Rruga e Kombit është e ngrirë. Ministri shqiptar na udhëzon që, pa një zor të madh, të mos ecim Rrugës së Kombit. As andej, as këndej. Edhe pse tingëllon krejtësisht jopatriotike, situata është e tillë, sa rruga mund të kalohet veç me saja ose me ski!
Por, ju atdhetarë, me ose pa arsye, andej dhe këndej kufirit, mos u shqetësoni. Falë Zotit dhe prognozave meteorologjike kur të jetë botuar ky shkrim, rruga veç do të jetë e shkrirë. Këtë e them me siguri, edhe pse prej se ka shkuar Syla në pension, prognozat në Kosovë më nuk janë aq të sakta, si më parë. Atëherë qytetarët e merrnin ombrellën me vete, për çdo rast.
Nejse! Shkrirje do të ketë, në mos jo tash, atëherë së shpejti. Verës po se po. Shqetëson lehtësia me të cilën Qeveria shqiptare e ka marrë këtë gjendje. Është mbyllur, pra! Ani çka! A nuk ju irriton edhe ju një deklaratë kaq “jopatriotike”? Fundja nuk është pa gjë edhe pyetja e motivuar me arsye krejtësisht pragmatike: çfarë na duhen kosovarët dimrit?
Ka që shohin edhe konspiracion pas kësaj deklarate. Thonë se Qeveria nuk ka dashur që haptazi të distancohet nga grupet militante, politiko-ushtarake, patriotike dhe ua kanë thënë këtë në formë të mbuluar, metaforike. Dimër, ngricë, Rruga e Kombit e mbyllur… mos ejani vëllezër, pa një zor të madh, se “mamaja” ka halle me statusin e vendit kandidat…!
Por, “Vetëvendosje” mendon ndryshe. Si zakonisht! Është kundër. Ajo mendon se “mëma” duhet të duhet pa hile, madje edhe dimrit. Edhe nëpër shi, edhe ditën me diell, edhe natën me ose pa hënë. Sepse. Shqipëria është nëna dhe Kosova është goca. Po e dini: është ajo vajza e grabitur, Doruntina, për të cilën në letërsinë tonë dikur pyetej me të madhe se kush e solli. Kush e solli Doruntinën? E solli apo nuk e solli? E si ta sillte nëpër rrugën e mbyllur nga akulli, do të thoni ju?
Kjo icepolitika ju asocion në icecream, në akullore, në diçka të ëmbël. Diçka si “balta më e ëmbël se mjalti”, veç në versionin dimëror! Por jo, kjo ka të bëjë me ngrirjen, pakalueshmërinë… thjesht, mos hajdeni pa ndonjë zor të madh.
Pra, si zakonisht, Albini nuk pajtohet! Qarkullimi në Rrugën e Kombit nuk njeh stinë. “Na kushtoi një dreq e gjysmë kjo rrugë, andej e këndej”, llafos ai me vete, shprehi kjo që i mbeti nga burgu i Dyzit. Kjo autostradë e pasuroi klasën tonë politike, kombëtare, andej dhe këndej. Veç të ishte e rregulluar edhe mirëmbajtja – që kuptohet se kërkon buxhet të veçantë – dhe do të pasurohen edhe dora e dytë, edhe e tretë e politikës. Ose, mos e mirëmbani, se po nisemi me ski ose me saja.
Nejse. U nisën, ai me shokë përkundër paralajmërimeve dhe shkuan në Tiranë. Falë Zotit, arritën shëndoshë e mirë, sepse teoritë e konspiracionit nëpër mediat tona nuk do të kishin të ndalur. Atje, Albini përpara sallës së mbushur plot, mbajti fjalë dhe i siguroi tironsit se edhe ne në Kosovë jemi rritur me filma të kinostudios “Shqipëria e Re” dhe si inxhinierë të zotët që jemi, kishim zbuluar edhe lloj-lloj antenash që anashkalonin censurën serbe, për të kapur sinjalet e RTSH-së! Kjo i binte të jetë një deklaratë krejt e kundërt me shijet e Ramës dhe shumë tironsve të tjerë, të cilët asokohe, duke rrezikuar internimin, dëgjonin tinëz “Bjelo dugme” dhe këngëtarët e tjerë të adhuruar jugosllavë, të cilët më vonë morën edhe çelësat e Tiranës. E pse mos me ua dhënë?! Komshinj. Pastaj, a nuk i dëgjonte edhe “Gjurmët”? Edhe ata morën një çelës! Antenat e improvizuara sfidonin censurën dhe realiteti i këndellë politikanët tonë. As Albini nuk i gjeti ëndrrat e veta në Tiranë, as Edi në Kosovë. Kanë perënduar ato kohët e censurave. Kombin e pengon vetëm akulli… në politikën vendore dhe ndërkombëtare.
Kryesorja, koalicioni kosovar në qeveri nuk i ka këto halle, veç lutet që të mos bjerë borë… verës. Sepse, siç e dini, Serbia nuk ka det. Ku të mbytet qeveria pastaj! Aq e preokupuar që është me çështjen e rrugëve ndërkombëtare, sa nuk mërzitet për këto kombëtare. Nejse!
Edhe Evropa ka gajle të tjera. Nuk i financoi, as nuk i mirëmban rrugët tona kombëtare. Fatmirësisht, thonë, nuk raportohet për telashe në rrugët me Serbinë. Se ato po hapen dhe po mirëmbahen… nga Evropa. Politikisht. Edhe pse vetë qeveria serbe nuk ka treguar ndonjë vullnet të madh për të përmirësuar rrugët, përpos me pjesën veriore të Kosovës. Veç nëse jep para Evropa. Evropa jep para, si nuk jep…!
Ia filluam me probleme. Dhe kombi ka probleme. Në Kosovë, aktualisht, përjashto dimrin e ftohtë dhe fukaranë që mërdhin, hallin më të madh e kemi se kush do të bëhet president. Edhe këtu, politika është e ngrirë, sikurse edhe zemrat e qytetarëve, të cilët kanë mbetur pa shumë shpresë nga kjo qeverisje dhe nga kjo opozitë që po luftojnë mes tyre në mënyrën më jokonvencionale deri më tani.
Megjithatë, duke parë strukturën e problemit, situata nuk duket shumë e komplikuar. “O djalë, o çikë”, i pati thënë një magjistare lokale një gruaje shtatzënë, e cila po e pyeste për gjininë e fëmijës së vet. Kishte atëherë edhe ultrazë, por kush shkonte atëherë deri në kryeqytet. Pra, dilema është e thjeshtë, sikurse me presidentin e ardhshëm të vendit. O Atifetja, o Hashimi. Me këta të dy, jemi mësuar! As veset dhe dobësitë nuk ua shohim më. As të mirat. Pastaj, populli nuk ka kohë për ultrazë? Se mos po e pyet popullin ndokush… Populli, si populli. Në këto raste i këqyr punët e veta dhe do ta kalojë edhe këtë gjendje të tensionuar kot prej mediave. Edhe tash, kur pushteti është i tij nga shprehia, e ka bezdi të përzihet në politikë. Përjashto ndonjë protestë që premtohet të jetë e qetë dhe argëtuese, për të cilën është siguruar transporti. Pse jo! Pse të mos dilet në kryeqytet, pa e paguar biletën.
Pra, dilema është e thjeshtë: Atifetja vështirë të jetë më kryetare, pas publikimit të notave në gjimnaz. Hashimi ka probleme me dyshimet për krim të organizuar dhe korrupsion. Pesha e këtyre, sipas mediave, janë pak a shumë të njëjta. Njëshat e Presidentes, të mbyllur në ditarë, janë bërë temë dite në media dhe rrjetet sociale. Por kjo gjë po zmadhohet për nevoja të fushatës joformale. Çfarë mendoni ju: sikur profesorët e saj të kishin së paku një ide se ajo një ditë do të bëhej Presidente, mendoni se nxënësja Atifete do të kishte gjithë ata njësha në ditarë? Nuk do t’i kishte! A thua, çfarë do të mendonin profesorët e Hashimit? Dukej djalë i mirë, i ndrojtur do të thonë! Kurrë nuk kishim besuar …!
Kështu, ndërsa e mbylla këtë shkrim, Rruga e Kombit u shkri. Albini shpalosi emocionet andej. Politika andej ka kureshtje për metodat e tij jokonvencionale.
Këndej po luhet loja e vjetër: dy palë po shahen mes veti. Bëhet aq zhurmë, sa askush nuk mendon për alternativën e tretë…!
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Garanton Emilia Rexhepi: Gjashtë deputetë të komuniteteve jo serbe s'e votojnë një qeveri të opozitës

