Nga: Arsim Hamiti
Krijimtaria e dy veprave të ndryshme të autorit Sulejman Dërmaku, përkatësisht librit me tregime “Në emër të popullit” dhe atij me poezi “Ç’je ti jetë”, i takojnë modelit të letërsisë realiste, ku çështjet, idetë dhe temat që ngacmojnë dellin krijues të autorit, vijnë nga përditshmëria dhe natyra e organizimit të shoqërisë sonë shqiptare. Si të tilla, këto tregime dhe poezi mbartin vulën e problematikave sociale dhe politike të një shoqërie në tranzicion, ku modelet, vlerat dhe normat shoqërore ndryshojnë shpejt për të krijuar situatat e absurdit që natyrshëm vishen me petkat e një gjendje normale.
Sa i përket librit me tregime “Në emër të popullit”, aty shihet qartë lufta personale e autorit me realitetin e ashpër dhe të vrazhdë shqiptar. Autori ndjek natyrshëm përditshmërinë plot sfida, ku vlera dhe antivlera ngjasojnë si dy pika shiu, ku dija dhe injoranca ecin krah për krah dhe ku e drejta dhe e gabuara kanë ndërruar vendet brenda koncepteve dhe dogmave shoqërore.
Ai nuk pajtohet me këtë realitet absurd dhe kontradiktor, ku si rezultat i këtij mospajtimi vjen natyrshëm krijimtaria artistike e prozës së shkurtë tregimtare, e cila si qëllim parësor ka shpërfaqjen e këtyre anomalive dhe destruksioneve shoqërore, të cilat ndikojnë dukshëm në kualitetin e jetës kulturore të shoqërisë dhe popullit tonë. Si të tilla, autori është kujdesur që mos ti mbingarkojë këto tregime me anën artistike në kuptimin e përshkrimit të ngjarjeve, veprimeve apo karaktereve të brendshme të personazheve, por situatat dhe veprimet paradoksale ti sjellë ashtu të thjeshta siç gjenden apo krijohen në realitet. Për më shumë, ai në këto tregime ka futur me kujdes një dozë të lehtë ironie dhe sarkazmi, duke bërë që të gjitha konfliktet ideore, konceptuale dhe ato të karaktereve të marrin ngjyrime të dukshme stilistike dhe të arrihet qëllimi i rrëfimit duke përmbushur edhe një lloj norme artistike. Këto tregime, që kryesisht bëjnë pjesë në modelin e krijimtarisë qëllimore dhe didaktike, janë të krijuara kryesisht nëpërmjet konstruksionit të dialogut mes dy personazheve, ku në të shumtën e rasteve njëri personazh flet në vetën e parë, dhe herë shpërfaqet si alter ego e autorit e herë e zëvendëson vetë autorin.
Është ky personazhi që ballafaqohet çdo ditë me paradoksin e jetës sociale, politike apo asaj intelektuale dhe gjendet në një luftë monotone dhe të lodhshme me personazhet negative dhe destruktive, që thjesht janë armiku i çdo njeriu normal në këtë vend, por e keqja është se shoqëria nuk i sheh si të tillë. Arsyeja është koha e pseudo vlerave dhe hipokrizisë ku jetojmë të gjithë së bashku, dhe demaskimi i këtyre pseudo heronjve kërkon afinitete të veçanta, që shprehen në situata të tilla artistikisht, çfarë janë në të vërtetë situatat narrative të këtyre tregimeve të autorit Sulejman Dërmaku. Dhe kur këtyre situatave u shtohet edhe një dorë mjeshtërore e satirës artistike, atëherë kontrastet kuptimore marrin dukshëm ngjyrat që ju takojnë në realitet dhe dukuritë negative marrin emrin që ju përket.
