LAJMI I FUNDIT:

Burrneshat

Burrneshat

Nga: Stella Morgana
Përktheu: Arkid Abdullaj

Për të fituar të njëjtat të drejta si burrat, gratë shqiptare japin premtimin e virgjërisë së përjetshme, një praktikë fisnore që vazhdon të ekzistojë ende në krahina të caktuara malore. “Braktisja” e gjinisë së tyre i jep grave të drejtën për të trashëguar pronën, për të tymosur në publik dhe për të udhëtuar. Në një familje ku mungojnë burrat, një grua mund të mund të qëndrojë në krye dhe të gëzojë të njëjtin autoritet si një burrë.

Ato zotohen për ruajtjen e virgjërisë, në këmbim të së drejtës për të jetuar si burrë dhe për të mbijetuar në një botë të dominuar nga burrat. Jetojnë në zonat rurale të veriut të Shqipërisë e pak kohë më parë jetonin edhe në Bosnjë dhe në Serbinë jugore. Quhen burrnesha ose virgjëresha të betuara për të qëndruar gjithmonë të tilla.


Femra nga lindja dhe meshkuj sipas zgjedhjes, ato zgjedhin si pasojë e kushteve shoqërore, të veshin pantallonat në familje. Ato mohojnë gjininë e tyre dhe gëzojnë të njëjtat të drejta dhe detyra si burrat, duke mbrojtur apo siguruar familjet e tyre.

Në ditët e sotme ekziston vetëm një numër i vogël burrneshash të cilat janë bija të një tradite të bazuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit, një “legjislacion” i lashtë që daton rreth 500 vjet më parë, i pranuar dhe respektuar nga feja myslimane dhe kristiane, dhe i kaluar gojarisht derisa pa dritën e botimit rreth shekullit XX.

Duke braktisur gjininë, amësinë dhe të drejtën për të patur fëmijë, këto gra e fitojnë statusin e burrit në të gjitha aspektet: mund të hakmerren për padrejtësitë, mund të mbajnë armë dhe gjithashtu kanë të drejtën për të blerë pronë.

Një ndër to është Pashe Keqi, tashmë 80-vjeçe, me fytyrë të ashpër e të rrudhur. Ishte vajzë përpara se të ndryshonte. Ajo shiti fustanin e saj për të pasur një palë pantallona si të të atit, duke lënë pas atë adoleshenten e këndshme që ishte që ditën që vuri mbi sup një pushkë gjuetie, për të qëlluar, për t’i parë vlerën: për t’u hakmarrë!

“Aso kohe, ishte më mirë të ishe burrë sepse gruaja trajtohej si e barabartë me një kafshë. Nëse një grua vlente sa gjysma e një burri, një vajzë e zotuar për t’u bërë burrneshë vlente sa 12 të tillë. Kjo ndodhte sepse një virgjëreshë vlerësohej në traditën e vjetër ballkanike si dhe në sytë e shoqërisë. Ndryshimi i identitetit duhej të ndodhte menjëherë pas kalimit të fazës së fëmijërisë, kështu që vesha rroba burrash, u vendosa në krye të familjes dhe u betova për virgjëri të përjetshme përpara 12 fshatarëve/pleqve të vjetër të fiseve”.

Që nga ai moment, gjinia e saj i përket të shkuarës. Ajo harron që është grua në këmbim të një statusi më të lartë. Ajo mund të blejë dhe të shesë pronë, të tymosë dhe të pijë, të menaxhojë çështjet familjare, të mbrojë nderin dhe të hakmerret. Të gjitha ja lejon identiteti i ri.

Tradita e burrneshave fillon shumë kohë më parë në fiset e zonave rurale të Shqipërisë së veriut ku burrat vdisnin nga gjakmarrja apo sëmundje të ndryshme, duke lënë shumë fise pa kryetarë. Një shtëpi pa një burrë në krye konsiderohej si fatkeqësi, “në një shoqëri ku thuajse gjithçka rrotullohej rreth mashkullit, ku trashëgimnia ndjek linjën mashkullore dhe ku gruaja trajtohej si pronë e burrit”, shkruan antropologia britanike Antonia Young.

Në këtë kontekst, vendimi për tu bërë burrneshë kishte një domethënie të madhe.

Duhet theksuar se homoseksualiteti femëror nuk konsiderohej si motiv kryesor pas zgjedhjes për tu bërë burrneshë, nuk ishte tërheqja e fshehur ndaj gjinisë së njëjtë (konsideruar tabu sipas kanunit) që mund t’i drejtonte gratë e reja për tu bërë burrnesha, në mënyrë që të përmbushin dëshirat e tyre të fshehta, pohon Young.

Sapo një grua vendoste të jetonte si burrë, nuk kishte pse të fshihte më asgjë nga shoqëria thellësisht shoviniste ku tashmë përkiste.

Ndonjëherë, drejt këtij vendimi shtyheshin edhe nga shkaqe ekonomike apo sociale. Sipas sociologut Zydi Dervishi, burrnesha bëheshin vajzat të cilat refuzonin një martesë për të mos turpëruar prindërit, vajzat e mbetura pa baba ose ato që nuk kishin vëllezër për të trashëguar pronën.

Ky ishte rasti i Qamile Stemës. Kur humbi të atin ju desh të kthehej në burrneshë për të mos mbyllur derën e shtëpisë pasi aty nuk kishte më meshkuj. Jeta e saj ndryshoi. Veshi një bluzë dhe një kapelë burrash, preu flokët kaçurrela duke larguar kështu çdo gjurmë femërore nga vetja, duke shpërblyer kështu familjen e saj dhe duke fituar respektin e së ëmës dhe motrave. Ajo filloi të punonte me burrat në fshat dhe të lutej së bashku me ta në xhami. Më pas rihapi derën e familjes duke mos lënë vend për dyshim në lidhje me identitetin: zëri i saj dhe duart, akoma dhe sot mohojnë veshjen e saj burrërore.

Si Qamile Stema janë gati dhe 20 burrnesha të tjera me mbi 80 vite mbi supe dhe që nuk pendohen për zgjedhjen që kanë bërë.

Në mesin e viteve 2000, shkrimtarja shqiptare Elvira Dones takoi këto virgjëresha të heshtura që shqiptarët i kishin lënë në hije duke i paraqitur botës grimca nga fëmijëria dhe bota e tyre, paraqitur nëpërmjet historisë së Hanës në romanin me të njëjtin titull (ital. “Vergine giurata”).

Për shembull, Dones shpjegon se në një familje të përbërë vetëm nga vajza, babai zgjedh atë që do ta zëvendësojë pas vdekjes së tij. Njëra nga motrat do të bëhej burri i shtëpisë dhe do të trashëgonte pronën. Nëse gratë nuk ishin të detyruara të ktheheshin në burrnesha, sqaron shkrimtarja, tradita sugjeron largimin si formën e vetme të lirisë për ata që nuk kanë tjetër alternativë.

Në pothuajse të gjitha intervistat në media apo të bëra nga studiuesit, burrneshat përsërisin se ato zgjodhën të ishin burra në mënyrë që askush të mos i zotëronte.

Për shumë prej tyre, kjo eksperiencë nuk ka rezultuar e suksesshme pasi nuk u është caktuar përgjegjësi reale në lidhje me gjendjen ekonomike apo kushtet sociale të familjes. Në vend të kësaj, shpjegon Dervishi dhe studiues të tjerë, ndryshimi i identitetit ishte thjesht dënim i dhënë nga prindërit për kundërshtimin e një lidhjeje martesore.

Nga ana tjetër, tradita pohon se hedhja poshtë në mënyrë të parregullt të një kërkese, është motiv i mjaftueshëm për të kërkuar hakmarrje. E vetmja mënyrë për të shmangur këtë situatë dhe për të ndaluar derdhjen e gjakut, ishte që vajza të betohej për virgjëri të përjetshme, të vishej si burrë duke marrë kështu detyrat dhe duke gëzuar privilegjet e burrave.

Nëse 10 vjet më parë kishte rreth 100 burrnesha sipas Youngut, në vitin 2007 numëroheshin vetëm 40. Në ditët e sotme janë akoma më pak (rreth 20) që nëse vendosin të thyejnë betimin dhe të kthehen në femra sërish, nuk vriten më siç ndodhte në të shkuarën, por megjithatë jetët e tyre rrezikohen.

Kjo traditë që bashkon mijëra fate grash që prej shekujsh i janë bindur traditës, po shuhet në malësinë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Fotografja Jill Peters, i cili shkrepi një seri fotosh që tregonin portretin dhe sakrificën e këtyre grave, shprehet: “Ato posedojnë një forcë dhe një krenari të papërshkrueshme dhe vlerësojnë nderin e familjes mbi të gjitha. Transformimi i tyre është tërësisht i pranuar nga njerëzit me të cilët jetojnë. Ajo që e bën më befasuese është fakti që ato kanë shumë pak pengje”. /Burimi: East European Crossroads/Në shqip nga: BookLoversAlbania/

“Virgjëreshat e përbetuara” apo burrneshat shqiptare (Foto/Video)
Lexo po ashtu “Virgjëreshat e përbetuara” apo burrneshat shqiptare (Foto/Video)