Trump pësoi një goditje tjetër ligjore

'Një pazarllëk': Çfarë arriti Samiti i Kajros për Gazën?

Gjesti kritikohet për mungesë empatie pas largimit të Eglit nga BBVA, pyet se ku janë cigaret e saj pasi ajo la shtëpinë

"Mezi u çova, nuk kam fuqi" - fjalët dhe momentet e fundit të Eglit në shtëpi, dukej në gjendje jo të mirë dhe pa energji

Musk ofendoi miliarderin meksikan - ai iu hakmor me ndërprerje të kontratës miliardëshe

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Garanton Emilia Rexhepi: Gjashtë deputetë të komuniteteve jo serbe s'e votojnë një qeveri të opozitës

Trump pësoi një goditje tjetër ligjore

"Mezi u çova, nuk kam fuqi" - fjalët dhe momentet e fundit të Eglit në shtëpi, dukej në gjendje jo të mirë dhe pa energji

'Një pazarllëk': Çfarë arriti Samiti i Kajros për Gazën?

Gjesti kritikohet për mungesë empatie pas largimit të Eglit nga BBVA, pyet se ku janë cigaret e saj pasi ajo la shtëpinë

A mund ta formojë opozita Qeverinë? Hasani shpjegon çfarë parasheh Kushtetuta e Kosovës