Autori Sulejman Dërmaku, duke përdorë një metodologji të tillë krijuese shumë precize, shpesh herë pothuajse klinike, demaskon modele të ndryshme njerëzish që bartin pozita të ndryshme politike, institucionale apo nga jeta kulturore. Ai nuk pajtohet që këto tri shtylla të rëndësishme të shoqërisë të udhëhiqen nga hipokritë, injorantë apo pseudo intelektualë. Ai është i ashpër me mësuesit që vetë lavdërohen por nuk kanë rezultate, i demaskon politikanët që në emër të atdhetarisë dhe patriotizmit kanë zaptuar jetën dhe paranë publike dhe është sarkastik me pseudo intelektualët që shesin mend vend e pa vend dhe mburren me paditurinë e tyre. Më tepër se kaq, autorit Sulejman Dërmaku, i cili vetë u krijua në kuptimin intelektual në një kohë të vështirë, të skamjes dhe vuajtjeve nëpër të cilën kaloi i gjithë populli ynë, i dhemb shkatërrimi i vlerave kombëtare dhe shoqërore që po ndodhë në këtë kohë të kamjes dhe lirisë së nëpërkëmbur, dhe aq më shumë i dhemb degradimi dhe stërkeqja që ndodhë me gjuhën amtare dhe me standardin gjuhësor. Andaj shumë tregime nga kjo përmbledhje edhe vënë në pah këtë problematikë, që pak po lërohet në kuptimin artistik dhe pak po punohet që të ndalohet.
Të një natyre të ngjashme me tregimet, përkatësisht si reaksion i natyrshëm artistik dhe intelektual i problematikave sociale, kulturore dhe kombëtare janë edhe një numër i konsiderueshëm i poezive të përmbledhjes “Ç’je ti jetë”, ku jo rrallë takojmë ide, motive dhe tematika të njëjta me ato të tregimeve të përmbledhjes së lartpërmendur, por tani delli krijues i autorit Sulejman Dërmaku na e sjellë këtë zhanër letrar në një dimension të ri dhe të veshur me një stil të veçantë artistik, si dhe me koncepte e ide të reja filozofike, që nuk janë të pakta brenda këtyre poezive. Edhe pse, edhe poezitë shpërfaqin jo rrallëherë atë ngjashmërinë e frikshme me realitetin e ftohtë të kontradiktave socio-politike të kohës, tashmë ato na vijnë të veshura me një ngjyrim të veçantë estetik, jo pak maestral, të një dore të sprovuar krijuese, ku impresioni është veçori dalluese e autorit Sulejman Dërmaku. Kjo përmbledhje poetike, e ndarë në tri cikle të veçanta me poezi, tashmë mbart edhe një vulë identitare krijuese nga fëmijëria e autorit. Nuk mungojnë pra, figura atërore dhe ajo e nënës, të cilat sjellin emocione të veçanta tek lexuesi, apo edhe figura të ndryshme që kanë të bëjjnë me identitetin kombëtar, që në poezitë e këtij krijuesi gjenden natyrshëm në habitatin e vet artistik. Autori, përveç çështjeve dhe problematikave të lartpërmendura, që e ngacmojnë dukshëm si pjesë edhe të shoqërisë intelektuale dhe shndërrohen bukur edhe në motive poetike, tashmë na paraqitet edhe i trazuar shpirtërisht, i ngarkuar emocionalisht dhe i sprovuar artistikisht në disa poezi meditativo-filozofike të cilat ngrenë paradigma të veçanta jetësore dhe krijojnë koncepte shumë kuptimore.
Për fund edhe diçka. Ajo që duket e veçantë në poezinë e Sulejman Dërmakut, do të thoja që është ndjenja e dhembjes që në një mënyrë mahnitëse përshkon këto poezi. Në të vërtetë ky emocion nuk shprehet qartë pothuajse asnjëherë, por është e dukshme se dhembja është e pranishme aty si një figurë polisemike, si një relikt shpirtëror, apo si një koncept filozofik, pothuajse në secilën poezi. Mbase është vetëm një impresion që përftohet natyrshëm, por me një lexim të kujdesshëm ajo të ngjitet nëpër rreshta dhe nuk të shqitet dot. Derisa lexon këto poezi dhembja shndërrohet në një ndjenjë sublime dhe polifonike që përshkruan jo vetëm botën shpirtërore të autorit, por edhe gjendjen e përgjithshme të atdheut dhe kombit dhe për më tepër momentumin e përcudshëm historik të shoqërisë shqiptare, të cilin po e jetojmë dhe përjetojmë çdo ditë nga pak. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje