imponimi i kredibilitetit personal si argument

Është një perceptim i lexuesit shqiptar (më shumë kosovar) që sapo të përballemi me mjetet serbe të informimit t’i klasifikojmë ato në grupin e medieve joobjektive, dezinformuese, manipuluese, keqinterpretuese etj. Një perceptim i tillë vjen nga një luftë e jona e gjatë dhe e mundimshme me politikën agresive serbe dhe me mbështetjen që ajo zakonisht ka gjetur në mediet vendore që ka ndihmuar dhe ndonjëherë edhe ka udhëhequr propagandën qeveritare, si një luftë psikologjike për të arritur objektivat e tyre djallëzore karshi problemit të Kosovës dhe politikës kosovare. Fakte ka aq shumë për ta mbështetur arsyen e këtij perceptimi sa nuk do të mjaftonin faqe e faqe të tëra për t’i përmendur shembujt e tillë. Mirëpo, me gjithë dyshimin empirik, cilido prej nesh e ka të vështirë të pajtohet se në Serbi nuk ka edhe informim objektiv. Me fjalë të tjera, askush nuk mund të konstatojë se mediet serbe janë ekskluzivisht të bazuara në gënjeshtra, përderisa me mijëra punëtorë të informimit jetojnë nga kjo industri aty sikurse edhe në Kosovë dhe në çdo pjesë tjetër të botës. Prandaj, para se t’i stigmatizojmë të gjitha mediet serbe si dezinformuese, është më e logjikshme që ta shohim lajmin apo informatën e caktuar dhe ta testojmë kredibilitetin e saj.

Njerëzit që nuk kanë punuar në mjetet e informimit e kanë vështirë t’i dallojnë argumentin prej pseudoargumentit dhe edhe pse hetojnë se diçka nuk është në rregull me këtë apo atë demant e mbllaçitin disi lajmin me ndjenjën subjektive se i yti gjithnjë ka të drejtë! Mirëpo, ata që sadopak marrin vesh në informim, pra në gjërat më elementare të informimit siç është bërja e lajmit, shumë më vështirë i nënshtrohen një subjektivizmi të tillë naiv. Si duket këtë naivitet të lexuesve, e më shumë do të thosha të dëgjuesve të lajmit, disa politikanë tanë janë duke e keqpërdorur në mënyrë të paskrupullt duke llogaritur se masa e pranon lajmin të tillë siç ua servon x-autoriteti.

Janë disa figura politike, si Bajram Rexhepi bie fjala, të cilët me punën e tyre e kanë dëshmuar vetën në situata specifike, duke filluar që nga kontributi në luftën e UÇK-së e deri në situatat më të vështira që ka kaluar Kosova. Ky kredibilitet pra nuk është arritur me fjalë e me pallavra, siç e kanë arritur disa ministra tjerë dhe këshilltarë të qeverisë Thaçi, por me punë vetëmohuese dhe të tillët meritojnë të jenë në funksion të politikës për aq sa janë në gjendje mentale e fizike për të kontribuar. Mirëpo, në asnjë rrethanë, njeriu nuk mundet që kredibilitetin e vet ta shfrytëzojë për t’ia imponuar të tjerëve një ide jo racionale, apo një të vërtetë fiktive. E vërteta është e vërtetë vetëm atëherë kur argumentohet me fakte. Është përgjegjësi morale e secilit njeri për ta argumentuar të vërtetën, por në rastin konkret përgjegjësia merr edhe dimensione tjera si politike, diplomatike dhe institucionale. Në këtë kontekst hyn edhe bërja e demantit të politikanëve tanë, të cilët kanë pranuar (ndoshta me padurim) përgjegjësinë e postit të kryeministrit, ministrit, këshilltarit, zëdhënësit etj duke mos patur parasysh se një ditë nuk do të jenë të vëmendshëm sa duhet me deklaratat e tyre, ose se dikush mund edhe t’i keqinterpretojë, shantazhojë etj. Në anën tjetër, është përgjegjësi e jona qytetare dhe profesionale që dukuritë e tilla t’i vëmë në spikamë, jo me qëllim të alarmimit të situatës e të zhvlerësimit të figurave politike, por thjeshtë me qëllim të ndërprerjes se praktikave të tilla që nuk janë në dobi as të klasës politike e as të miletit kosovar. Fundja, politikanët duhet ta dinë se nëse zihen duke na mashtruar për përfitime personale duhet të na japin përgjegjësi publike.

