LAJMI I FUNDIT:

Delawie: Kuvendi ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi (Video)

Delawie: Kuvendi ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi (Video)

Ambasadori amerikan Greg Delawie, ka thënë se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi duhet të miratohet në Kuvend. Ai gjithashtu foli edhe për Gjykatën Speciale duke thënë se është një hap i rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit në strukturat evropiane.

“BE-ja e ka bërë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje kusht për liberalizimin e vizave. Sigurisht që unë e mbështes aftësinë e Kosovës për integrim në institucionet evropiane dhe për ta pasur mundësinë për të udhëtuar nëse BE-je e lejon këtë gjë, por natyrisht ky nuk është vendim imi. Por, mendoj se Kuvendi do të duhej ta miratojë këtë marrëveshje, do të duhej ta ratifikojë atë. Natyrisht që do t’i nxisja qytetarët e Kosovës të bisedojnë me deputetët e tyre dhe t’ua shpjegojnë se sa e rëndësishme është për ta që t’i plotësojnë kushtet e BE-së”, ka thënë Delawie në një intervistë për emisionin “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me Gjykatën Speciale, ambasadori tha se për Kosovën ky është një hap i rëndësishëm në shtegtimin drejt integrimit të plotë në strukturat evropiane.


“Mendoj se Gjykata dhe çka do të dalë nga ajo do të jenë hapa shumë të rëndësishëm për Kosovën në shtegtimin e saj drejt integrimit të plotë në strukturat evropiane, që e kam thënë shumë herë është qëllimi im për Kosovën. Kam besim të plotë në aftësinë e gjykatës për të ndarë drejtësi për krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në mënyrë të drejtë dhe të përgjegjshme”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Ambasadori amerikan ka folur për pavarësinë e gjyqësorit nga politikanët.

Sipas tij, kjo është një ndër parimet themelore të demokracisë.

“Gjyqësori duhet të jetë i pavarur nga politikanët. Kjo është ndër parimet themelore të demokracisë. Por, po ashtu duhet ta pranojmë se edhe gjyqësori dhe prokurorët duhet të veprojnë në pajtim me ligjin. E kjo na kthen tek ajo që po flisja pak më parë: rëndësia e reformës së Zyrës së Prokurorit Disiplinor. Sepse rastet e sjelljes së pahijshme duhet të shqyrtohen edhe nëse kryhen nga ndonjë gjyqtar apo prokuror”, tha ai. /Telegrafi/

Ndiqeni të plotë intervistën e ambasadorit Delawie: