LAJMI I FUNDIT:

Cana luan ndaj Shqipërisë

Cana luan ndaj Shqipërisë

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka konfirmuar se do të luajë të premten kundër Norvegjisë në Oslo, në ndeshjen që trajneri i Kombëtares dhe vetë lojtarët e kanë quajtur më të rëndësishmen të këtij cikli eliminator për Botërorin "Brazili 2014".

Futbollisti i Lazios ka disa ditë që po ndien dhimbje në këmbë, por thotë se do të ndihmojë bashkëlojtarët për të "zënë trenin" që çon në Brazil.

Kjo ndeshje llogaritet shumë e rëndësishme, meqë Shqipëria vlerëson se Norvegjia është kundërshtari më i madh për pozitën e dytë në tabelë, pozitë kjo që siguron barazhin për kualifikim në Botëror.

Tash për tash, Norvegjia është e dyta më 7 pikë, kurse Shqipëria është e treta me një pikë më pak, por vazhdon të vajtojë pikët që i humbi me Islandën (1:2) në Tiranë.


Cana ka garantuar se në Norvegji do të shkojnë për të sulmuar, jo për të qenë inferiorë në fushë.

"E kam thënë që jemi në një grup homogjen, ku mund të fitosh dhe të humbësh me cilëndo skuadër, por edhe nëse dalim pa pikë nuk do të thotë se duhet që të dorëzohemi, pasi do kemi në dispozicion edhe pesë ndeshje të tjera. Gjithsesi nuk e ndiejmë veten inferiorë, pavarësisht se e dimë që kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë", ka thënë Cana për Kohën Ditore.

"Ne jemi një skuadër e organizuar mirë, ku kemi pësuar pesë gola dhe kemi shënuar po ashtu pesë. Të gjithë golat që kemi pësuar kanë qenë nga goditjet standarde, çka ne duhet me patjetër që ta korrigjojmë. Nuk mundet që të pësojmë në mënyrë të tillë, përderisa në mbrojtje kemi gjetur një lloj stabiliteti", deklaroi ai. /Telegrafi/