Dhëmbët qumështorë dhe blofi pa letra

Deklaratën e ministrit Rexhepi duhet parë nga tre dimnsione: nga dimensioni politik, profesional dhe ai etik.

Kosova është një shtet pa potencë mbrojtëse dhe çdo kërcënim ndaj komunitetit serb është shantazh nda j komunitetit ndërkombëtar i cili e mban nën kontroll mbarë Kosovën, sigurinë e saj dhe institucionet e Kosovës. Bajram Rexhepi nuk ka shanse ta përdorë policinë e tij për qëllime çfarë ka pretenduar, prandaj nuk ka nevojë t`i tregojë fare dhëmbët e qumështit të cilët nuk mund ta thyejnë asnjë arrë të vetme! Pretendimi i pamundshëm për t’u realizuar, është i palogjikshëm për t`u folur. Edhe si deklaratë politike është kryekëput kontraprduktive dhe jo në harmoni me politikën zyrtare të qeverisë, e cila askund në planin e vet nuk ka paraparë përdorimin e forcës për të shtypur aspiratat politike të grupeve etnike në Kosovë. Mbase të treguarit e dhëmbëve të tillë qumështorë gjen ndonjë bazë kushtetuese, por thirrja në mjetet e fundit pa shterur të gjitha mjetet tjera paqësore është një shkurtpamësi politike që shpie drejt dështimit të sigurt. Aq më tepër kur forcat mbrojtëse nuk mund t’i përdorësh ende pa i krijuar ato. Politika nuk është poker të bësh blof pa i pasur letrat. Kur i ke sendet fol shlirë, thonë pokerashët.

Ana profesionale është ajo që u tha më lartë, pra mungesa e argumentit qendror të demantit. Ajo që do të shtoja këtu është se ministri është një institucion në vete brenda institucionit ministri, apo qeveri dhe në çdo rrethanë duhet të veprojë institucionalisht. Kjo nënkupton se deklaratat, po edhe demantet janë institucionale dhe duhet institucionalisht edhe të përgatitën. Ministri dhe këshilltarët e tij duhet të kenë sensin për pyetjet që mund t’iu shtrohen nga mediet në momentet e caktuara e delikate dhe përgjigjet duhet të jenë në harmoni me parimet politike të qeverisë edhe kur ato duken spontane dhe të sajuara ad hoc. Kurse kur është puna të demanti, ajo është një gjë shumë më e lehtë, meqë koha premton sa të duash që x- funksionari të konsultohet me eprorët dhe bashkëpunëtorët e tij para se t’ua shpërndajë medieve një demant.

Sa i përket dimensionit të tretë, pra atij etik, ai ka të bëjë më sinqeritetin njerëzor në rëndë të parë e pastaj pse jo edhe me atë politik. Me një fjalë me kodin moral. Ne duhet të harrojmë se menduari se gënjeshtra dhe manipulimi me fjalë e pseudoargumente është politikë. Vendet e përparuara e kanë tejkaluar këtë logjikë që moti dhe Kosova nuk duhet të mësojë nga shkollat më të dobëta siç është shkolla e servuar nga vendet ballkanike që politikën e praktikojnë si një retorikë pa koncept e pa subjekt të mirëfilltë. Edhe politikani është njeri dhe mund ta ketë pasur një ditë të lodhshme, një situatë personale a familjare që ka mundur të ndikojë në koncentrimin e tij gjatë asaj dite dhe në një ditë të keqe është e mundur që edhe të jepet një deklaratë e keqe. Kjo pra është njerëzore dhe deri diku e arsyeshme, sa do që gjasat janë që ministri Rexhepi t’u ketë rënë pishman fjalëve të veta pak si tepër të majme për muskujt e tij. Ajo që nuk mund të arsyetohet është orvatja që deklaratat e pamenduara mirë të mohohen në mënyrë të pasinqertë dhe madje diletante. Ne nuk jemi “evlia” të dimë se ç’ka menduar Bjaram Rexhepi, kur ai nuk na tregon vetë se çfarë ka thënë. Në këtë rast ndoshta duhet besuar më shumë një gazete “armike” (siç do ta sugjeronte apo perceptonte dikush) sesa ministrit tonë, edhe pse i njohur si burrë i mirë e patriot!

Në trend

Më shumë
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Kalo në kategori